Maskat me detyrim, por qeveria të mos guxojë mbyllje për së dyti!

0
86

Shqipëria nuk e ka fituar ende betejën, virusi nuk ka ikur dhe gjasat janë që për shumë muaj të bashkëjetojmë me COVID-19. Ajo që ekspertët i druheshin në fillim të pandemisë, në muajin mars, po ndodh tani në kulmin e sezonit veror dhe kur të gjitha masat mbrojtëse ndaj epidemisë kanë rënë. Mesatarisht kemi 70 infektime dhe nga 2 viktima në ditë. Numri i të shëruarve prej javësh vijon të mbetet më i ulët se ai i të infektuarve. Parashikimet janë që shifrat të rriten dhe nëse ky nuk është piku i pandemisë, atwhere jemi shumë afër tij. Me këto të dhëna, pas disa javësh spitalet do të japin shenjat e para të tejmbushjes dhe mjekët do të detyrohen të bëjnë përzgjedhje mes pacientëve. Në këtë situatë institucionet, Komiteti i Ekspertëve dhe Qeveria nuk do të kenë shumë alternativa. Do marrin vendimin më të thjeshtë për ndalimin e pandemisë, mbylljen e gjithë vendit dhe rikthimin e karantinës, por më të rëndin për qytetarët shqiptarë. Rikthimi i karantinës, izolimi dhe ora policore do të ishte falimentim për gjithë bizneset dhe për ekonominë e vendit.

Që të mos ketë më viktima dhe skenari i falimentimit të ekonomisë të mos realizohet duhet që të merren masa urgjente. Këtu nuk është më fjala vetëm për ato që duhet të bëjë qeveria, por së pari çfarë duhet të bëjnë qytetarët. Masa e parë më urgjente është detyrimi i qytetarëve për të mbajtur maska me ligj. Në çdo ambinet të hapur ku ka kontakte mes njerëzve askush nuk duhet të lejohet të lëviz pa maska. Në institucione, bizneset e shërbimeve dhe kudo ku ka aktivitete duhet që qytetarët të detyrohen të mbajnë maska. Përveçse në shtëpi, me shkallën që po përhapet virusi, çdo vend tjetër ku qytetarët lëvizin mund të jetë vatër infeksioni që vret njerëz. Mbajtja e maskave nuk mund të lihet më vetëm në dëshirën e qytetarëve apo të tolerohet si diçka pa rëndësi. Nëse duhet qeveria duhet ta sanksionojë me ligj mbajtjen e mjeteve mbrojtëse për të ndaluar pandeminë. Në jo pak shtete ka masa ndëshkuese dhe gjoba për ata që lëvizin në ambiente publike të pambrojtur me maskë dhe në Shqipëri duhet parë një mundësi e tillë për të frenuar infektimet.

Po ashtu, kontrollet mbi bizneset e shërbimit duhet të jenë standarde dhe gjithë sipërmarrjet duhet të penalizohen nëse shkelin rregullat. Lokale, restorante, qendra tregtare dhe çdo aktivitet ku ka grumbullime njerëzish duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm për të mos lejuar kthimin në vatra infeksioni. Respektimi i distancave në bare nuk mund të lihet më në dorë të pronarëve që duan sa më shumë klientë, por të ekspertëve shëndetësorë. Baret e natës dhe festat apo ahengjet masive në zonat e bregdetit duhen ndaluar me urdhër dhe jo sipas humorit të shefit të policisë së zonës. Kur themi që qeveria duhet të ndërhyjë, nuk kemi parasysh nxjerrjen e tankeve në rrugë dhe ngritjen e postoblloqeve me ushtarë. Në situatën e re duhen masa që lejojnë edhe zhvillimin e ekonomisë, por dhe mbajtje të pandemisë nën kontroll. Kjo nuk bëhet me dhunë, ligje antikushtetuese dhe represion, por me rregulla strikte dhe me ndërgjegjësim të qytetarëve.

Pas 5 muaj sakrifica të të gjithëve është e pafalshme që ka ende njerëz që mendojnë se virusi është mashtrim. Në rrjetet sociale dhe në media lexon “personazhe publike” që dalin dhe propagandojnë për teori konspirative pas virusit dhe deklarata që thonë se COVID-19 nuk është dhe aq i rrezikshëm. Fatkeqësisht këto deklarata të papërgjegjshme që marrin jetë, kanë më shumë jehonë se thirrjet e dëshpëruara të mjekëve për kujdes. Meqë ky vend ka ende idiotë që besojnë thashethemet anonime në Facebook dhe nuk shohin njerëzit dhe mjekët që po vdesin çdo ditë, duhet që qeveria të mos e humbasë këtë betejë edhe për mungesë të propagandës. Propaganda është arma më e fortë e qeverisë “Rama” dhe nëse betejën reale me virusin deri tani e kemi humbur humbën, të paktën të mos e humbasin betejën për ndërgjegjësimin e njerëzve. Qytetarëve t’u kërkohet të zbatojnë rregullat dhe të mbajnë maska më detyrim. Kaq gjë nuk është ndonjë sakrificë e madhe përballë skenarit të mbylljes totale./Mili Xhani/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here