Standard.al

Gra të dehura me pushtet…

0

Nga Elona CASLLI

Njeriu që nuk zotëron veten (njeriu përtej arsyes, përtej vulnetit) nuk mund të konsiderohet i bukur – do të shprehej Kundera.

Kjo shprehje e mjeshtrit të fjalës, më erdhi ndërmend teksa u përballa me një bashkësi fotosh të deputeteve rilindase.

Të dehur quajmë dikë që ka mendje të turbulluar dhe nuk e zotëron dot veten, pasi ka pirë verë, raki etj.

Njeriu nuk mund të dehet veçse nga rakia apo nga vera. Njeriu mund të pijë edhe pushtet dhe të dehet nga ky i fundit.

Në këtë rast dehja e parë është më e shëndetshme, pasi të lejon të kthjellohesh një ditë më pas. Ndërsa dehja nga pushteti ta lejon kthjellimin, veçse kur e ke humbur atë. Dhe deputetet në fjalë do qëndrojnë me mendje të turbulluar edhe për disa muaj.

Aktualisht kemi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që na bombardon me shifra të përditshme të infektuarish me Covid 19 dhe një bashkësi udhëzimesh që duhen të ndiqen nga bizneset e hapura, në kontekstin e pandemisë. Bizneset kërcënohen me mbyllje nëse nuk i ndjekin udhëzimet në fjalë.

Nga ana tjetër, na shfaqet imazhi i deputeteve rilindase, që nuk respektojnë asnjë udhëzim që lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale.

Ndërkohë që qindra biznese u mbyllën ose janë në prag të mbylljes përfundimtare, për shkak të demit ekonomik që shkaktoi izolimi i detyruar , na shfaqen këto gra të dehura me pushtet, që pozojnë përballë kamerës, a thua se janë në shesh xhirimi.

Këto gra të dehura me pushtet, duhet të kuptojnë se mund t’ia lejojnë vetes të dalldisen kur nuk përfaqësojnë askënd veç vetes së tyre. Në çastin që përfaqësojnë një vullnet popullor në atë parlalment dhe paguhen nga taksat e këtij të fundit, duhet të ndjekin një protokoll të caktuar në sjelljen dhe qasjen e tyre në publik.

Këto gra të dehura me pushtet, duhet të kuptojnë se veç detyrës si deputete, shërbejnë për fat të keq edhe si model në shoqërinë shqiptare duke përfaqësuar modelin e gruas në politikë. Dhe imazhet e serviruara nga këto gra, nuk bëjnë gjë tjetër veçse na rikujtojnë faktin se modeli aktual i gruas në politikë, përfaqësohet në shumicën e rasteve nga gra të dehura me pushtet.

Këto gra të dehura me pushtet, duhet të kuptojnë se qasja e tyre ndaj publikut nuk mund të kthehet në normë, pasi zyrtarizohet pashmangshmërisht mungesa përgjegjësisë në imazh, fjalë dhe veprim.

Këto gra të dehura me pushtet, nuk duhet të shndërrohen në adoleshente, fillimisht në respekt të viteve që kanë mbi shpinë e mandej në respekt të detyrës që ushtrojnë.

Këto gra të dehura me pushtet, duhet të zhdehen.

Post Scriptum- Në mos qoftë zhdehja e tyre vullnet individual, duhet të jetë pashmangshmërisht vullnet popullor. Në rast të kundërt modeli i këtyre grave do të zyrtarizohet dhe bashkë me këtë model zyrtarizohet përfundimisht një dehje kombëtare.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.