Alarmi i pandemisë/ Covid-19 shifra rekord, 7 të vdekur këtë fundjavë

0
107

Ditë pas dite po shpallen shifra rekord infektimesh dhe vdekjesh nga koronavirusi.

Vetëm të premten janë shënuar 3 viktima (një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi) të shtunën dy gra nga Tirana 67 dhe 73 vjeç) dhe të dielën dy 67 dhe 69 vjeç nga Tirana, duke e çuar në 25 numrin e të vdekurve në 8 ditët e fundit (nga 76 gjithsej).

Edhe numri i të prekurve po rritet dita ditës. Të premten ishin 90 te infektuar të rinj ndërsa këtë të diel 74.

E çuditshme është se këto shifra janë konstatuar vetëm pas një mesatareje prej 360 testimeve çka lë të mendohet se shifra është shumëfish më e lartë.

Nga informacionet e Lapsi.al, tamponët vazhdojnë të bëhen me kursim dhe në disa raste nuk i bëhen as bashkëjetuesve të personave që kanë rezultuar më parë si pozitivë.

Një lloj alarmi është krijuar edhe midis mjekëve të spitalit infektiv në Tiranë ku vendet e shtretërve po shkojnë drejt ezaurimit.

Image

Aktualisht janë 89 pacientë në spital, 11 prej të cilëve në gjendje serioze në terapinë intensive, 1 prej tyre i intubuar në gjendje të rënde. Sipas ministrisë së shëndetësisë mosha e të prekurve është ulur ndjeshëm dhe ajo ka arritur në 45 vjeç.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha gjatë një interviste në emisionin ‘Opinion’ se ka pacientë të moshës 30-45 vjeç, që po shfaqin simptoma të rënda nga COVID.

‘Sëmundja ka prekur në masën më të madhe moshat mbi 67 vjeç, por me simptoma të rënda ka edhe raste të reja nga 30 deri në 45 vjeç’, tha Manastirliu.

Edhe mjeku Tritan Kalo ka ndarë një mesazh në Facebook, duke iu bërë një thirrje të fortë te rinjve që mendojnë se janë imunë ndaj Covid-19. Kalo ka theksuar se numri i të rinjve që po preken nga koronavirusi është rritur ndjeshëm.

Ai ka publikuar skanerët e mushkërive të dy prej të rinjve, nën 35 vjeç, të cilët janë të shtruar te Spitali Infektiv dhe gjendja e tyre është e rëndë.

Image

Pikërisht për këtë Ministria e Shëndetësisë ka bërë bën apel për më shumë kujdes.

‘Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19’ mbyllet apeli.

Megjithëatë ajo që nuk kuptohet është fakti se përse kur gjendja është më keq se në mars kur u mbyllëm dhe kur u izoluam, kur kryeministri dilte përditë në Facebook, kërcënonte me gjoba dhe burg, pra tani që kemi më shumë raste dhe vdekje, masat janë ulur krejtësisht, lokalet dhe baret nuk i zbatojnë ato dhe shteti është dorëzuar nga mbrojtja e qytetarëve.

Edhe gazeta ‘Tema’ që mbështet politikat qeveritare vërente sot në editorialin e saj se: ‘Të kaluarit nga ekstremi i mbylljes totale, në hapje totale me papërgjegjësi, është krim ndaj sakrificës tre mujore që kemi bërë dhe një rrezik i shumëshuar për të ardhmen. E njëjta gjë duhet të vlejë dhe për zyrat e shtetit apo etikën e sjelljes në publik, të zyrtarëve të shtetit’ shkruante Mero Baze.

Ndërsa në Facebookun e Ramës, prej nga na kallej data disa javë më parë, tani nuk gjen më asnjë fjalë për koronavirusin.

Me sa duket qeveria ka kaluar nga izolimi maksimal në politikat e diskutueshme të ‘imunitetit të grupit’, sipas të vilave kush e ka për risk të vdesë le të vdesë.

/lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here