Pas studentëve, edhe sindikata e profesorëve në universiteteve kërkon shtyrjen e zgjedhjeve

0
120

Sindikata e profesorëve në Universitet kërkon shtyrje të zgjedhjeve në institucionet e arsimit të lartë në vend.

Pas studentëve, edhe sindikata e profesorëve shprehet se kërkohet garë reale, kurse shton se duhen po ashtu organe legjitime.

Njoftimi i Sindikatës së Profesorëve në Universitet:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

SINDIKATA E PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË (SPUSH)

Rruga “Bilal Konxholli”, Pallati “Dr. &. Di”, Kati I, Njesia Administrative nr. 8, Tiranë

INUS: L91623453V,Cel. 0693589216, e-mail: sindikata.spush@gmail.com

Tiranë, më 04/07/2020

Thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve në universitetet publike.

  1. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) po ndjek me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e vendimit të Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nr. 175, datë 30. 6. 2020, “Për zhvillimin e procesit zgjedhor për autoritet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Sindikata vëren se nuk është plotësuar asnjë kusht suplementar për adresimin e problematikave që kemi shtruar në deklaratën tonë të datës 06.05.2020, ku kërkonim shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por as të arësyeve për të cilat Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë mori vendimin Nr.108, datë 8.05.2020 “Për shtyrjen e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë….”:

  1. Së pari, këto zgjedhje në kohë pandemie dhe në mungesë të studentëve në Universitete janë formale sepse nuk krijojnë asnjë premisë e mundësi reale për konkurrim. Në kushtet kur numri i të prekurve me Covid-19 shtohet nga dita në ditë, hapja e fushatës për zgjedhje presupozon grumbullime studentësh e pedagogësh në takime me kandidatë për shefa departamentesh, dekanë dhe rektorë, të cilët do të shpalosin secili platformën e vet të drejtimit, gjë që në këto kushte është i pamundur, ashtu sic eshte e pamundur dhe llogaridhënia e drejtuesve aktualë që duan të rikonfirmohen, për rezultatet gjatë mandatit të tyre të sapo përfunduar.
  2. Një trupë zgjedhore me peshë vote prej 10 % zerohet ose mund të krijojë mundësi të korrupsionit zgjedhor, ku kandidatë të caktuar mund të “sjellin” për të votuar vetëm studentët e “porositur” sa për fasadë dhe sërish, në kuptimin e ligjit, do të përfaqësonin fiktivisht 10 % të votave.

Nga një sondazh që SPUSH i ka bërë orareve të provimeve në universitete të ndryshme rezulton se sezoni i provimeve në gjithë fakultetet mbaron më 25 korrik 2020, pra 5 ditë para zgjedhjeve, ndërkohë që disa universitete e fakultete (si Fakulteti i Gjuhëve të Huaja) po i bëjnë provimet on-line, madje kjo vetëm për vitet e fundit, ndërsa për vitet e tjera Bachelor dhe Master as nuk u lejohet ardhja ne universitet deri me 25 Gusht 2020, në zbatim të Urdhrit 104, datë 30.04.2020 të Ministrit ku, ndër të tjera, urdhëron IAL për: “… krijimin e mundësive për kthimin në auditor të studentëve të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme të të gjitha cikleve të studimit, për përsëritjen e leksioneve, seminareve apo punëve  laboratorike, pas datës 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë jo më pak se 4 javë”.

Kjo hedh poshtë konstatimin e ministres se “… Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime.”!!!

Zgjedhjet në këtë kohë të pandemisë dhe mungesës së studentëve në universitete u mohojnë plotësisht të drejtën e votës studentëve me banim jashtë qytetit dhe rrethit ku gjendet universiteti. Si do të shkojnë studentët nga rrethet për të votuar në universitetet e Tiranës apo ato rajonale, ndërkohë që dhe godinat studentore janë të mbyllura? A mund të urdhërojë MASR kthimin e të gjithë studentëve në auditore vetëm për hir të zgjedhjeve? A mund të organizojë MASR ose universitetet transportin e sigurtë të studetëve të rretheve për takime elektorale dhe ditën e votimit?

Si për ironi, vetë zonja ministre, në një prononcim të saj, thekson se “… Pa patur mundësi të votojnë studentët, natyrisht që nuk mund të ketë zgjedhje të mirëfillta nëpër universitete…”

  1. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë me bindje të plotë se zhvillimi i zgjedhjeve është jo vetëm detyrim ligjor por dhe jetik për mbarëvajtjen e administrimit të universiteteve, e konsideron si një element kompromentues të procesit zgjedhor mospjesmarrjen e studentëve, apo zhvillimin e tyre në mungesë të një konkurrimi real siç e detyron dhe Ligji i Arsimit të Lartë. Për këtë arësye do të kërkonim rishqyrtimin e këtij urdhri për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme ligjore që të kemi autoritete dhe organe drejtuese legjitime në universitetet publike.

Propozimi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë është që të bëhet një shtyrje tjetër e datës së zgjedhjeve dhe si periudhë e përshtatshme zgjedhjesh mendojmë se do të ishte java e katërt e fillimit të vitit të ri akademik 2020 – 2021.

NË EMËR TË SINDIKATËS SË PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË

KRYETARI

Prof.asoc.dr. Sandër KOVAÇI

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here