Standard.al

Rritet çmimi i produkteve bujqësore – Raporti i Institutit të Statistikave: Në 2019 u regjistrua rritja më e lartë në 4 vite

0

Çmimet e produkteve bujqësore për vitin 2019 shënuan rritjen më të lartë të katër viteve të fundit. Instituti i Statistikave bën të ditur se vitin e kaluar indeksi i çmimeve të bujqësisë u rrit me 2.7%.

Produktet bimore regjistruan një rritje të çmimeve me 3% për vitin 2019. Produkti që regjistroi shtrenjtimin më të lartë ishin patatet me 49%, të ndjekura nga ullinjtë me 18.3%. Grupet e tjera të produkteve kanë shfaqur inflacion në vlera të përmbajtura njëshifrore ose në rënie.

Ulja e çmimeve ka qenë më e përqendruar tek frutat, ku indeksi i çmimeve për vitin e kaluar pësoi rënie me 3.8%. Në veçanti çmimet e agrumeve ranë me shumë se 10% krahasuar me vitin 2018. Rënie vjetore të çmimeve pësuan edhe drithërat, me 3.6% më pak.

Prodhimet blegtorale për vitin 2019 u shtrenjtuan mesatarisht me 2.4%. Produkti që u shtrenjtua më shumë ishin vezët, me 5%, i ndjekur nga mishi i bagëtive të imta me 3.7% dhe mishi i shpendëve me 3.2%.

Të dhënat e Instat tregojnë se, të paktën për prodhimet bujqësore, inflacioni tashmë është në nivele të shëndetshme, pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në nivel mesatatar, inflacioni në ekonominë shqiptare për vitin e kaluar ishte 1.4%, ndërsa në muajt e parë të këtij viti ka regjistruar një rritje të lehtë, në kufijtë e 2%. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se kjo lëvizje lidhet kryesisht me faktorë kalimtarë të ofertës dhe nuk pret rritje të qëndrueshme të inflacionit gjatë këtij viti. Rënia e prodhimit dhe e punësimit, pasoja të epidemisë së Covid-19, do të ulin kërkesën dhe presionin për rritjen e çmimeve. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni t’i afrohet objektivit prej 3% vetëm në fund të vitit 2021./ SCAN

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.