Standard.al

“Yzyret” akademike të zotit kryeministër

0

Nga Agron Gjekmarkaj

 

Edi Ramës i bien shumë në qafë, kiamet shumë, sidomos kur thonë që nuk është mirënjohës. Përkundrazi, ai vonon, po nuk harron. Sillet pak a shumë si drejtësia e Zotit. Ai nuk i braktis kurrë hyzmeqarët e tij. Ndonjëherë plot jabrashllëk i tolloshit, apo i keqtrajton, gjithmonë një arsye e ka. Më pas, si at shpirtdhembshur vë dorën mbi kokën e ciripupëve dhe fap, nga xhepi i redengotës si prej gardërobe të zhdukur prej Teatrit Kombëtar, nxjerr herë një lëpirëse, herë një çokollatë “kis”, herë një karamele dhe ua rras në gojë që të gëzohen nga ëmbëlsia në këto kohë të tharta. Kësisoj, goja e tyre e roshkuar nga marazi e pritja fillon e lëngëzohet, pastaj lëpijnë, hanë, mbllaçitin, rruçkufisin me zell e përunjësi. Ua jep myzhdenë kur nuk e presin.

Akademia e quajtur e Shkencave është një shembull për këtë. Dikur zemërimi i Kryeministrit dukej i vërtetë, sikur do sillej me këtë institucion krejt si me gazetën “Zëri i Populli”. Sa ua pat thyer zemrën baballarëve të dijes! Ata kishin menduar që netëve të dimrit ndanë zjarrit, që zgjonte mall e digjte shkarpa me karkërimë, ai vetë do t’u hidhte një velenxe mbi krahë, do t’u shtinte kumel, do t’u piqte gështenja, do t’u thyente arra, teksa ata do t’i flisnin për Shqipërinë ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet e uruara, teksa merrte e hidhte shënime mbi defterë! Do t’i tregonin se si Enveri, një natë të vitit 1972, vendosi të themelonte Akademinë e si i zgjodhi me provë si shalqinjtë një e nga një të besuarit e vet. Si i zbuluan e dërrmuan grupet armiqësore në kulturë, gjuhë e letërsi e plot bëma zulme e krenarie, kur vriteshin poetët e burgoseshin të tjerët, kur një zonë shpallej përparimtare e një tjetër reaksionare e klerikale.

Por ai i kërcënoi se do t’u priste dritat, ujin e do t’u hiqte rrogat, bakshishet, ylefetë, oturakët e çdo privilegj, madje ndërtesën mund ta bënte akçihane. U trishtuan ata, zemrat e tyre u thyen, nofullat shekullore u dridheshin prej ngashërimi, por fjalë as llaf të keq nuk nxuarën për “djalin tënë”, u poqnë dhe u doqnë në vajin e tyre pa u ankuar. Kur ai e pa që dashuria e tyre është e pakushte e dëlirtë si ujë kroi ku pinin dyfektarët pas betejave, vendosi t’ua shpërblente. Edi Rama po e kapitalizon shumë më tepër se Fatos Nano trashëgiminë komuniste në çdo aspekt, duke u kujdesur edhe për emrat e saj të rishfaqen në qeveri, parti, organizma të çdo natyre, teksa në diskurs hiqet si detraktues i saj.

U ktheu gjithçka, hoq dorë nga reformimi që pat kërkuar prof. Artan Fuga. E kush dreqin ua pa hairin reformave? Filozofi në fjalë vazhdon betejën si ushtari japonez në emër të perandorit, i cili në këtë rast është Hegeli e që na mëson se shpirti subjektiv i shtetit dhe ligjit uk vdes kurrë. Për ta mbyllur historinë siç i kishte hije, i vuri në krye Skënder Gjinushnë, paçka së është i paligjshëm dhe i padekretuar nga Presidenti i Republikës. Ministra, ish- deputetë, këshilltarë të Ramiz Alisë dhe në Këshillin Bashkiak, miq të Sigurimit të Shtetit mrizojnë aty si shelegë të butë nën hije frashri. Ndonjërit thuhet që ambasada amerikane nuk i ka dhënë vizë për bashkëpunim me Iranin, po akademikët tanë nuk pyesin se Amerikën s’e kanë pasur gjithmonë në grykë të topit, copash e kanë bërë në qindra tekste.

Ky institucion ka lindur me bekimin e partisë e udhëheqësit dhe vazhdon ende t’u shërbejë të dyve. Impakti i tij është zero kudo, zero brenda vendit e zero jashtë tij, pos në dëm se shtetit i mjel goxha para nga taksat. Aty ka persona që vlejnë po shumë pak për rastësi, dekor dhe përligjje. Akademia e ashtuquajtur e Shkencave është një seksion politik i së majtës, kryesisht me enveristë, pranë PS dhe “Rilindjes”. Natyrisht, aty nuk futesh edhe po nuk deshe vetë, duhet të bësh një kërkesë për këtë. Me zor nuk të marrin. Me emërimet e fundit, ai shfaqet si tempull tejet mrekullibërës, siç e thotë Noli “bashkon islam’n e krishterimin”, midis kinse antienveristëve dhe enveristëve shpall vëllazërimin e themi ne.

Në albanologji, kriteret i vënë “gjuhësi dhe të jetë femër” për pak nuk kanë vënë të jetë e gjatë, me syze, e vrenjtur, e bijë e babës në mediokritet…! Dy akademikë të asociuar u bënë të tillë pa garë. Katër të tjerë pa vendim të Senatit të UT-së, që si votë konsultative është e domosdoshme. Tjetrit i erdhi emërimi pa vendim Senati ku është bërë profesor. Ndryshuan statutin, gjë që bie në kundërshtim me ligjin. Kryetari i paligjshëm bën procedura të paligjshme, që të universalizojë paligjshmërinë duke inkriminuar institucionin. Ministria e Financave gjen shkelje të rënda financiare organigramën dhe pagat që kryetari i vendos si pas qejfit në mall të babës Ethem. Votohet me zarfe, se nuk dihet ku flenë përpara se të vijnë në seancë.

Gjithsesi, kjo bina vuan mëkatin e rrjedhshëm, atë të vendimit të KQ të PPSH me anëtarët themelues me listë personale të Hoxhës. Nuk shkëputen dot nga ai mëkat fillestar. Ja tani, shikojeni listën, ish-deputetë të PS, zyrtarë, mbështetës të saj të hapur, të lë me kuptue se dikujt i mbyll gojën, dikë e shpërblen se aq aspiron, vetë Edi Rama.

Firmos për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe bëhesh akademik, a ka më turp se kaq?!

Partia të bën akademik, akademiku del si i pavarur dhe thotë “aaa, unë jam i pavarur, jam akademik, po këtë qeveria e ka bërë mirë; aaa, unë jam i pavarur, po këtu shoku Edi është i saktë; aaa, jam i pavarur, por teatri shëmtonte dynjanë me çaraveshjen e tij, duhej prishur firauni”. Pastaj del partia me gëzim dhe e përshëndet …”E patë, edhe akademiku filan, vetë ai na dha të drejtë, nuk flet kot ai, e peshon atë të bekuar llaf”. Do t’i shohim gjatë vitit elektoral si do përdoren në rresht. Kësisoj, rrethi vicioz kryen mbylljen e vet magjike të kapjes së çdo gjëje. Akademia mbetet një nevojtore. Më këtë nuk kemi parasysh atë që njihet me emra si yzyrhane, qenef, vc, banjo e të tjera, ku kryhen lirime të trupit, pra nevoja trupore… Jooo, kemi parasysh atë ambient ku kryhen nevoja e interesa politike.

Në gjuhën e bukur turke, nevojat quhen “yzyret”, madje ka një shprehje “yzyret e grave” për të mos i përmendur drejtpërsëdrejti. Po ashtu, thuhet kam yzyr…me ka shtrënguar yzyri.

Sigurisht, Pëllumb Xhufi si historian dinjitoz i përmbush kriteret shkencore, për koincidencë edhe ato ideologjike, por edhe në këtë rast me gjasë ligji është thyer, sepse profesori i njohur i ka kaluar 68 vite siç parashihet (në ligj).

Personalisht, më vjen mirë që një eminencë e kulturës shqiptare, një personalitet, profesori im më ndikues, Aurel Plasari, plot sqimë e vepra të spikatura, i cili meriton të jetë akademik i çdo akademie evropiane, prej të cilit shumë breza kanë mësuar të kuptojnë thelbin e kulturës shqiptare, të ndajnë krundet nga mielli, socrealizmin nga letërsia e vërtetë, shkencën e albanologjisë e të historisë nga folklori dhe të bërit publicistikë, nuk është vetëlutur që të bëhet pjesë e atij zhgani. Ende shembuj dinjiteti ka.

Në shoqëritë e tanimë të përparuara, shkencat e bëjnë rrugëtimin e tyre me organizime, në të cilat dijetarët puqen për nga interesat e përbashkëta shkencore, qoftë edhe nga parimet e përbashkëta estetike, në bashkime të lira vullnetare, për të mos përmendur që një shumicë e madhe e veprave të dijes janë produkte individuale, të prodhuara në kushte të lirisë dhe të pavarësisë shkencore, ndërsa kanë mbetur si relikte organizmat “akademike” të themeluara nga mbretërit e diktatorët, por Kryeministri ynë ka “yzyret” e veta. Ai(Kryeministri) po rreket kot të sajojë një pseudoelitë të veten, elitat nuk sajohen. Ato janë produkt seleksioni social, shkencor e kulturor./panorama

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.