Standard.al

VOA: Shqiptarët sërish me sytë nga ambasadat

0

Nga Zëri i Amerikës –

Si sot, 30 vjet më parë, disa mijëra shqiptarë hynë në mjediset e ambasadave perëndimore në Tiranë dhe kërkuan strehim politik për t’u larguar nga Shqipëria.

Për afro gjysmë shekulli, diktatura komuniste e shndërroi Shqipërinë në vendin më të varfër dhe më të izoluar të kontinentit.

Hapja e ambasadave ishte për shqiptarët shenja e parë e lëvizjes antikomuniste të po atij viti.

“U futa te kthesa prapa ambasadës gjermane me shpejtësi 70 km në orë, aq sa makina u mënjanua. Polici aty nxori pistoletën dhe na qëlloi, por unë manovrova me timonin dhe ai u hodh në krahun tjetër. Pastaj u dëgjua përplasja e madhe e makinës me murin rrethues dhe nuk di më a ndaloi vet makina apo e ndalova unë. U plagosa në krah dhe gjaku plasi rrëke” – thotë shoferi Ylli Bodinaku.

Ai është një nga mjeshtrat më të njohur të automjeteve në Shqipëri, jo vetëm për shkak të profesionit, por sepse më 2 korrik 1990 u bë heroi i ditës.

Ish i burgosuri politik, atëherë 37 vjeçar, rrëzoi me kamion murin rrethues të ambasadës gjermane, duke u futur në oborrin e saj me familjen dhe fëmijët e mitur si dhe 40 persona të tjerë përsipër. Ylli sfidoi të gjithë rrethimet e policisë dhe Sigurimit të Shtetit, duke i krijuar mundësinë një morie shqiptarësh të kërkonin azil politik nga vendi më i izoluar i Europës pas 45 vjet diktaturë të pashembullt komuniste.

“Brenda ambasadës gjermane ishte një mrekulli, dhe na bënë një pritje të jashtëzakonshme. Diplomatët ishin heronjtë e vërtetë për Shqipërinë dhe për demokracinë tonë. Ata ndihmuan 3 mijë e 200 vetë me ushqime të pakta dhe pa ujë, edhe me pengesat që vinin nga jashtë, si bllokimi i qëllimshëm i tualeteve, dhe vështirësi të tjera nga rrethimi. Ishte një staf aq i vogël dhe menaxhuan gjithçka për mrekulli. Edhe bukën për ne e blinin në dyqane jashtë kryeqytetit, deri në Durrës e në Kavajë, se në Tiranë nuk mund të blinin aq shumë” – kujton Bodinaku.

Pas 10 ditësh afro 5 mijë 200 shtetas shqiptarë, që hynë në ambasadat e vendeve perëndimore u lejuan nga qeveria komuniste të dilnin nga vendi dhe të shkonin në ato shtete. Studiuesi Ledion Krisafi thotë se 2 korriku 1990 është një nga datat më të rëndësishme të Shqipërisë, e cila ndryshoi dukshëm historinë e shtetit shqiptar në 3 dekadat e fundit.

“Ai ishte çasti kur diktatura komuniste gjysmë shekullore praktikisht mori fund. Ky ishte çasti kur diktatura humbi legjitimitetin e saj, sepse populli po e linte anijen, që ishte duke u mbytur. Kjo ishte goditja përfundimtare që mori ai regjim” – thotë ai.

Studiuesi Krisafi thotë se sot 30 vjet pas asaj përpjekje të shqiptarëve për të hyrë nëpër ambasada dhe për të ikur nga ai regjim shtypës e mizor, është ironik fakti se shqiptarët përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë; të kërkojnë cdo lloj mënyre për të ikur nga Shqipëria.

“Ky është dështim i forcave politike në 30 vitet e fundit, ndaj duhet studiuar se cilat janë gabimet që shqiptarët janë sot në të njëjtat kushte. Shqiptarët po përpiqen të bëjnë pikërisht atë që bënë 30 vjet më parë, ndaj klasa politike që ka drejtuar Shqipërinë në 3 dekada ka dështuar të krijuar institucione më të mira, ekonomi më të mirë, mjedis më të mirë dhe kushte më të mira jetese, që shqiptarët të mos bëjnë më si në vitin 1990” – thotë ai.

Pas disa vitesh punë në Gjermani, ku u bë mjeshtër i makinave Benz, Ylli Bodinaku u kthye në atdhe me një kamion me vegla pune, dhe hapi një servis automjetesh, ku riparon kryesisht makina gjermane. Por ai thotë se u zhgënjye shpejt.

Zyrtarët e detyruan të dëmshpërblente kamionin e shkatërruar në muret e ambasadës gjermane, por zhgënjimi më i madh erdhi kur shihte se demokracia nuk po zhvillohej si e donin njerëzit dhe si e pa ai në perëndim.

“Politikanët tanë nga të gjitha palët asnjë nuk ka menduar për Shqipërinë as për shqiptarët. Motoja ime ka qenë që “Gjermaninë ta bëjnë gjermanët. Shqipërinë ta bëjnë shqiptarët”. Kurse këta politikanë po i përzënë shqiptarët. Më dhimbset ky vend, një vend aq i bukur aq i mirë, por që menaxhohet në këtë formë. Ligji nuk funksionon dhe drejtësi nuk ka. Fukarai var veten se nuk paguan dot një faturë energjie, ndërsa krimineli milioner del nga burgu për dy javë. Pasanikët nuk e kanë frikë ligjin dhe gjyqin, sepse kanë para dhe i blejnë. Më vjen keq për brezin e ri sot. Mirë ne, që dinim pak, dhe maksimumi lexonim ndonjë libër të verdhë, por këta sot i dinë të gjitha, kanë parë jashtë shtetit dhe i nënshtrohen këtij lloj regjimi?!” – thotë ai.

Studiuesit mendojnë se regjimi komunist ishte më mizori dhe më shkatërrimtari nga gjithë regjimet e Europës Lindore, por edhe sot kushtet ekonomike vazhdojnë të jenë të rënda, dhe ky është një tjetër dështim i forcave politike, që nuk eci në të njëjtin hap me vendet e Europës Lindore, të cilat u zhvilluan shumë më shumë se Shqipëria, e cila ende diskutohet nëse e mbylli apo jo tranzicionin.

“Shohim sot nga vendet e Europës ish-komuniste; Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria etj. janë pjesë e BE-së dhe kanë nivelin e jetesës pothuajse baraz me atë të Bashkimit Europian. Ndërsa këtu tek ne, pas 30 vjetësh nga 2 korriku 1990, Shqipëria ka arritur vetëm sa 30 për qind e të ardhurave të Bashkimit Europian, sipas të dhënave zyrtare. Shqipëria është ende vendi më i varfër në Europë” – tha zoti Krisafi.

Hapja e ambasadve perëndimore atë korrik për shqiptarët e varfër dhe të shtypur nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij pas vdekjes ishte shenja e parë se pas pak muajsh po vinte lëvizja antikomuniste e studentëve.

Bashkë me revoltën e tyre erdhi edhe pluralizmi politik. Ndërsa sfida për ta bërë Shqipërinë një vend demokratik mbetet e njëjta.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.