Këtu nis gjithçka…Haraçi i rëndë që do të paguajnë shqiptarët për Milot-Fier

0
91
Nga Klodian Tomorri 

Tarifa e 7.5 euro për 100 kilometër që do të paguhet në rrugën Milot-Fier është 2 herë më e rëndë se niveli maksimal që mund të përballojnë qytetarët shqiptarë. Ky është një nga sukseset më të mëdha të projektit, me të cilin qeveria po vetëlavderohet.

Në vitin 2015, qeveria shqiptare pajtoi kompani greke Egnatia Odos për të përpiluar strategjinë kombëtare të rrugëve me pagesë.

Në strategji, kompania greke studioi dhe nivelin maksimal të tarifës që mund të përballojnë qytetaret shqiptarë për të kaluar në rrugë.

Në fakt, metoda kryesore se si llogaritet tarifa maksimale e kalimit në rrugë që mund të përballojnë familjet është standard në të gjithë botën. Ajo bazohet në strukturën e shpenzimeve të buxheteve familjare.

Me konkretisht, tek shuma e të ashtuquajturave shpenzime të luksit, pra shpenzimet që familjet bëjnë për hotele, restorante, kulturë, rikrijim, alkool dhe cigare. Këto zëra shpenzimesh konsiderohen si me elastiket, një pjesë e të cilave mund të shkurtohen.

Sipas anketës së buxheteve familjare të vitit 2015, një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 94 euro në muaj për kategoritë e sipërpërmendura. Mbi këtë bazë, Egnatia Odhos i këshilloi qeverisë se tarifa maksimale e kalimit që mund të përballojnë familjet shqiptare për kalimin në rrugë është 3.5 euro për 100 kilometër.

Por sipas studimit niveli optimal do të ishte 2 euro për 100 kilometëer, çka do të rriste shpenzimet ekstra të familjeve për transport me 22 për qind në muaj.

Por në rrugën Milot-Fier, tarifa e propozuar do të jetë 7.5 euro për 100 kilometer pa TVSH ose 9 euro për 100 kilometër me TVSH. Pra kjo tarife do të jetë 3 herë më e lartë se niveli optimal dhe 2 herë më e lartë se niveli maksimal i përballurshmërisë që ka sugjeruar konsulenti.

Meqenëse këto tarifa bazohen në anketën e buxheteve familjare të 2015-ës, do të duhej që në 5 vitet e fundit, buxheti i familjeve shqiptare të ishte dyfishuar për të përballuar tarifën 7.5 euro. Por, sipas INSTAT, krahasuar me vitin 2015, PBB nominale është rritur me vetëm 19 për qind, ndërsa ajo reale me vetëm 13 për qind.

Për ta thënë më shkurt tarifa e kalimit prej 7.5 euro për 100 kilometër është një haraç i rëndë dhe i papërballueshëm për familjet shqiptare. Kjo do e bëjë kalimin në rrugën Milot-Fier të papërballueshëm për shumicën e popullsisë.

Edhe pse qeveria premton se do të ketë rrugë alternative pa pagesë, ky është një film që shqiptaret e kanë parë njëherë me rrugën Durrës-Kukës.

Tarifa e lartë e kalimit në Milot-Fier është rezultat i fryrjes së kostos së rrugës. Në këtë pikë, sërish vlen e njëjta pyetje për qeverinë:

Kush e ka bërë studimin e fizibilitetit ekonomik të rrugës Milot-Fier, në çfarë procedure u përzgjodh konsulenti dhe kush e pagoi?

Këtu nis gjithçka.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here