Standard.al

Artan Fuga: Pranimet e reja në Akademinë e Shkencave, me shkelje të rënda proceduriale dhe ligjore

0

Nga: Artan Fuga

Deklaratë për mediat

Mbi zhvillimet sandaloze në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

02.07.2020
Të nderuar,

Në shërbim të transparencës dhe të informimit të opinionit publik të vendit, theksoj sa më poshtë vijon :

Kisha vendosur të mos shprehesha publikisht lidhur me pranimet e reja në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që u kryen përpara dy ditësh. As për procesin që çoi atje. Kjo sepse nuk dëshiroja ta ngarkoja më shumë publikun gjithmonë me një çështje të dështuar dhe që ripërsërit dështimin sakohë nuk përqafoi reformimin.

Mirëpo kolegë, miq, të panjohur, aktivistë shoqërorë jo vetëm pyesin, por në një farë mënyre edhe kërkojnë llogari se përse nuk kam reaguar.

Arsyeja më e madhe që më ka bërë të qendroj i rezervuar në shprehjen publikisht është sepse janë pranuar në Akademinë e Shkencave individë, kolege e kolegë për të cilët në asnjë mënyrë nuk më lejohet etikisht të shpreh qendrime subjektive.

Megjithatë, meqë më kërkohet me insistim dhe vihem përpara kërkesës publike të përsëritur, deklaroj se edhe pranimet e reja, pa hyrë sikurse thashë në profilin dhe arritjen e personave që kandiduan, u kryen në pjesën dërmuese, me ndonjë përjashtim të rrallë, me shkelje të rënda proceduriale, me shmangje dhe shkelje të ligjeve dhe statutit të Akademisë të Shkencave, me përzgjedhje krejt arbitrare dhe duke shmangur garën e ndershme, pa transparencë.

Sipas shqyrtimeve të mia deklaroj me përgjegjësi të plotë se dy prej vendeve u zunë nga kandidatë duke u mohuar në mënyrë te antiligjshme pjestarëve të tjerë të komunitetit shkencor të vendit për të marrë pjesë në garë, me fshehtësi dhe me vende të destinuar si monopol personave të veçantë brenda Akademisë të Shkencave. Në një rast u shkelën hapur formulimet në ligj duke i kundërvenë ligjit statutin e Akademisë të Shkencave, i cili është një amalgamë qendrimesh autoritariste dhe monopolizuese. Për katër kandidatë u shkelën rëndë procedurat e pranimit duke u zëvendësuar ato me lojra manipuluese politike të njohura tashmë si me autorësi të dikujt të ditur publikisht. Po ashtu pati edhe raport të ndonjë komisioni që është « fake » dhe aspak autentik duke përbërë edhe falsifikim dokumenti. Po numuroj vetëm shkeljet kryesore !

Të gjitha këto, theksoj jashtë çdo gjykimi për personat që kandiduan, janë denoncuar nga unë me shkrim në të gjitha nivelet e Akademisë të Shkencave si edhe në asamblenë e saj, por kanë rënë si gjithmonë në vesh të shurdhër.

Unë ripohoj se nuk përjashtoj dyshimin tim se dikush me qëllim kërkon të përhapi paligjshmërinë brenda radhëve të Akademisë të Shkencave, për ta bërë gjithnjë e më shumë të paligjshmen gjendjen normale të saj. Për ta fiksuar paligjshmërinë në dokumentat, vendimet, strukturat institucionale të Akademisë të Shkencave.

Sikurse ka shkruar filozofi dhe sociologu i njohur amerikan Ervin Goffman, njerëzit që ndjejnë se kanë stigmate kërkojnë të shkrihen në bashkësi me këto stigmate për t’u gjendur në një ekosistem që nuk i ve re ato!

Për të gjitha këto shkelje përgjegjësinë e plotë e mbajnë edhe antarët e tjerë të kryesisë të Akademisë të Shkencave, kryetarët e seksioneve përkatëse, sekretari shkencor, si edhe drejtuesi i komisionit teknik, i burimeve njerëzore, dhe specialistët teknikë që janë bërë pjesë e këtij procesi. Pa dyshim, asambleja e Akademisë të Shkencave si gjithmonë vazhdon të mbetet inerte dhe bashkëpunuese me këtë paligjshmëria nga koka në këmbë dhe që ripërsëritet dhe ripërtërihet jo vetëm në kësi rastesh, por edhe në planin financiar çka është vendosur në dukje edhe nga institucionet përkatëse, në planin organizativ, atë shkencor ku Akademia e Shkencave ndërmori hapat e fallcët duke tentuar të bënte prognoza krejt të gabuara dhe fallcifikuara metodologjikisht për ecurinë e pandemisë të Covidit 19; duke gabuar kështu dhe futur në qorrsokak të gjithë opinionin publik të vendit !

Kurse shkeljet në çështjet financiare, tejkalime ligjore që janë vërtetuar edhe nga ministria e financave, dhe shpenzimet e pambështetura në asnjë ligj apo edhe shpenzimet e tjera i kam konsideruar abuzim me paranë publike !

Duke kryer detyrën time, denoncuar në vazhdimësi gjithçka shkruaj tani brenda Akademisë të Shkencave, theksoj me forcë se është detyra e komunitetit shkencor të vendit, e autoriteteve shtetrore, e opinionit publik dhe e institucioneve të specializuara për të vepruar!

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.