Aktorja Juli Emiri: Rama duke shembur Teatrin, shembi Kushtetutën

0
422

Aktorja Juli Emiri është intervistuar nga Pavlos Katsivelis, për gazetën Efsyn, një nga gazetat kryesore që përfaqësojnë mendimin progresiv të qendrës së majtë në Greqi. Pavlos është kompozitor grek, i cili ka studiuar kitarë klasike, teori muzike, kanto dhe gjithashtu kompozim muzikor për teatër në teatrin kombëtar grek.
Përvecc bandës swing-blues që ka themeluar, është kompozitor i shumë këngëve të zhanreve të ndryshme dhe i shumë pjesëve teatrale, përfshirë dhe shfaqjen Medea, para tre vitesh në Tiranë. Ashtu si regjisori Dimitrys Mylonas, ai ka qenë gjithmonë në mbështetje të kauzës së teatrit, dhe ka dhënë këtë kontribut në sensibilizimin e opinionit grek.
Juli Emiri është një aktore profesioniste, e diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë (UART). Ajo ka punuar në të gjitha teatrot në Tiranë (përfshirë Teatrin Kombëtar), si dhe në qytete të tjera. Ka luajtur në 5 filma artistikë dhe shumë filma të shkurtër. Ka punuar gjithashtu me regjisorë të huaj.

*
Aktorja Juli Emiri nga Shqipëria flet për “Efsyn”: “Ekziston një dimension personal i sjelljes së Ramës. Sulmi i tij Ishte për të shkatërruar artin, jo ndërtesën, dhe veçanërisht për të shkatërruar simbolin e protestës sepse kjo ka qenë protesta më e gjatë, më paqësore dhe më intelektuale në Shqipëri, dhe ai nuk do që fitorja e saj të kthejë besimin te njerëzit se nëpërmjet protesës mund të fitojnë të drejtat e tyre, sepse kjo do sillte përhapjen e protestave në të gjithë vendin.”.
Takova aktoren Juli Emiri në vitin 2018, në ndërtesën tashmë të shkatërruar të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, në provat e “Medea”, me regji nga Dimitris Mylonas, një shfaqje në të cilën ajo luajti dhe për të cilën kisha shkruar muzikën. Niveli i saj artistik dhe profesionalizmi i vetes dhe kolegëve të saj ishin të jashtëzakonshëm. E njëjta vlen edhe për përpjekjet e tyre për të mbrojtur ndërtesën e Teatrit Kombëtar.

Juli, çfarë ndodhi me Teatrin Kombëtar Shqiptar? Cilat ishin planet e Edi Ramës? Pse donte ta rrëzonte teatrin?

Prishja e teatrit kombëtar të Shqipërisë është një plan 22 vjeçar i kryeministrit tonë tani (që kur ai ishte ministër i kulturës dhe kryetar i bashkisë së Tiranës pas kësaj). Preteksti tani ishte ndërtimi i një teatri të ri, por plani është vjedhja e një hapësire të madhe (në mos i gjithi) nga territori i teatrit kombëtar për të ndërtuar kulla. Por unë mendoj se arsyeja e vërtetë shkon përtej përfitimit monetar dhe bazuar në karakterin e tij është në të vërtetë një luftë kundër artit jo kundër ndërtesës. Ai gjithashtu dëshiron të shkatërrojë muzeun tonë, galerinë tonë të artit (etj) dhe mbi të gjitha komunitetin e artistëve.

A mund të na prezantoni një histori të shkurtër të kësaj ndërtese. Ccfarë ka të veçantë, për sa i përket rëndësisë historike dhe trashëgimisë kombëtare? Pse luftuat për ta shpëtuar?

Ishte teatri ynë i parë kombëtar, hera e parë që kishim një trup profesioniste aktorësh, por jo vetëm kaq. Në fillim ishte gjithashtu kinema, një skenë për koncerte klasike, në atë ndërtesë ka lindur Instituti i Studimeve Shqiptare, themelimi i studimeve albanologjike në Shqipëri, klubi i lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, instituti i parë i arteve …janë zhvilluar veprimtari politike etj. Kujtesa është pjesa më e rëndësishme e një qyteti, identiteti i saj. Ekspertë të arkitekturës flasin gjithashtu për vlera unike arkitekturore. Por, përveç të gjitha këtyre, ligji i posaçëm që ata krijuan për të shkatërruar teatrin i jep territorin e tij publik një ndërmarrje private dhe shkel kushtetutën në nëntë pika, një precedent shumë i rrezikshëm për funksionimin tonë normal të demokracisë dhe e përhap problemin në të gjitha kontekstet e shoqërisë.

Në vizitën time në Tiranë kam parë një aktivitet artistik mjaft intensiv. A nuk mund ta ndërtonte Rama diku tjetër teatrin e ri? Pse mendoni se ai këmbënguli të shembte të vjetrin?

Po, ai mund ta ndërtonte diku tjetër. Gjatë protestës sonë iu drejtuam Europa nostra, e cila është organizata më e madhe në Evropë për mbrojtjen e trashëgimisë, që çdo dy vjet zgjedh 7 site në rrezik për ti marrë në mbrojtje dhe lobon për fonde për ruajtjen apo restaurimin e tyre. Këtë vit ajo zgjodhi teatrin tonë si një nga 7 sitet e rrezikuara dhe do të gjente para për restaurimin. Gjithçka ishte e përsosur dhe Shqipëria nuk kishte pse të paguante. teatri i ri mund të ndërtohej diku tjetër. Por ai e shkatërroi atë. Ndaj thashë më sipër që përtej fitimin nga kullat, arsyeja mund të jetë dhe personale, për të shkatërruar artin dhe veçanërisht për të shkatërruar simbolin e protestës sepse kjo ka qenë protesta më e gjatë, më paqësore dhe më intelektuale në Shqipëri, dhe ai nuk do që fitorja e saj të kthejë besimin te njerëzit se nëpërmjet protesës mund të fitojnë të drejtat e tyre, sepse kjo do sillte përhapjen e protestave në të gjithë vendin.

Cila ka qenë qasja e përgjithshme e qeverisë shqiptare për kulturën, artet etj vitet e fundit?

Ajo nuk bëri asgjë për ligjet e artit, statusin e artistit, Ai ndryshoi kontratat e aktorëve të teatrit kombëtar duke i bërë ato më të shkurtra. Disa teatro të rikonstruktuara janë bërë me ngjyrën vjollcë të partisë së tij dhe të ngjashme me mënyrën se si dukeshin teatrot në komunizëm (quheshin shtëpi kulture atëherë dhe nuk ishin të ideuara vetëm për teatër, por për lloje të ndryshme aktivitetesh) një mënyrë për të shkatërruar artin dhe për mos t’i dhënë atij rëndësinë e nevojshme.

Si reagoi bota e artit dhe kulturës ndaj politikave të qeverisë karshi artit dhe Teatrit Kombëtar? Ccfarë masash morët? Cc’forme beteje adoptuat?

Protesta filloi në 8 shkurt 2018, duke folur në media, në përpjekje për të bërë transparente gënjeshtrat e qeverisë etj dhe më 15 qershor 2018 u bë e përditshme. Cdo ditë artistë intelektualë etj flisnin në mikrofon në sheshin e teatrit kombëtar për arsyet pse teatri nuk duhet të shkatërrohet. Në vitin 2019 stafi i teatrit kombëtar u largua nga ndërtesa dhe shkoi në një hapësirë të re arti të ndërtuar nga qeveria. Në korrik 2019 u tentua zbrazja e ndërtesës nga gjithcka kishte brenda që të mund të shkatërrohej. Ne nuk i lejuam, kështu që ata vendosën ta bënin atë gjatë natës. Atë natë vendosëm të qëndronim në shesh gjithë natën. Pas disa ditësh ata erdhën me policinë dhe ne luftuam me ta nga ora 7 e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes, kur ata u larguan. Kjo ishte dita kur u futëm në ndërtesë dhe turnet tona 24 orëshe vazhduan deri në ditën kur e shkatërruan atë në 17 maj. Gjatë kësaj kohe ne u kujdesëm për të, u përpoqëm ta pastrojmë dhe filluam një Festival për Mbrojtjen e Teatrit, për ta rijetëzuar atë dhe për të protestuar me art.Më shumë se 70 shfaqje nga e gjithë Evropa dhe Shqipëria natyrisht u bënë pjesë e tij, vullnetarisht . Qeveria na hoqi dritat dhe ujin dhe shfaqjet u siguruan me gjenerator, që furnizohej me paratë e donatorëve, pensionistëve, të njerëzve të thjeshtë etj.

Si e organizuat luftën tuaj? Ccfarë keni bërë gjatë këtij okupimi?

Gjithçka bëhej vullnetarisht. Njerëzit qëndronin në turne (aktorë, profesorë, arkitektë etj). Disa gra të mrekullueshme sillnin ushqim çdo ditë. Ftuam artistë për shfaqje teatri, koncerte, galeri etj. dhe ata ofruan krijimin e tyre vetëm për të na mbështetur, pa para në këmbim, nga Shqipëria, Kosova, etj. Maqedonia, Italia, Austri, Gjermania, Amerika etj… u krijua një kimi dhe jetë e mrekullueshme brenda ndërtesës. Përveç këtyre, ne luftuam gjithë kohën duke u munduar të dërgojmë letra kudo për të sensibilizuar për çështjen tonë, në ambasada, Europë, kontaktet me Europa Nostra, mediat evropiane që kanë shkruar për ne etj.

A ishte kjo betejë e suksesshme?

Po, kjo luftë ishte e suksesshme në shumë mënyra, edhe pse teatri tani është i shkatërruar . Ishte hera e parë në Shqipëri që një protestë ishte aq e pastër në krahasim me të tjera të cilat shpesh përfundojnë “të shitura” sepse ishte horizontale. Nuk kishte kokë, kështu që qeveria nuk mundi ta shkatërrojë apo blejë atë. Ishte gjithashtu më e gjata (tani jemi në muajin e 28) dhe paqësore, bazuar vetëm në argumente dhe zëra intelektualë. Kjo preku shumë njerëz dhe ne bëmë gjithnjë e më shumë mbështetës, , dhe tani mbështetja është maksimale. Ishte fillimi i ndryshimit të diçkaje në mentalitetin e njerëzve, që të protestojnë për të drejtën e tyre si mënyra e vetme për ta fituar atë. Gjithashtu ishte një fitore e madhe që teatri u zgjodh nga Europa Nostra si një monument me vlera historike kulturore dhe arkitektonike për të gjithë Europën, jo vetëm për Shqipërinë.

A e pranoi qeveria zgjidhjen tuaj për problemin?

Qeveria nuk e pranoi zgjidhjen tonë e cila është perfekte për të gjitha palët. Ne mund të restauronim Teatrin Kombëtar me ndihmën e Europa Nostra dhe ata mund të ndërtonin teatrin e ri kudo tjetër.

Na tregoni se si qeveria urdhëroi policinë që ti japë fund okupimit tuaj të teatrit. A mund ta përshkruani natën e ndërhyrjes të policisë në ndërtesë?

Ata shkelën të gjitha ligjet me mënyrën si shkatërruan ndërtesën. Ata shkelën të gjitha ligjet me procedurat (psh Bashkia e Tiranës as nuk e kishte në pronësi ndërtesën e teatrit dhe e shkatërroi, dhe shumë procedura të tjera ishin kundër ligjit) , ata shkelën ligjet duke ardhur të dielën në mëngjes (4 e mëngjesit) në kohë pandemie, me 1500 policë të armatosur, përfshirë forca speciale,ku shumë prej tyre nuk kishin numra identifikues dhe ata e zbrazën ndërtesën nga njerëzit duke i kërcënuar me armë dhe duke i rrahur. Askush nga ne nuk ishte i armatosur. Brenda ndërtesës kishte artistë, nëna, njerëz të moshuar, djem dhe vajza të rinj etj. Fakti më i tmerrshëm është se fadromat filluan të shkatërrojnë ndërtesën me njerëz brenda. Unë personalisht isha në tarracë kur ata filluan prishjen. Kështu që ata ishin shumë të vetëdijshëm për faktin se mund të na vrisnin. E gjitha ndodhi brenda pak minutash.

Si e keni ndërmend të vazhdoni luftën tuaj tani e tutje? mendoni se kjo gjë ka mbaruar? Apo ka akoma gjëra për të cilat mund të luftohet? Cilat janë pikat tuaja të luftës tani?

Ne do të vazhdojmë të luftojmë natyrisht. Ndihemi më të fortë në një farë mënyre sepse nuk ka asgjë për të humbur tani dhe mbështetja është më e madhe, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel europian. Ne do të luftojmë për të rindërtuar teatrin aty ku ishte, ashtu siç ishte. Gjithashtu do të kërkojmë drejtësi për gjithçka ndodhi. Do të luftojmë deri në fund.

Pas gjithë këtyre, cqëndrim keni ju personalisht politikisht ndaj administratës Rama? Si janë trajtuar artistët dhe klasa punëtore në përgjithësi?

Të gjitha hapat e Ramës sidomos vitet e fundit, po na prezantojnë me një diktaturë të re. Ai filloi me simbole (për shembull duke ndryshuar ngjyrën e partisë) dhe pastaj bëri shumë hapa të rrezikshëm dhe të pashembullt për demokracinë … në emër të reformës për drejtësi , e la Shqipërinë pa gjykatë të lartë dhe gjykatë kushtetuese, parlamenti i tij fiktiv votoi pro edhe per ligjin e teatrit qe shkeli Kushtetuten, kështu opozita la parlamentin dhe dogji mandatet. Në vitin 2019 në zgjedhjet lokale shumica e qyteteve kishte vetëm një kandidat, një veprim tipik diktatorial. Ai gjithashtu përfitoi nga pandemia duke dhënë shumë masa të pakuptimta vetëm për të shprehur fuqinë e tij. Prishja e teatrit kombëtar ishte akti zyrtar i vrasjes së demokracisë duke mos respektuar qytetarët, protestën, historinë, ligjin etj … çdo diktator shkatërron në fillim intelektualët dhe artistët për të prerë “kokën” e shoqërisë në mënyrë që trupi të mund të bjerë natyrishëm, këtë po mundohet të bëjë ai.

Do të keni dëgjuar ndoshta për iniciativën e support art ëorkers që po lulëzon këto ditë në Athinë dhe Greqi. (Edhe në pjesë të tjera të botës). Sipas mendimit tim këto lëvizje nxjerrin në pah dy gjëra: a) Artistët janë Punëtorë, b) cfarë lloj arti duam? Si ndiheni për to? a mendoni që lufta juaj dhe kjo luftë janë te lidhura? A mendoni se ato janë rezultati i politikave të ngjashme të qeverive? Dhe cilat janë ato politika me të cilat luftojnë artistët?

Po, kam dëgjuar për të dhe mendoj që ato janë të lidhura. Ne gjithashtu patëm një lëvizje të ngjashme këtu dhe zëri i tyre nuk u dëgjua, kështu që ata më vonë u bashkuan me protestën tonë. Unë mendoj se artistët kanë probleme në të gjithë botën, por mënyra e vetme për të fituar është të luftosh dhe të protestosh. Komuniteti i artistëve duhet të jetë I bashkuar dhe jo I ndarë, për të vënë qeverinë nën presion në mënyrë që ata të kenë dinjitet, mundësi dhe investime. Nëse ne nuk e vlerësojmë veten tonë, askush tjetër nuk do e bëjë.

Cili është mesazhi juaj për kolegët tuaj grekë?

Arti është përtej kombeve, përtej kohës, përtej gjithckaje. Duke përdorur atë si armë dhe mbështetur njëri tjetrin, do të fitojmë gjithmonhë. Ars longa vita brevis.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here