Vota e emigrantëve…

0
90

Nga Ilir Kalemaj

Marrëveshja zgjedhore me kthesat, kurthet, skenat dhe prapaskenat që mbart, por edhe pasiguritë që e shoqërojnë drejt finishit, tregon më shumë me formën se me përmbajtjen.

Pasi përmbajtja nuk është as thelbësore dhe as ka për t’u paraprirë ndryshimeve epokale. Maksimumi është një detantë e përkohshme në pritje të rifillimit të luftimeve. Por së paku mund të na hedhë matanë bregut të hapjes së negociatave ndonëse nuk mjafton se bashkë-shoqërohet me 14 kushtet e tjerë. Të cilët duhen plotësuar po ashtu.

Por pavarësisht debateve teknike në formë por politikë në thelb si ai për kompozimin e KQZ-së, përbërjeve të KZAA-ve, dakordësismit për financimin e partive politike, kurtheve diabolikë të ndalimit të koalicioneve parazgjedhore apo pragjeve 5 përqind që vetëm me demokracinë përfaqësuese në vende si Shqipëria nuk kanë lidhje, është dhe një debat në dukje periferik, mbi votën e diasporës.

Në fakt, si për çështjen e sistemit, për shembull debatin në lidhje me listat e hapura, ashtu dhe për votën e diasporës, mazhoranca në parim flet se është e hapur. Por natyrisht lepuri fle në detaje. Për ta mundësuar votën e emigrantëve në praktikë, dhe jo të bëjnë gjasme dhe të lënë kohën të rrjedhë si pa u kuptuar një sërë mekanizmash ligjorë dhe institucionalë duhet të merreshin qysh dje. Sot është vonë, nesër do të thotë kurrë.

Pasi në thelb është vullneti politik. Nëse ky ekziston, modelet dhe zgjidhjet janë, nuk ka pse të shpikim rrotën nga e para.

Së pari, duke qenë se Shqipëria figuron me 3.4 milionë votues, pra rreth dyfishi i atyre që realisht votojnë dhe rreth gjysëm milioni më shumë se krejt numri i përgjithshëm i shqiptarëve që realisht jetojnë në Shqipëri duke përfshirë fëmijë etj., është krejt i mundshëm që koncepti i zgjerimit të së drejtës së votës bazuar në listat zgjedhore të shtrihet dhe aty ku jetojnë emigrantët shqiptarë.

Sepse natyrisht ata që kanë mundësinë, luksin dhe dëshirën për të marrën tragetin apo avionin dhe ardhur për të votuar e kanë bërë këtë tashmë. Ideja është të mundësohen të pamundurit. Ku përfshihen natyrisht dhe ata pa adresa fikse, studentët etj.

T’u kërkosh çdo emigranti shqiptar në emigrim adresa fikse, apo të votojnë në ambasadat apo konsullatat tona, është t’u heqësh të drejtën e votës një pjese të mirë syresh, apo të sabotosh procesin qysh në fillim. Në fakt, vota mund të mundësohet nëpërmjet votimit me postë. Pasi kushtet për votim online nuk ekzistojnë për momentin përvecse është në teori më i manipulueshëm.

Listat e konfirmuara dhe shpallura paraprakisht nga KQZ ku cdo votues shqiptar me banim jashtë vendit mund të gjejë veten, t’i nisë kërkesën me postë apo email KQZ-së, të presë të marrë zarf të paguar nga kjo e fundit me zarf të dytë me vulat përkatëse brenda, te votojë deri në 15 ditë para ditës së votimit në mënyrë që të përballohet me sukses fluksi, janë disa nga zgjidhjet e propozuara që mund ta bëjnë realitet votën e emigrantëve. Por dhe të japin garancitë që do të numërohet siç duhet.

Vota e emigrantëve mund të ketë një zonë të veçantë zgjedhore, zonën e trembëdhjetë nëse i qëndorjmë formulës me dymbëdhjetë qarqe. Për numrin e deputetëve të gjeneruar mund të ishin diku te 3-4, ku nga një për Greqi dhe Itali si dy vendet me numrin më të madh të emigrantëve duhet të ishin të padiskutueshme. Këto janë vetëm disa ide modeste se si mund të ketë më pak demagogji dhe më tepër konkretizim të ideve se si vota mund të jetë më gjithëpërfshirëse, më përfaqësuese dhe të arrihen afatet kohore. Gjithnjë nëse ka vullnet politik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here