“Lollipop” me urdhër partie! Kamera e fshehtë që shfaqi lakuriq realitetin rilindas!

0
147

Nga Gëzim Saliu

Një kamer e fshehtë rrëzoi përtokë propagandën e kamufluar për demokracinë e brendshme në partitë politike!

Një kamer e fshehtë, që përtej humorit, na shfaqi trishtueshëm, ashiqare, krejt lakuriq, realitetin e funksionimit të një partie politike, të një force që është në drejtimin e vendit prej 7-vitesh.

Një kamer e fshehtë që i jep përgjigje njëkohësisht pikëpyetjeve të një pjese të shqiptarëve që ende besonin se PS ishte një parti mirëfilltazi socialiste!

Krejt e kundërta, ajo kamerë e fshehtë vërtetoi katërcipërisht se PS nuk është më, “Rilindja” ka shtrirë tentakulat e saj në çdo korridor, zyrë e hapësirë të asaj partie.

Mjeshtërisht Ismet Drishti dhe ekipi i tij ngritën një “kurth” gazmor për deputetin socialist Musa Ulqini. Duke u hequr si përfaqësues të ISSH ata e morën në telefon deputetin dhe duke i pohuar se kishin marrë urdhër nga kreu i grupit parlamentar Taulant Balla , theksuan se do t’i bënin atij një test nëse rezultonte i prekur ose jo nga koronavirusi.

Deputeti as nuk guxoi të dyshoi sapo mori vesh se nga vinte urdhri! Ai tërhiqet në një cep rruge te Komuna e Parisit, dhe për të bërë gjoja testin e Covidit19, merr në gojë një lëpirëse!

E gjithë skena godet për shkak edhe të personazhit! Kjo nuk ka të bëj aspak personalisht me profilin e Musa Ulqinit si njeri, i cili për hir të së vërtetës mund të jetë ndër të paktët e grupit rilindas që nuk i është përfshirë emri as në afera korruptive e as për lidhje me njerëz të botës së krimit!

I gjithë diskutimi ka të bëjë me Musa Ulqinin si politikan, si deputet i PS.

Ulqini është personifikues i një grupi të cilësuar si “socialistët tradicionalë”, gjithnjë e më të paktë në numër te “Rilindja”.

Nëse kjo kamer e fshehtë do kishte si subjekt të saj një nga “ushtarët” rilindas të përfshirë rishtaz në parti pas “purpurizimit” të saj, me siguri buja e gjithë çështjes nuk do ishte kaq e madhe.

Por Musa Ulqini është një nga përfaqësuesit tradicionalë të PS, me kontribut shumë vjeçar në parti, shumë kohë para edhe sa vetë angazhimit të kryetarit aktual të kësaj force Edi Rama.  Ai u largua nga partia për t’u rikthyer aty pas një ftese të beftë të Ramës.

Dhe kur një deputet me një bagazh parlamentar 20-vjeçar, shkon deri aty sa llomotit një lëpirëse në gojë thjesht se ky është urdhri i shefit të grupit parlamentar, çështja humbet madje edhe notat e humorit.

Gjithçka bëhet trishtuese!

E dhimbshme madje!

Demokracia e brendshme në këtë parti nuk ekziston më prej kohësh! Ajo u venit nga PS fill prej shtatorit të 2013-ës, kohë kur kjo forcë erdhi në pushtet nën logon e “Rilindjes”! Dhe u zhduk tërësisht në 2017-ën, kohë kur Rama dhe ‘të bindurit’ e tij morën tepsinë e pushtetit krejt të vetëm.

Një forcë politike që për 20 vite ka qenë jo pak herë shembull për zërin kritik brendaj saj, për debatet e zjarrta, për ‘kryengritjet’ e panumërta ndaj kryetarit, sot është kthyer në një “varrezë” të lirisë së mendimit dhe shprehjes.

Askush nuk flet dot ndryshe nga kryetari!

Askush nuk guxon të kundërshtojë urdhrin e tij!

Askush nuk guxon të shprehë publikisht qoftë edhe një opinion kritik! Kush ka provuar në këto vite, e ka pësuar keq.

“Rilindja” është kthyer në një sekt, ku qartazi është fshirë çdo normë dhe vlerë e një partie perëndimore.

E megjithatë më e dhimbshmja në gjithë këtë që na u ofrua nga ajo kamer e fshehtë ishte pamja e deputetit socialist i cili për shkak të urdhrit të supozuar partiak ju bind këshillave të dy personave krejt të panjohur!

Thjesht për mos bërë dysh urdhrin e shefit, deputeti  pa kërkuar sqarime, pranoi poshtërimim në një cep rruge, për të marrë në gojë lëpirësen si test ndaj koronavirusit, për të provuar nëse ai ende ka shije apo jo!

A e kuptoni ku jemi!!!

Kjo skenë i kaloi kufijtë e humorit. Ajo ishte një pasqyrim trishtues i realitetit politik, ku në këtë Parlament mjeran që kemi sot, edhe ato ligjvënës me ekspertizë, madje me tituj profesorë e doktor shkencash, detyrohen të radhiten në radhët e “turmës”. Ndryshe nuk kanë vend, as në parlament e as në parti.

Kryetari urdhëron, ti vetëm zbaton! Kjo është deviza rrënuese e partive politike në vend, e cila padyshim gjen zbatimin e saj më konkret në partinë në pushtet!

Thjesht nga bindja e verbër ndaj partisë, nga detyrimi për zbatim të urdhrit të shefit, deputeti ka humbur çdo pikë të profilit personal. 

Kjo është fryma që po mbyt PS-në! Kjo është metodika ‘rilindase’, që duhet ndjekur, pa debatuar!

Kjo frymë është ajo që detyron ligjvënësin, që pa e kuptuar shkallën e idiotizmit të veprimit që bën, ta zbatojë urdhrin partiak, pa asnjë dyshim e diskutim!

Qoftë edhe kur ky urdhër të kërkon të mbash “lollipop” në gojë si test ndaj shijes!

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here