Rama merr borxh për të larë borxhet dhe e quan sukses….

0
137

Kryeministri Edi Rama prezantoi dje me gjithë bateritë e propagandës rilindase marrjen e 650 milionë eurove borxh, si një sukses të madh të qeverisjes së tij. Kryeministri deklaroi se marrja e borxhit është një arritje qeveritare, pasi në krizën që ka kapur shumë vende të botës, ekonomia e Shqipërisë shihet si mjaft e besueshme. Gjithashtu kreu i qeverisë shtoi se këto para do të përdoren për rindërtimin dhe zhvillimin e ekonomisë. Ministri Arben Ahmetaj shkoi dhe më tej në qëndrimet e tij, kur tha se ky borxh është një tjetër sukses i madh që qeveria arrin pas parave që mori në konferencën e donatorëve për tërmetin. Në fakt në muajin shkurt qeveria mori 1 miliard euro ndihma nga komuniteti ndërkombëtar, por shumica e tyre, rreth 900 milionë euro ishin kredi dhe borxhe. Pra, dhuratë ishin vetëm projektet që ndërtoheshin nga vet shtetet ndihmuese, ndërsa paratë ishin të gjitha borxhe.
Në këtë linjë edhe eurobondi i marrë së fundi nga Edi Rama është një borxh që do të kthehet pas në çdo qindarkë, përfshirë dhe interesat. Kryeministri deklaroi se suksesi i parë është fakti se pas pandemisë Shqipëria është ndër ekonomitë e pakta që i jepet borxh. Në fakt, Serbia para dy javësh mori 2 miliardë euro borxh dhe Maqedonia e Veriut mori 700 milionë euro. Në ndryshim nga qeveria “Rama”, qeveria në Serbi e mori borxhin me një interes shumë më të vogël. Në “suksesin” e Edi Ramës për ekonominë ka dy probleme të mëdha. I pari, është fakti se në gati 8 vite qeverisje, qeveria e tij ka marrë më shumë borxh se çdo qeveri tjetër paraardhëse. Borxhi në Shqipëri llogaritet se arrin në rreth 10 miliardë euro, shifër kjo e lartë se çdo qeveri tjetër pararendëse. Ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se edhe kostot e koncesioneve projekteve Partneritet Publik Privat (PPP) llogariten si borxhe. Me këto shifra, qeveria e Edi Ramës që erdhi me premtimin se do të shlyente borxhin që kish marrë qeveria “Berisha”, rezulton se e ka trefishuar atë. Sot duket se jemi në pikën kur qeveria do të detyrohet të marrë borxh për të larë borxhet.

Problemi i dytë dhe me serioz me suksesin e Edi Ramës në ekonomi është mënyra sesi po përdoren paratë që merren borxh. Gjatë gjithë viteve të qeverisjes nuk ka pasur asnjë projekt madhor dhe asnjë investim të rëndësishëm në infrastrukturë. Në mënyrë paradoksale dhe ato projekte që po investohen financohen me paratë e marra borxh. Skema e PPP-ve është ndërtuar në mënyrë të tillë, që oligarkët marrin para nga buxheti i shtetit për të kryer investime. Për sa kohë që ekonomia nuk prodhon dhe buxheti s’ka parë shtesë, e vetmja mënyrë për të financuar oligarkët janë borxhet. PPP dhe koncesionet janë cilësuar tashmë si skema të mirëfillta korrupsioni ku përfitojnë ata që i japin në qeveri dhe 10-15 biznesmenë të mëdhenj. Teksa kryeministri e quajti marrjen e boxhit si sukses, të vetmit që mund të cilësojnë kështu janë oligarkët që tashmë do të kenë mundësi të marrin miliona të tjera. Qeveria po merr borxh në emër të qytetarëve shqiptarë dhe këto para nuk përdoren për investime që do të sjellin zhvillimin e ekonomisë, por për projektet e oligarkëve. Rritja e borxhit publik të qeverisë “Rama” është një barrë që do të rëndojë mbi çdo qytetarë të këtij vendit. Do të paguhen më shumë taksa dhe më shumë të ardhura që do të hidheshin për zhvillimin e vendit do të shkojnë për të shlyer interesat e kredive që ka marrë kryeministri Edi Rama. Çdo qeverie që do të vijmë më pas, Edi Rama po i lë një gropë të madhe në biznes me pasoja për ekonominë. Para se të mendojnë për projektet dhe investimet, qeveria tjetër do të ketë një mal me fatura borxhesh që shkojnë për projektet korruptive të PPP-ve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here