Fuga: Të mos jetë revolta e mamave!

0
99

Një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare në Babrru më në fund u rrëfen prindërve se nën presion, nën dhunë psikologjike, nën shantazh, nën përndjekje nga një mashkull me një moshë mbi katër herë më të madhe sesa e saj, në bashkëpunim me djem të tjerë që përfitojnë, njëherazi komshi, por edhe dikur roje i shkollës ku ajo mësonte, kishte qenë e detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe bashkëpunëtorët e tij. Madje, sikurse lihet paksa në harresë, vajza e gjorë dëshmon se ky njeri e kishte kryer këtë akt dhe veprimtari kriminale edhe me dy shoqet e tjera të saj.

Pra, dukuria nuk është një rast i izoluar. Vajza nuk ka guxuar as të rrëfehet më parë, as të kërkojë mbrojtje, as të kundërshtojë, sepse sigurisht është ndier e vetmuar, e pakuptuar, e pambrojtur, e turpëruar, dhe është shprehur vetëm atëherë kur nuk ka duruar dot më. Vuajtjet e saj, mendimet e saj të heshtura, durimi i saj i lënguar, nënshtrimi i saj, duhet të kenë qenë në kufijtë e një tragjedie të madhe.

Pa hyrë në detajet e kësaj ngjarjeje, duhet të mos kesh asnjë njohuri nga sociologjia që të kujtosh që kjo është një ngjarje e veçuar. Dukuria e presionit psikologjik ndaj vajzave, por edhe ndaj djemve adoleshentë për përfitime erotike ose të tjera, duhet të jetë sigurisht jo e izoluar në dy apo tri raste. Duhet të ketë patjetër një botë të nëndheshme të fshehur, të pathënë, të patreguar, të pambrojtur për rrjedhojë, që ekziston atje tej e pakonstatuar nga media, shkolla, prindërit, familjet. Nuk mund të bëj hamendje të kota, sepse do të kishte qenë e patolerueshme për mua, por kam disa supozime të mbështetura dhe jo në ajër.

Lexo edhe :  Gazeta Fjala, e enjte, 27 shkurt 2020

E para, nga studimet e sotme në vendet perëndimore, në web, për shembull, ka të dhëna që një në katër ose në pesë adoleshentë, djem ose vajza, marrin propozime ose ndodhen të ekzpozuar ndaj qëllimeve të predatorëve seksualë ose të tjerë. Nuk ka arsye që kjo dukuri e përbotshme të mos ketë ekuivalentin e vet në Shqipëri, në këtë ose atë masë, por te ne as studime nuk ka në këtë fushë, as teknikat e matjes dhe vlerësimit të dukurisë nuk e kanë kaluar në përgjithësi statusin e amatorizmit.

E dyta, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes që kur bëhet fjalë për web-in për shembull, ne nuk kemi një e-policing të zhvilluar, të njohur dhe të përgatitur që të bëjë ndjekjen e keqbërësve digjitalë ndaj fëmijëve, adoleshentëve, përgjithësisht të miturve.

E treta, sepse edhe ligjet tona janë të kohës së qepës në këtë drejtim, aq sa edhe konceptet juridike të fajit si krim ndaj të miturve janë kaq klasike, kaq të vjetruara, sa nuk lejojnë një parandalim profesional të këtij krimi monstruoz!

Do të duhej të shihet legjislacioni në këtë fushë, të cilin kam pasur rastin ta studioj, dhe kam vënë re që është në gjendje krejt për të ardhur keq. Aktet kriminale me atë legjislacion nuk specifikohen si duhet, profili i keqbërësit nuk dallohet si duhet, pesha e përgjegjësisë të keqbërësve nuk diferencohet si duhet, aktet kriminale nuk janë të ndarë dhe dallueshëm, sipas shkallës dhe formës të tyre të detajuar etj. Me një fjalë, një situatë që me boshllëqet juridike që përfaqëson e lehtëson kriminelin dhe e bën të rrezikshme sigurinë trupore, psikologjike të adoleshentit. E theksojmë këtë, sepse përpara dy a tri ditësh, ndoqa një takim grash deputete që në Kuvendin e Shqipërisë shprehnin keqardhjen, shqetësimin, revoltën për atë shantazh të shoqëruar me abuzim seksual me adoleshenten nga Babrruja. E kuptova reagimin e tyre. Natyrshëm shprehnin zemërimin e tyre. Por, më shumë i pashë si mama të shqetësuara për vajzat e tyre, sesa si ligjëvënëse. Përse e theksoj këtë gjë? Sepse njëra prej tyre madje u shpreh: «Mendo sikur të ishte vajza ime?» Po, dakord, duhet menduar si për vajzën e vet. Por, na është bërë e modës tashmë që dëgjojmë deputetët që personalizojnë shumë çështje. Këtu nuk është fjala të mendojmë thjesht si nëna, megjithëse kjo nuk përjashtohet! Unë do të prisja që zonjat deputete të shprehnin zemëratën e tyre, indinjatën e tyre, revoltën e tyre. Dakord! Njerëzore. Por, unë si qytetar pres, edhe si studjues, si pedagog, që ato të kishin kryer një studim, të kishin një vështrim krahasues midis legjislacionit tonë dhe legjislacioneve të vendeve të përparuara për të parë se çfarë zbrazëtish, cfarë honesh të pambuluara me akte normative ne kemi në këtë fushë. Në vend të një revolte mamash të shqetësuara, në vend që të thërrisnin : «Po qe se nuk merren masa, ne dorëzojmë mandatet e deputetit!», në të vërtetë duhet të bëjnë pikërisht punën e kualfikuar të ligjvënëseve. Një tjetër deputet, e sheh zgjidhjen e problemit tek ashpërsimi i masave dhe te rëndimi i dënimeve për abuzuesit me fëmijët! Por, harron të shohë pikërisht atë boshllëk që ka lënë në legjislacion dhe që pengon edhe vetë kualifikimin e krimeve kundër fëmijëve. Të marrësh pjesë në një protestë në bulevard me plot vajza dhe gra nuk është veçse mirë, ndonëse protesta pa dashur e largon vëmendjen nga protesta e mbrojtësve të Teatrit të shkatërruar, pas sulmit të dhunshëm ushtarak ndaj tij. Protestat janë të mira, por nuk mjaftojnë. Ato nuk sjellin asgjë, nëse nuk shoqërohen me masa institucionale dhe ligjore. Aq më pak nuk kuptohet se kundër kujt drejtohet protesta. Armiku duket si i padukshëm, i papërkufizuar. Kryeministri i vendit në seancën e fundit parlamentare iu vërsul edhe deputeteve femra, sepse, sipas tij, duke e bërë publik rastin, sikurse edhe media, sipas tij, në fakt, po e dhunonin për herë të dytë vajzën nga Babrruja!!!

Por, çfarë të bëjë opinioni publik, të heshtë?

Të heshtë që gjoja të mos bëhet publik identiteti i vajzës dhe të mbrohet ajo? Sigurisht kjo duhet bërë me kujdes. Pra, të mbrohet privatësia e adoleshentes. Por, duke mos folur, jo ajo që rrezikon shumë qenien e vet, por edhe mijëra vajza dhe djem të tjerë rrezikojnë po ashtu të dhunohen, abuzohen si ajo. Dhe këtu argumenti: «mos e bëni publik rastin» është një mekanizëm mbrojtës i dukurisë abuzuese. Sepse reagimi i opinionit publik veçse e ndihmon atë vajzë. Rastin e saj e njihte tashmë e gjithë lagjja dhe askush nuk e ndihmonte. Rastin e saj e njihte deri diku edhe familja. Sikurse raporton vëllai i saj që, me dhimbje, rrëfen presionet që ai kishte ndier nga ana e abuzuesit. Rastin e saj e njeh tanimë policia, dëshmitarët, familjarët, do ta njohin avokatët, do ta njohin gjyqtarët, shkolla, e njohin të gjithë shkollarët që mësojnë bashkë me të. Pra, opinioni e njeh. Madje, edhe në media kanë ardhur vetë familjarët për të rrëfyer, sepse ashtu e kanë gjykuar, sepse duan mbrojtje pikërisht nga ana e opinionit publik. Pra, çështja ishte bërë publike, ashtu sikurse nuk duhej. Si mjedis mbytës për vajzën. Tani e gjen kryeministri ndëshkimin e bërjes publik të rastit, kur publiku ka dalë në mbrojtje të saj?! Viktima nuk mbrohet duke mos folur për rastin, sado duhet ruajtur identiteti i saj, por duke e marrë nën mbrojtje, duke i dhënë siguri se ajo nuk është aspak fajtore, por është viktima që duhet ndihmuar dhe drejtësia të shkojë në vend! Në vend që kryeministri të kërkojë pikërisht të shqyrtohet legjislacioni në fuqi që të plotësohet dhe emancipohet ai, në vend që të kërkojë analiza të thelluara për gjendjen e nënshtruar të vajzave dhe djemve në shkolla, për presionin që kryesisht femrat, por edhe meshkujt, pësojnë nga njerëzit me pushtet, nuk gjen tjetër veçse të thotë: Edhe Kisha Katolike gërryhet nga pedofilia!!!

Lexo edhe :  Fuga, Ramës: Do të na mbajë me bukë turku? Çfarë turpi

Çfarë mënyre argumentimi!!!

Është bërë zakon për propagandën në pushtet që sa herë plas ndonjë skandal apo del vetëm ndonjë pjesë dytësore e realitetit të dhimbshëm social në Shqipëri, ta krahasojë duke dashur ta legjitimojë këtë, me ndonjë gjë të ngjashme, por të pakrahasueshme, me ndodhi apo dukuri diku jashtë vendit! Çfarë do të thotë ky lloj argumentimi? Meqë Kisha Katolike e njeh dukurinë e pedofilisë, atëherë edhe ne duhet ta konsiderojmë atë si një dukuri fatale, që në shkollën tonë pedofilia të bëjë viktima? Se nëse nuk është kështu, atëherë për çfarë arsyeje përdoret ky argument fatkeq? Ndërkaq, po qe se bëjmë krahasime, dihet që vetë papa, Kisha Katolike si institucion, jo vetëm kërkon falje për këto raste të kryera nga priftërinj që kanë abuzuar me detyrën dhe misionin e tyre, me betimin e tyre, por edhe nuk kanë munguar në botë pikërisht raste mediatizimi të krimeve të kryera, dënime, si edhe mobilizim të opinionit publik në mbrojtje të viktimave. Opinioni publik ka shumë të drejtë që është i shqetësuar dhe i revoltuar lidhur me abuzimin që u bëhet adoleshentëve. Dalja në shesh e tyre është e justifikuar. Megjithatë, më ka bërë përshtypje, sepse një pjesë e sloganeve që lexohen në pankarta pa dashje shprehin pikërisht një farë legjitimimi të dukurisë të abuzimit me djemtë dhe vajzat, sidomos me vajzat adoleshente që dëshmohen në rastet e konstatuara.

Në ndonjë pankartë lexohet pak a shumë: «Më mbro, eduko djalin tënd!»

E drejtë është që shoqëria duhet t’i mbrojë vajzat, por edhe djemtë nga abuzimi seksual, ose nga çfarëdo tjetër forme dhune mbi ta. Megjithatë, ideja që viktimat duhen marrë nën mbrojtje nuk mjafton. Ajo është shumë e rëndësishme, por është gjysma e rrugës. Një i mitur pakvjeçar sigurisht duhet mbrojtur. Por një djalë adoleshent, një vajzë adoleshente, jo vetëm duhen marrë nën mbrojtje, por u duhen dhënë të gjitha instrumentet ligjore, psikologjike, arsimore, edukative, sociale për t’u mbrojtur edhe vetë. T’u japësh adoleshentëve vetëm statusin e të marrëve në mbrojtje dashje padashje është më shumë një frikë mamash për gocat e tyre, e kuptueshme, por e pamjaftueshme. Shoqëria duhet t’i emancipojë ata, sepse ndodh që përdhunuesit, dhunuesit, ata që i deprimojnë mund të ndodhen edhe brenda familjeve të tyre. Këtë e tregojnë shumë statistika. Shpesh dhunuesit janë pikërisht ata që duhet t’i mbrojnë. Kush do t’i mbrojë adoleshentët nga mbrojtësit? Por, edhe nëse mbrojtësit janë vigjilentë, nëse adoleshentja dhe adoleshenti nuk janë të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre, nëse nuk jetojnë dhe mësojnë në një mjedis të sigurt, të mbrojtur, ata kurrsesi nuk mund të mbrohen nga mamatë. «Eduko djalin tënd!». Po djali mund të jetë edhe ai vetë objekt i abuzuesve pedofilë apo të tjerë. Një vajzë nuk e realizon dot mbrojtjen e saj vetëm nëse djali, ose burri, nuk abuzon, e dhunon, ose përdhunon atë, por kur ajo vetë, mbi të gjitha është e zonja që të gjithë individëve që e rrethojnë t’u tregojë vendin, nëse këta shkelin qoftë edhe një fije dinjitetin e saj, jo më ta përdhunojnë ose të abuzojnë me të. Një viktimë e marrë nën mbrojtje, sado sinqerisht, sado që të ndihmohet, nëse mbetet vetëm brenda këtij statusi, është gjithmonë e rrezikuar, është përherë një shpirt i nënshtruar, është gjithmonë në dorën e edukatës që mamatë e tjera u japin djemve të tyre, është e pambrojtur përpara rojës së shkollës abuzues dhe pedofil!

Po qe se kjo gjë nuk kuptohet, atëhere ne përsëri ndikojmë të formësohen shpirtra të nënshtruara si kusht paraprak që lehtëson abuzuesit. Më vjen ndër mend një shembull që jep Paul Watzlavics, në një libër kushtuar logjikave të komunikimit, kur përpiqet të shpjegojë natyrën skizofrenike të mjaft akteve të komunikimit. Në një moment nëna sheh që vajza i është rritur aq sa nuk mund ta trajtojë më si fëmijë. Dhe i thotë paksa e inatosur, sepse konstaton që ajo nuk ka asnjë iniciativë : «Mjaft tani, je e madhe, mos prit që për çdo gjë të të jap urdhër unë!» Pra, pikërisht në momentin që i thotë se nuk do të kesh më urdhra nga unë, pikërisht atëherë, i jep një urdhër tjetër asaj, një urdhër të çuditshëm, sepse është urdhri që e urdhëron të mos presë më urdhra! Paul Watzlawicks kështu shpjegon pozitën e çuditur dhe toruan e humbur të vajzës, e cila, sigurisht që vazhdon të sillet si fëmijë, sepse kur e urdhërojnë të mos sillet si fëmijë, në fakt, vazhdojnë ta trajtojnë si fëmijë!!! E njëjta situatë është kur kërkojmë të marrin nën mbrojtje viktimat e abuzimit seksual. Duke i konsideruar si të marra nën mbrojtje, ne u akordojmë atyre pa dashje rolin e përhershëm të viktimës. Të rinjtë e të rejat tanë kanë nevojë të mbrohen, por më shumë të jenë të rrethuar me institucione që u japin siguri, dhe të kenë të drejta! Ta lëmë Kishën në shenjtërimin e vet, por a ka shkolla kabinet psikologjik për të siguruar shërbimin psikologjik moshor ?

Ta lëmë pedofilinë e priftërinjve, a kanë këshilltar për jetën intime në shkolla adoleshentët tanë?

T’i lëmë mamatë e turbulluara në ankthet e tyre, a do të specifikohen si duhet krimet e abuzimit me të miturit?

T’i lëmë moralizimet, a promovojnë botime për të përgatitur të rinjtë kundër dhunuesve të tyre institucionet tona arsimore, duke përfshirë edhe dikasterin e arsimit?

T’i lëmë qentë e çakejtë në punën e tyre, a ka seksione në komisariatet lokale të specializuara kundër krimit e abuzimit me fëmijët?

T’i lëmë përrallat oratorike të një politike bosh, a kanë të drejta individuale adoleshentët tanë, të rinjtë tanë, të shkruara në statutet e shkollave dhe universiteteve tona? Gjendja është e mjerueshme.

A ka standarde të zbatueshme për të bërë karrierë pas mbarimit të shkollës? Gjendja është për të qarë hallin!

Çdo femër ndodhet përpara rrezikut që burri prepotent të kërkojë të kalojë nëpër trupin e saj përpara sesa ajo të bëjë hapat e para në karrierë.

Një histori dramatike që po t’i heqësh një petë lakrorit do të shohësh se byreku është i mbushur me hithra djegëse!

Aq sa nuk mund të mbulohet me petën: «E mo, se edhe në Kishën Katolike ka pedofilë!»/Fjala.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here