Standard.al

Reagon ashpër eksperti i arsimit: Kodhelistë e Shahinistë, mos e fusni në gojën tuaj fjalën mësues…

0

Nga Albano Zhapaj

Kur pushteti të merr nga ‘mësues misionar’ e të kthen në ‘mësues rrogëtar’!

Rasti më famëkeq i përçundimit në një shkollë të figurës dhe jetës së një nxënësje e bije shqiptarësh, turpërisht i përsëritur edhe në shkolla të tjera të vendit në këto shtatë vitet e fundit, provokoi reagimin mëse të natyrshëm të opinionit të shëndoshë të shoqërisë shqiptare dhe daljen e tij në mbrojtje të fëmijës, familjes dhe të jetës.

Balashërisht*(nga fjala shqipe balash) pati edhe reagime nga pushte(tare) e pusht(etarë) të lartë të kësaj kaste drejtuese të këtij vendi, të cilët të ndjerë për të disatën herë të menderosur, u përpoqën të sfumojnë, dobësojnë, e më pas spostojnë vëmendjen nga ngjarja, tashmë e kthyer në fenomen për ta, duke vënë gishtin e fajit tek mesueset, tek veshja e tyre, tek buzëkuqi, që gjasme nuk i lënkërkan kohë mesueseve të mendojnë për edukimin.

Cila je ti moj zonjë pushte(tare) apo ti gjasme zonjë ministre apo ish ministre që vihesh në rolin e Zotit dhe gjykoke me gishtin e fajit misionin e shenjtë të mësuesve, duke e përgjithësuar rastin e heshtjes dhe paaftësisë së disa mësuesve të tu rrogëtarë, me gjithë mësuesit dhe mesueset tona misionarë të edukimit dhe të dijes?!

A nuk kemi edhe ne të drejtë që me të njëjtën logjikë që gjykoni veshjen dhe buzëkuqin e mesuesve, t`iu kërkojmë se përse nuk provoni të gjykoni vetveten dhe shoqet tuaj në parlament, që mbasi kaloni nga dy orë në ditë tek parukierja, mbasi bëni manikyr e pedikyr, mbasi dilni shoping në boutique-t e luksit, mbasi shkoni një xhiro deri tek koncensionari te shikoni ngjyrën e makinës që keni porositur, pa bëni edhe një shëtitje nëpër qendër që t`iu shikojnë veshjet firmato të ditës, ju duhet më tej edhe të shkoni në parlament të lexoni, të studioni, të analizoni, të nxirrni përfundimet dhe më pas të votoni për ligjet që rregullojnë jetën tonë e që mbrojnë fëmijët tanë.

Të jemi e të jeni thellësisht të bindur që nëse ky sistem shoqëror, sepse ai qeverisës është i kalbur, mbart akoma disa vlera shoqërore e morale dhe qëndron akoma në këmbë, kjo është meritë e pjesës më të shëndoshë të edukatorëve dhe mësuesve tanë, që profesionin e tyre e shikojnë mbi të gjitha si mision, dhe punojnë me përkushtim e devotshmëri për të përcjellë më të mirën tek fëmijët, si dijen ashtu edhe edukimin.

Natyrisht që mësueset do të vishen edhe bukur, hijshëm, kuptohet me aq sa i lejon rroga e tyre mizerabël, sepse me punën dhe taksat e tyre, për ju pushtet(aret), paguhet luksi juaj, makinat tuaja milionashe, Armanët e Dolce-Gabanat tuaja, e pse jo, arroganca dhe injoranca juaj. Nuk duhet të harrohet kurrë, në asnjë lloj kohe që Mësuesi Misionar mëson, edukon dhe udhëheq me shembullin e tij mbi të gjitha.

Mësueset nuk kanë detyrë të bëjnë vetëm ditarin dhe të plotësojnë raportet e statistikave që ju shisni për arritje, por kanë mision të përcjellin edukatën, kulturën, klasin, shijen ndaj së bukurës, shijen ndaj vlerave dhe vityteve më të mira, dhe natyrisht që ky mision nuk parashikohet në librat tuaja të keq përkthyera, me të vetmin qëllim; për të rrjepur lekët e fëmijëve shqiptarë nëpërmjet Altertekstit.

Mos kujtoni se mësuesit nuk e dinë se milionat tuaja dalin nga Alterteksti juaj, mos kujtoni se ato nuk e njohin injorancën tuaj, e njohin dhe e përçmojnë madje, por vazhdojnë në heshtje e përkushtim në punën e tyre sepse s’mund t’i lejojnë vetes të devijojnë nga qëllimet e misionit të shenjtë të mësimdhënësit.

Por siç dihet, preambula e injorancës dhe arrogancës së pushte(tareve) e pusht(etarëve) është që të zgjerojnë rrethin e tyre mbështetës, mbrojtës dhe privilegjues, gjë të cilën ju e keni realizuar duke goditur fort trupën mësimore dhe edukative, boshtin mbajtës dhe trasmetues të vlerave tona kulturore, pjesën më të shëndetshme pa të cilën një shoqëri nuk siguron dot vazhdimësinë, Mësuesit dhe Edukatorët tanë, ata më të devotshmit, më të përgjegjshmit, më të brishtët, më të përkushtuarit.

Nxorrët në rrugë me marifetet tuaja mësuesit misionarë, dhe i zëvëndësuar me mësuesit tuaj rrogëtar, ata që ju bëjnë fresk tek oborri i partisë, ata që ju plotësojnë evidencat dhe statistikat ashtu siç i doni ju, ata që shkollën e shikojnë si një vend ku mund të marrin një rrogë, ku mund të kenë ca privilegje si drejtorë, ku mund të punësojnë ca të tjerë si ta, qofshin mësues, sanitarë apo rojë, dhe që kanë çuar sistemin arsimor në këtë farë derexheje, ku familjet shqiptare çdo mëngjes i çojnë fëmijët në shkollë, ashtu siç ai bariu çon cjapin tek kasapi.

Shtetarë e pusht(etarë), deputete e deputetë, ministre dhe ministra, kodhelistë e shahinistë, një lutje kemi: mos e fusni në gojën tuaj fjalën mësues apo mësuese, sepse pikërisht në këtë moment nuk keni të drejtë ta bëni, nuk keni të drejtë ta njollosni, nuk keni të drejtë ta bëni pis, qëndrojini larg, sa më larg që të mundeni, tërhiquni në kulën tuaj të injorancës dhe shijoni në të drejtën tuaj frytet e saj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.