Komisionet zgjedhore me njerëz nga administrata? Njësoj si ti varësh ujkut, mëlçitë në qafë!

0
117

EDITORIAL ✍️

Administrata Zgjedhore është pika që ndan maxhorancën dhe opozitën për të arritur një marrëveshje konsensuale për  reformën elektorale. Djallëzisht, duke ju referuar rekomandimeve të ODIHR, PS po luan kartën e depolitizimit të komisioneve.  Kështu maxhoranca ka shprehur dakordësi për përbërjen e KZAZ-ve me tre anëtarë, ashtu si edhe Komisionet e Qendrave të Votimit propozohet që të kenë tre anëtarë jopolitikë.

Opozita e ka kundërshTuar këtë formulë, pasi qartazi ajo nuk jep garancitë e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Kjo për shkakun e vetëm se komisionerët e pavarur që do të vijnë nga administrata, janë lehtësisht të shantazhueshëm nga pushteti. Nga ana e saj, opozita e bashkuar propozon që komisionet vendore të administrimit të zgjedhjeve të përbëhen nga 7 anëtarë, nga të cilët, 3 të jenë anëtarë të pavarur, jo vetëm nga administrata, por dhe juristë e avokatë, njerëz të profesioneve të lira. Përveç këtyre 3 anëtarëve,  opozita e bashkuar propozon që në këto komisione të ketë edhe 4 vëzhgues, 2 nga PS dhe 2 nga PD me të drejtë shënimi në procesverbalin e çdo kutie.

“Hi syve”

PS po kërkon t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve me çështjen e administratës zgjedhore, duke pretenduar se Shqipëria është Danimarkë, Francë apo edhe ndoshta Amerikë! Kush nuk e kupton këtë lojë fare naive të rilindasve, ose jeton në një realitet tjetër ose i intereson t’i qëndrojë në krah pushtetit.

Si mund t’i besohet administrimi i votimit, që nga marrja e votës nga kutitë e deri te numërimi i saj, administratës publike? E dini ju zonja dhe zotërinj ambasadorë se ku po ushrroni aktivitetin tuaj? A nuk jemi të gjithë të vetëdijshëm se pjesa më e madhe  qyettarëve që janë të punësuar në administratë, janë aty pikërisht në saj të militantizmit politik. Fare qartë edhe për pjesën tjetër mininamiliste, që ka mbetur e pa politizuar në administrate: si mundet ajo mos i bindet urdhrave të partisë, kur shantazhohet me vendin e punës? Përgjimet e dosjeve “184” dhe “339” vërtetojnë më së miri këtë!

Kush ka memorie të shkurtër, i rikujtojmë se Rilindja investimin e parë të saj sapo mori pushtetin në vitin 2013 pati militantizmin e administratës publike me njerëz pranë saj. Ligji famoz i administratës publike i kërkuar atë kohë nga BE, u transformua sipas interesa rilindase, duke nxjerrë në rrugë mijëra qytetarë që kishin shërbyer për vite e vite me rradhë në administratë. Përvoja u zëvendësua nga militantizmi!

Kush do prova më shumë për këtë, mjafton të kujtojmë fenomenin e despotizmit që ka rrënjë të thella në administratën publike. Rasti i kreut të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja me punësimin e familjarëve të tij në administratën publike është ulëritës.

Shkurtimisht: Drejtori Shendetit Publik Dibër, vëllai i Manjës; Në Drejtorinë e Shendetit Publik Dibër, kunata;  Në OSHE Dibër, i vëllai;  Drejtoria e Pyjores Dibër; djali i vëllait; Spitali Peshkopi, nusja e djalit të vëllait; Drejtori i Trajtimit të Studentëve tek Teknologjiku, i vëllai; Nëndrejtoresh shkolle në Laprakë, nusja e vëllait; Drejtor i Hetimit Tatimore te Republikës, dhëndri i vëllait; Kthimi dhe kompensimi i pronave,  djali i vëllait; INUKU Tiranë,  djali i motrës, Aviacioni civil, djali i vëllait.

Pra, edhe ju të dashur ambasadorë, që jeni në krah të PS-së në këtë pikë, besoni se familjarët  e Manjës dhe deputetëve socialistë do të mundësojnë zgjedhje të lira e të ndershme?

Një tjetë provë që bie në kundërshtim të fortë me kërkesën e socialistëve është edhe raporti i OSBE-ODIHR për 2019-ën, ku ka një konstatim të rëndë sipas të cilit administrata publike është e politizuar. Thënë shkoqur e qartë: E POLITIZUAR!

Si mund të pretendosh t’i besosh kësaj administrate, që vetë arbitri kryesor i zgjedhjeve e cilëson thellësisht si të politizuar, garancinë e votes së qytetarëve shqiptarë?!

Nëse duhen edhe më prova për të bindur ata që në fakt e kanë fare të qartë realitetin shqiptar si funksionon,  mjafton t’i hidhni një sy raportit të fundit përfundimtar të ODIHR pas votimeve të 30 Qershorit.  OSBE-ODIHR  rekomandoi se: “Administrata publike nuk duhet përdorur gjatë zgjedhjeve dhe shërbimi civil duhet depolitizuar. Nuk duhet të ushtrohet presion mbi votuesit për të marrë pjesë në aktivitete politike ose për të votuar në një mënyrë të caktuar.”.

Ndaj zonja dhe zotërinj ambasadorë, më mirë se sa për topin në fushën e “Luli Bashës”, ruhuni të garantoni që vota e çdo qytetari shqiptar të numërohet ashtu si hidhet në kuti. Në të kundërt, nëse do mbështesni idenë tinëzare të PS për gjoja “depolitizim të komisioneve”, nuk do bëni asgjë më shumë se sa do t’i jepni krah një procesi votimi që do jetë kryekëput në duart e pushtetit. Dhe për të tilla raste ne shqiptarët kemi një shprehje popullore, e cila duket sot më shumë se kurrë aktuale: “Po ja varni ujkut mëlçitë në qafë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here