Standard.al

Sandri, Elisa, Lindita, Besa, Ardi&Co, nuk kanë asnjë faj

0
Nga Ndriçim Mehmeti

Ju mund të thoni çfarë të doni, por këta që sundojnë nuk kanë asnjë faj. Këtë na e bëri të qartë me zë e figurë, vetë i madhi i të mëdhenjve, Komandanti ynë famëmadh. Si njëherë vakti, në kohën e mbretërve absolut, apo të sulltanëve, më të cilët ka qejf të krahasohet më së shumti, ai, erdhi nga vend i dashurisë, letërsisë dhe parfumit e na bëri me dije një gjë të madhe, të cilët, ne fakir fukarenjtë e kësaj humbëtire, nuk ka kishim haberin: “Ardi gaboi, gaboi, po, po gaboi. Por e kuptoi dhe unë besoj në faljen e tij të madhe, siç besoj se ai nuk kishte ndonjë qëllim të keq. Ishte i merakosur shumë për edukatën e  familjeve shqiptare”. Pra Ardi nuk ka asnjë faj.

Kështu që unë u ngrita të shkruaj këto radhë plot mirësi e entuziazëm duke bërtitur me të madhe: As Sandri, as Elisa, as Lindita, as Besa e gjithë stani rilindës, nuk kanë kurrfarë faji.

Dy javë më parë ne ju turrëm Sandër Lleshajt dhe Ardit, duke i akuzuar për shkelje të drejtave të njeriut, tejkalim të kompetencave të Policisë së Shtetit, zbatim të urdhrave të paligjshëm etj, duke parë pamjet e shembjes së Teatrit Kombëtar. E përse e bëmë gjithë këtë tollovi? Sepse një gazetar u dhunua? Jo. Komandanti e tha vetë live, “policia bëri detyrën” dhe nuk pranoi të kërkonte falje as në emision e as më vonë. Dhe nuk kishte pse e bënte.

Ju mbahet mend kur e pamë me zë e figurë sesi një deputet i opozitës u godit në mjediset e Kuvendit? Cili qe reagimi i Komandantit? “I përkëdhelën pak pjesën e zbuluar të kokës dhe asgjë më tepër”. Madje si shenjë falënderimi një prej deputetëve u caktua edhe kryetar bashkie, për sjellje të mirë dhe forcë revolucionare në aksionet që partia, atij i kishte caktuar kohë pas kohe. Kështu që zvarritja e Lelës, Cakës, shkelmi në fytin e studentit të arteve e shumë të rinjve të tjerë ishte më se e pranueshme për Komandantin dhe e adhurueshme për Gjeneral Sandër Gazin. Ky i fundit do të mbahet mend gjatë, në memorien e diktatorëve afrikanë dhe atyre latino-amerikanë, për shembullin unik të zbrazjes së shtëpive përmes gazit në mesnatë, pa asnjë paralajmërim dhe kur e gjithë familja është në gjumë.

Nuk kaloi shumë nga ngjarjet me sfond hakmarrës politik dhe përfitim ekonomik, skena e maskarallëkut zbriti me shpejtësi marramendëse në terren. Shkolla, universiteti e madje edhe kopshti u bënë arenë e dhunës të pa precedent të njohur ndonjëherë.

Një administratore kopshti rreh e dend në dru një fëmijë, një dashnor i përvëluar në Vlorë qëllon në kokë vajzën brenda në klasë, sepse nuk ju përgjigj tekave të tij. I riu i përfshirë nga adrenalina e dashurisë, ishte rastësisht edhe nip i drejtoreshës. Por Lindita ministre e arsimit, nuk foli fare, nxori në mes të natës drejtoreshën e shkollës ku ishte ndodhur ngjarja dhe na mbushi mendjen se “ngjarja kishte ndodhur jashtë kangjellave të shkollës”. Më pas ndodhitë erdhën natyrshëm: Një fëmijë vritet me thikë para derës së shkollës, një fëmijë ngacmohet seksualisht në tualetin e shkollës në Durrës, një mësuese rreh nxënësit, këshilltari i ministres urdhëron ndryshime në amëz, për të favorizuar nxënës, një sekretar u përgjithshëm, përfshihet në një sherr me grushte në Fushë-Krujë, ditën e provimeve të Maturës Shtetërore. Por përsëri Lindita nuk kërkoi asnjë grimë ndjese.

Erdhi dhjetori i studentëve. U derdhën në rrugë disa qindra prej tyre, u tallën me Linditën ditë e natë. Por kjo e fundit dhe bashkë krahinari i saj ministër i brendshëm, nuk e lanë me kaq. Dërguan forcat e armatosura deri në dhëmbë tek Ekonomiku dhe Juridiku dhe i hynë më hu studentëve.

Atë që nuk e bëri Hekuran Isai dhe Ramiz Alia në 1990 me studentët e bëri Sandri dhe Lindita në 2018. Lindita iku, por erdhi Besa.

Ende pa e ngrohur mirë kolltukun Besës i erdhën një nga një ngjarjet të bujshme për një vend demokratik, por krejt normale për vendin tonë. Besa premtoi “Paktin për Universitetin” dhe nuk mbajti asnjë premtim ndaj studentëve. Po kjo edhe hahet se në përgjithësi premtimet e shkruara me urgjencë harrohen. Duke vijuar rrugën e paraardhëses së saj, Besa u bë krejt e pandjeshme, për çështjet e dhunës dhe abuzimit të fëmijëve dhe të rinjve.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në qytetin e Kavajës. Një 13 vjeçare ishte abuzuar seksualisht nga bashkëmoshatarë të saj, në shkollën “Rilindja”, në zemër të qytetit, por askush nuk e dinte, derisa foli djali i sanitares së shkollës. Drejtoresha e shkollës nuk pësoi gjë, as mësuesi kujdestar, as drejtuesit e arsimit në rreth. Besa nuk kërkoi ndjesë publike. Por ama skenën politike e pushtoi producentja e filmave më të suksesshëm të Holliwood-it, Elisa. Ajo na tha një gjë, që si gjithnjë, ne të marrët e këtij katundi të humbur, e marrim vesh të fundit: “Me të tilla ngjarje (si ajo e Kavajës) bëhen edhe skenarë dhe filma të suksesshëm në Holliwood.”

Më shumë se kaq nuk ishin çfarë të kërkonim. Dhe kur ta thotë Elisa, duhet të jesh mijë përqind i sigurt, se kjo ka ndodhur dhe do të ndodhi. Nuk flet kot gjithë ajo vajzë me një përvojë shumëvjeçare në këtë fushë. Po nuk ishte e thënë që arsimi të gjente paqe e qetësi. Nxënësit helmoheshin çdo tre muaj herë në Dibër e herë në Bulqizë. Që të mos i mbetej qejfi Shqipërisë së Mesme, ndodh edhe në Fier. Jo një orë, jo një ditë, por një javë të tërë. Kush ishte fajtori?

Dy nxënës që kuronin të bënin gallatë me mësuesit dhe një nxënëse, ose edhe ndonjë mësuese që ishte shtatzënë dhe u bajalldis para kamerave të televizioneve. Besa shkoi vetë në shkollë, inspektoi gjithë terrenin me hap të sigurt ushtarak dhe në fund kur të gjithë prisnim një përgjigje ajo heshti. Për bela Fieri doli përsëri në lajmet e zeza të arsimit.

Një mësues tejet romantik, jepte këshilla vajzave të shkollës së muzikës “Jakov Xoxa”, sesi të flirtonin, kur duhet të bënin seks, me kë duhet të shkonin, si duhet të refuzonin djemtë e të hidhnin sytë nga ai, etj. Mësuesi ishte “fare rastësisht” burri i drejtoreshë së shkollës. Dhe këtë besoj se Besa “nuk e ka dit”. Besa përsëri qëndroi në zyrë e nuk bëzajti asnjë fjalë.

OJF-të që mbrojnë të drejtat e fëmijëve i kërkuan dorëheqjen Besës ndërsa unë vetë me modesti, i kërkova të mos e bënte dhe nuk ka përse ta bëjë asnjëherë. Erdhi COVID-19 (ose përndryshe Coronavirusi i ri siç thotë Besa) dhe ministrja u tall paq me nxënësit, fëmijët, studentët, gazetarët, televizionet e kush i doli para. Në kohën që Besa rrinte në shtëpi e bënte sallat e vezë, një fëmijë u dhunua nga policët.

Kryepolici Ardi, përgjegjësinë ja hodhi viktimës. Me raste polici duhet të jetë edhe mësues i edukatës qytetare. Këtë bëri edhe Ardi. Ai na bëri me dije, se mamaja e 15-vjeçarit, ishte me biografi të keqe dhe Policia e shtetit e kishte sjellë më terbiet djalin. Besa si femër, si grua, si motër, heshti dhe nuk foli asnjë fjalë për atë djalë pale për nënën e tij. Lika, Ermonela, Elona, Egla, e gjithë gratë e Rilindjes, ju bindën urdhrit të Komandantit dhe e qepën gojën. Dhe pa kaluar pak nga kjo ngjarje, përsëri shkolla merr në dorë stafetën e skandalit të radhës.

Një vajzë në periferi të Tiranës, abuzohet dhe në dijeni ishin të gjithë: prej policisë, nxënësve, mësuesve dhe deri tek drejtuesit e shkollës. Askush nuk kërkoi falje, askush nuk u penalizua. Përsëri fajin e kishte viktima. Drejtori e hodhi topin tek Bordi i shkollës, Besa inkurajoi nxënësit të denoncojnë dhe me kaq u mbyll edhe episodi i radhës në serialin “Çfarë nuk do t’ju shohin sytë në arsim”.

Sigurisht që Fetvan e madhe të sulltanit e mori Ardi, ndërsa këta të tjerët kanë miratimin e përhershëm të të madhit të heshtin. Sido që të shkojë puna, faji do t’i vishet si përherë viktimës. Dhe këtu Komandanti ndoshta ka të drejtë të lëvdohet se nuk e vret mendjen fare, sa kohë që të dëmtuarit, familjet e tyre, shoqëria jonë rri e hesht dhe e pranoi plot përulje të gjithë këtë sjellje dhe histori.

Nuk kemi pse të ankohemi e aq më shumë ti kërkojmë llogari, Sandrit, Linditës, Besës, Ardit dhe sojit e sorollopit rilindës. E keqja ka vetëm është personifikuar tek një fytyrë, një personazh dhe qe ka emrin kryeministër.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.