Standard.al

“Një copë letër për BE-në”/ Edhe pas reformës, Shqipëria do mbesë “shteti i paligjshmërive”

0

Nga: Gëzim SALIU

Të gjithë i janë turrur reformës zgjedhore. Të gjithë komentojnë e debatojnë mbi të, a thua se Shqipërisë do t’i vijë shkëlqimi i munguar nga kjo reformë. Të jemi të qartë: Cilido të jetë rezultati i kësaj reforme, qoftë edhe një marrëveshje në Këshillin Politik, kjo e fundit nuk pritet t’i sjellë asnjë të mirë demokracisë në vend e aq më pak shtetit ligjor, i cili është rrënuar prej vitesh.

Kjo reformë zgjedhore do të shërbejë vetëm si një letër për Bashkimin Evropian, për  t’i thënë atyre atje në Bruksel se ne e përmbushëm një kusht për integrimin. Pra sa për të thënë që e kaluam këtë sprovë, e cila realisht nëse do të duhej të ishte me të vërtetë e rëndësishme, do duhej të kishte përshirë brenda saj ndryshimin me themel të të gjithë gjësë.

Duke nisur padyshim nga ndryshimet kushtetuese të 2008-ës që goditën rëndë kushtet për një garë të barabartë dhe të ndershme mes subjekteve zgjedhore. Duke shkuar më tej padyshim  me qeverinë tranzitore, e cila me sa duket tashmë nuk bën pjesë më në diskutimet e Këshillit pas refuzimit kategorik të PS-së dhe mbështetjes së partisë në pushtet në këtë ide edhe nga ambasadorët e përfshirë në reformë.

Po si mund ti jepet e drejta e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, të njejtës qeveri që prodhoi dosjet e famshme “184” dhe “339”, aty ku dolën në pah si kurrë më pare provat ulëritëse të kontrollit total të mazhorancës mbi gjithë administratën, presionet mbi të e mbi të gjitha përfshirjen e të inkriminuarve në krah të partisë në pushtet për të siguruar me forcë dhe para, votën e qytetarëve.

Të vazhdojmë më tej me atë se çfarë duhej të përfshinte kjo reformë, që me shumë gjasë as nuk do jetë pjesë e saj edhe kur të arrihet marrëveshja.

Kjo reformë do konsiderohej e plotë me ndryshimin e sistemit, me heqjen e pengesave ligjore që kufizojnë të drejtën kushtetuese të voutesve për të zgjedhur në mënyrë direkte përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe në organet e qeverisjes vendore. Dhe më tej me demokratizimin e partive politike dhe stabilizimi i jetës politike të  vendit.

Por qartazi kjo reformë po bëhet thjesht si një detyrim për të kaluar klasën.  Si mund të konsiderohet reformë, edhe nga vetë ndërkombëtarët, një paketë që nuk prek thelbin e problemit?!

Ndërsa sa i takon Shqipërisë, situata dhe realiteti në vend do jetë po i njëjtë edhe me dakordësinë e reformës, sido që të jetë rezultati i saj.

Edhe pas reformës, vendi do të jetë me të njejtën drejtësi të kapur kokë e këmbë nga pushteti.

Edhe pas reformës, vendi do jetën nën thundrën e oligarkëve që me ndihmën e qeverisë po zaptojnë çdo pasuri të shqiptarëve.

Edhe pas reformës, vendi do jetë pre e koncencioneve dhe PPP-ve që po vrasin konkurencën e lirë.

Edhe pas reformës, vendi do jetë në kryesim në Evropë e ndoshta botë, për emigrimin.

Edhe pas reformës, vendi do të vazhdojë të kryesojë listën e shteteve evropiane sa i takon korrupsionit  në nivel zyrtarësh të lartë.

Edhe pas reformës, Shqipëria do të vazhdojë të jetë vend kryesor i pastrimit të parave në botë.

Dhe në fund, edhe pas reformës, Shqipëria sërish nuk ka për të siguruar: ZGJEDHJE TË LIRA E TË NDERSHME.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.