Shoqes që e përdhunuan. Ti nuk je fajtore, nuk je vetëm!

0
120

Një grup aktivistesh kanë shpërndarë në rrjetet sociale një letër drejtuar çdo vajze shqiptare e cila po përjeton apo ka përjetuar dhunë në jetën e saj, për t’iu ofruar mbështetje në denoncimin e rasteve të dhunës si dhe për t’i inkurajuar se “nuk janë vetëm”.

Më poshtë letra e plotë

TI KE MOTRA, NUK JE VETËM!

Shoqes që e përdhunuan.

Ti nuk je fajtore!

Përdhunimi nuk është faji yt! Nuk ka rëndësi se ç’kishe veshur, sa ishte ora, ku ndodheshe, nëse ishe në gjendje të kthjellët apo jo. Ti nuk je fajtore! Fajtor është përdhunuesi! Fajtor është shteti, i cili është i paaftë që të mbrojë dhe garantojë jetën e sigurinë tonë. Fajtor është sistemi arsimor dhe shkolla që nuk edukuan, trajtuan dhe fuqizuan njësoj vajzat dhe djemtë. Edhe familjet që nderin dhe turpin e mishëruan mbi ekzistencën, sjelljen dhe jetën tonë.

Faji është i gjykatave që amnistojnë përdhunuesit. Faji është i një qeverie reformat e së cilës vetëm sa thelluan mjerimin, varfërinë, krimin dhe dhunën, nga ku e pësojnë veçanërisht vajzat dhe gratë e varfra. Se të jesh e varfër nuk është turp, sikurse të përdhunohesh është krim e kurrsesi turp i yti!

Fajtor është burri që të zuri pritë dhe abuzoi me ty. I panjohuri që të përndoqi, apo ai që tradhtoi besimin tënd dhe zgjodhi të të lëndonte. Ai që abuzoi me pushtetin dhe forcën e tij për të përftuar kënaqësi të sëmurë nëpërmjet dhunës e poshtërimit. Ai që perversitetin zgjodhi ta çonte më tej, duke të të kërcënuar më pas apo/dhe duke filmuar veten teksa kryente një akt krimi, si një mënyrë për të të mbajtur peng të dëshirave të tij të errëta; për të të frikësuar e turpëruar për turpin, që në fakt vetëm ai e mban mbi shpinë, sepse ti nuk je fajtore!

Fajtorë janë të gjithë ata/ato që përmes heshtjes së tyre e normalizojnë krimin. Fajtorë janë edhe ata që zgjodhën të mos reagonin, por e thelluan këtë krim duke të të lënduar sërish me moskokëçarje, përbuzje apo nënqeshje. Edhe ata që të kërcënuan se fajin e tyre do ta hidhnin mbi ty e më pas, do t’u tregonin gjithë të tjerëve.

Fajtore është e gjithë bota, vetëm ti jo!

Sikur të kishe një thes me para, do të zhdukeshe nga sytë këmbët, jo? Larg përdhunuesit. Larg atyre që gishtin e drejtojnë gabim. Larg medias që zgjodhi të të lëndonte rishtazi duke të të ngarkuar përgjegjësitë e përdhunuesit. Larg të gjithë atyre që nuk do ta kuptojnë dot kurrë dhimbjen tënde, ndjesinë e hidhur në stomak, mendimet që ta vrasin gjumin, lotët në dush teksa përpiqesh të pastrosh një pisllëk që nuk është yti.

Ti nuk i ke paratë, por ke guximin për ta përballuar ballëlartë këtë situatë, sepse ti nuk je ajo çka të ndodhi – kjo gjë as nuk të përshkruan dhe as të përcakton. Ti je një grua e guximshme dhe e fuqishme. Mbi të gjitha, ti nuk je vetëm! Dhimbja yte është edhe e jona!

Dhuna ndaj teje është dhunë ndaj të gjithave ne! Ne jemi shumë dhe jemi të revoltuara, prandaj nuk do të heshtim, por do t’i bashkojmë duart e do të ecim krah për krah, derisa kjo të mos përsëritet ndaj askujt më, derisa ne të trajtohemi me dinjitet dhe të respektohemi në mënyrë të barabartë.

Derisa të mos druhemi të dallojmë dhunuesin dhe krimin, derisa drejtësia të vihet në vend dhe derisa të kemi një shoqëri më të mirë për vajzat dhe gratë!

Deri atëherë dhe gjithmonë, bashkë e të zëshme!

Motrat.

P.S.: Nëse ti apo dikush që njeh është viktimë e përdhunimit, ju mund të kontaktoni falas 24/7 në numrat a adresat më poshtë për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here