Standard.al

Protestat/ A mund të dërgojë ushtrinë presidenti Trump?!

0

Nga Jake Horton, BBC

 

Teksa protestat po përhapen në SHBA, presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të dërgojë ushtrinë për t’i dhënë fund trazirave. Trump tha se do të dërgojë ushtrinë nëse qytetet dhe shtetet dështojnë të zgjidhin problemin.

Por disa guvernatorë shtetesh thonë se qeveria nuk ka pushtetin për të dërguar trupa federale pa lejen e autoriteteve të shtetit.

A mund të dërgojë presidenti trupa?

E thënë shkurt, po, sipas disa rrethanave të caktuara.

Aktualisht janë mijëra trupa të dërguara në terren nga Garda Kombëtare, që është forca rezervë e ushtrisë amerikane.

Ata janë dërguar në më shumë se 20 shtete në të gjithë SHBA, në përpjekje për të shuar këto protesta, por këto forca janë kërkuar nga vetë qytetet ose shtetet.

Sidoqoftë, një ligj amerikan i miratuar në shekullin e 19-të parashikon rrethanat kur qeveria në Uashington mund të ndërhyjë pa autorizimin e shtetit.

Ligji për Rebelimin thotë se nuk duhet miratimi i guvernatorëve kur presidenti përcakton se situata në një shtet e bën të pamundur zbatimin e ligjeve amerikane, ose kur kërcënohen të drejtat e qytetarëve.

Ligji u miratua në vitin 1807 për të lejuar presidentin që të thërrasë ushtrinë për t’u mbrojtur kundër ‘inkursioneve armiqësore të indianëve’- dhe më pas u zgjerua për të lejuar përdorimin e ushtrisë amerikane në trazirat e brendshme dhe për të mbrojtur të drejtat civile.

Një tjetër ligj i miratuar në vitin 1878 kërkon autorizimin e kongresit për përdorimin e brendshëm ushtarak, por një ekspert ligjor i tha BBC se Ligji i Rebelimit ishte autoritet i mjaftueshëm ligjor në vete për presidentin që të dislokojë ushtrinë.

Pranohet gjerësisht se presidenti do të kishte baza ligjore për të dërguar ushtrinë pa aprovim nga shtetet në rrethanat aktuale.

Stephen Vladeck, një profesor i të drejtës në Universitetin e Teksasit, citohet të ketë than: “Historikisht dhe praktikisht, një kërkesë e tillë nuk është domosdoshmërisht një parakusht për presidentin që të përdorë trupat e rregullta federale për zbatimin e ligjit të brendshëm”.

A është përdorur ligji më parë?

Sipas Shërbimit të Kongresit, Ligji i Kryengritjeve është përdorur dhjetëra herë në të shkuarën, megjithatë u bë tre dekada që nuk është përdorur.

Për herë të fundit u përdor në vitin 1992 nga ish-presidenti i SHBA, George HW Bush gjatë trazirave në Los Angeles.

Ligji u përdor gjatë viteve ’50 dhe ’60 gjatë epokës së të drejtave civile nga tre presidentë të ndryshëm, përfshi edhe kur kishte kundërshtime nga guvernatorët e shteteve.

Presidenti Dwight Eisenhower u përball me kundërshtime kur e përdori ligjin në vitin 1957 për të dërguar trupa amerikane në Arkansas për të kontrolluar protestat në një shkollë, ku po mësonin bashkë fëmijë të bardhë dhe të zinj.

Që nga fundi i viteve ’60, përdorimi i ligjit ka qenë i rrallë. Kongresi e ndryshoi në vitin 2006 pas Uraganit Katrina, në një përpjekje për ta bërë ndihmën ushtarake më efektive, por amendamenti i shfuqizua pasi guvernatorët e kundërshtuan.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.