Standard.al

Përhapja e teorive konspirative, miteve dhe ideologjive për virusin Korona/ Një shpikje e Bill Gates??!

0

Nga Deutsche Welle

“Corona është një shpikje e Bill Gates” – është një prej teorive të përhapura konspirative. Ka shpikje edhe më interesante?

Pandemia Corona po studiohet mbi baza shkencore në të shumtën e vendeve të mëdha botërore. Me këtë temë po merren të gjitha mediat e mëdha botërore, ndërsa debati nuk ka të ndalur.

Por njëkohësisht në opinion po përhapen edhe “teori” të ndryshme konspirative, të cilat nuk kanë fare të bëjnë me empirinë shkencore. Kështu thuhet se virusi Corona është shpikur nga qarqe apo njerëz të caktuar, për qëllime të caktuara. Në një sondazh të Universitetit Erfurt dhe partnerëve të tij, të bërë nga mesi i majit, thuhet se rreth 17% besojnë në mundësinë e teorive të ndryshme. Lidhur me virusin Corona po qarkullojnë teori sipas së cilave, për shembull, miliarderi amerikan dhe filantropi Bill Gates, do që gjatë procesit të vaksinimit të obligueshëm njerëzve t’u futë në trup edhe një mikroçip, për t’i kontrolluar ata.

“Teoritë e komplotit”

Për të përshkruar këtë fenomen, në Gjermani ekziston nocioni “teori komploti”. Por kjo nuk është e saktë, sepse kjo nënkupton edhe ekzistencën e një teorie të bazuar mbi fakte, thotë pedagogia Pia Lamberty, nga Universiteti i Mainzit. “Nëse faktet nuk përputhen me teorinë, në një moment të caktuar kjo teori duhet të ndryshojë apo të hidhet si e pavërtetë”, thotë Lamberty për DW. “Por kjo nuk ndodhë tek teoritë e komplotit.”

Këshilltari politik Johannes Hillje shkruan në Twitter, se nocioni “teori” tingëllon madje si një nocion me baza shkencore, që nuk e meriton. Hillje ka frikë se “teoritë e komplotit” mund të kuptohen madje si një “kundërteori” e atyre shkencore.

Mitologjitë dhe tregimet

Pia Lamberty pohon se duhet bërë dallime mes mitologjive dhe tregimeve të sajuara. Ka raste të shumta të përhapjes së rrëfimeve dhe teorive të ndryshme, si në rastin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA apo vdekjes tragjike të princeshës Diana, sepse ka dhe pohime se ajo ende është gjallë. Kohët e fundit janë dëgjuar teori dhe rrëfime të ndryshme për Gates, miliarderin hungarezo-amerikan George Soros dhe persona të tjerë. Mitet plotësohen dhe zgjerohen me kohë, përmes rrëfimeve të tjera dhe dikur humbin tërësisht lidhjen me realitetin.

Ideologjitë konspirative

Disa rrëfime janë kaq komplekse sa që krijojnë një pamje të ngjashme me ideologjitë. Në rrjete dhe faqe të ndryshme po përhapen edhe pohime si ato, që në SHBA po mbahen nga një grup sekret, me mijëra fëmijë të rrëmbyer dhe se persona të caktuar po pijnë gjakun e tyre, për të mbetur të ri. Personat që përhapin teori të këtilla thonë, se presidenti amerikan Donald Trump është ai që do t’i eliminojë gjërat e këtilla. Ndërsa paraardhësi i tij Barack Obama dhe ish – kundërshtarja e Trumpit në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton llogariten si anëtarë të këtij grupi. Qarqet e këtilla thonë se këto të dhëna janë siguruar nga një burim anonim i lartë qeveritar, me shkallën e sigurisë “Q” nga – “QAnon”.

George Soros

Një shembull tjetër i ideologjive konspirative është ajo e të ashtuquajturve “Reichsbürger”, të cilët në esencë thonë se “Rajhu gjerman ende ekziston, ndaj institucionet e Republikës Federale të Gjermanisë nuk janë legjitime”. Persona të tillë përfaqësojnë pozita radikale të djathta, të afërta me grupe të tjera që përgatiten për skenarë të ndryshëm të luftërave apo përmbysjes së botës. E sa të rrezikshme janë ideologjitë e këtilla konspirative tregon edhe rasit kur një “reichsbürger” ka vrarë në tetor të vitit 2016 edhe një polic.

Persona të këtyre grupeve, rrëfyesit e teorive konspirative dhe ekstremistët janë përzier së fundi me njerëzit që po protestojnë kundër masave të qeverisë për virusin Corona. Ndaj ministri i Brendshëm Horst Seehofer ka vendosur që për herë të parë të ndalojë një grup të tillë të “Reichsbürger”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.