Standard.al

Pas afro 3 muajsh të mbyllur, hapen kufijtë tokësorë, vetëm Mali i Zi nuk na vë kushte. Italia, Greqia e Maqedonia e Veriut…

0

Pas afro 3 muajsh të mbyllur, dje u hapën kufijtë tokësorë, megjithëse jo plotësisht dhe me disa kushte. Vetëm Mali i Zi nuk ka vënë kushte për shtetasit shqiptarë, pasi vendi ynë renditet në listën e vendeve me raste aktive më pak se 25 për 100 mijë banorë. 

Policia e Shtetit njoftoi dje se në zbatim të urdhrit nr. 351, datë 29.05.2020, të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,

“Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, Policia Kufitare ka marrë masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, për vijimin normalisht dhe pa probleme të aktivitetit kufitar. Në këtë kuadër, i gjithë personeli i Policisë Kufitare në pikat e kalimit kufitar është pajisur me maska dhe dezinfektantë për mbrojtjen nga COVID-19.

Në lidhje me shtetet fqinje, situata e kalimit kufitar është si më poshtë: Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre. Lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve, përveç atyre që janë rezidentë apo që kanë ndjekur procedurat me Ministrinë e Jashtme, si përgjatë periudhës së pandemisë.

Në Republikën e Malit të Zi lejohen të hyjnë pa asnjë pengesë dhe kufizim vetëm qytetarët nga shtetet në listën e miratuar nga ana e tyre (shtete, të cilat e kanë shkallën e rasteve aktive të koronavirusit më pak se 25 për 100 000 banorë), listë në të cilën bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë.

Për Republikën e Kosovës lejohen të hyjnë të gjithë shtetasit, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativë” me COVID-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore, ndërsa kamionët duhet t’i nënshtrohen procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin kosovar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.