Standard.al

Aktivistët kundër vaksinave të COVID-19 dhe 5G-së protestojnë në Tiranë

0

Dhjetëra aktivistë dhe mbështetës të teorive konspirative marshuan të martën në Tiranë kundër vaksinës së koronaviursit të ri COVID-19, të cilët e cilësuan si një mjet të elitave për të kontrolluar popullsinë.

Një grup protestuesish parakaluan mesditën e së martës përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, duke hedhur parulla kundër vaksinimit të detyrueshëm ndaj COVID-19,  vaksinë që sipas tyre është duke u përgatitur dhe ka si qëllim injektimin e disa mikroçipave kontrollues në trupat e popullatës.

“Kjo është një skemë ndërkombëtare në interes të pak familjeve në botë, të cilët dëshirojnë të ulin numrin e popullsisë në botë për ta kontrolluar më mirë dhe për të mikroçipuar popullsinë, nëpërmjet një vaksine me nanothërmija dhe nëpërmjet sistemit 5G – që duan të na fusin në trup nëpërmjet kësaj vaksinës”,  u shpreh Alfred Cako,  botues librash konspirativë dhe njëkohësisht njëri prej organizatorëve të protestës.

Cako theksoi se ka ardhur koha që të protestojmë “për lirinë tonë”. Ai e prezantoi parakalimin përgjatë bulevardit si një simbol të lirisë dhe rezistencë kundra skllavërimit të popullsisë.

Një nga teoritë konspirative që lidhet me koronvirusin e ri, pretendon se pandemia është një mbulesë për një plan për të implantuar mikrocipet që mund të gjurmohen dhe se bashkëthemeluesi i Microsoft Bill Gates është pas këtij plani.

Ndërkohë teknologjia 5G fajësohet për përhapjen e shpejtë të COVID-19. Ata që e avancojnë këtë teori konspirative besojnë se kjo frekuencë degradon sistemin imunitar dhe se rreziqet po mbulohen nga forca të fuqishme në industrinë globale të telekomunikacionit.

Një tjetër protestuesve,Ylli Kurti i tha BIRN  se ka ardhur momenti që t’i çonin një mesazh – si mazhorancës ashtu edhe opozitës, që të bëhen të ndjeshëm në lidhje me çështjen e vaksinimit.

“Ky uragan i protestuesve do përhapet rrugëve të Shqipërisë, pasi bëhet fjalë për një çështje të jetëve tona, të familjeve, prindërve dhe fëmijëve tanë,” tha Kurti.

Sipas tij ka një plan ‘ogurzi’ i cili do të detyrojë shtetet dhe pushtetarët që të vaksinojnë me detyrim njerëzit në masë.

“Nëse ka njerëz që duan ta bëjnë me dëshirë atëherë në rregull, por ideja është mos të bëhet me detyrim,” shtoi Kurti.

Hasime Dukaj, një tjetër qytetare prezente në protestë, i tha BIRN se ajo ka dalë për të mbrojtur të ardhmen e të rinjve, shëndeti i të cilëve sipas saj po dëmtohet nga vaksinimi kundër COVID-19.

“Unë jam një gjyshe që mendoj se të rinjtë shqiptarë duhet t’i ruajmë që të jenë sa më të shëndetshëm dhe mos të lindin autikë. Po shoh që me kalimin e viteve po lindin gjithmonë e më shumë fëmijë autikë. Thuhet se kjo vjen nga vaksinat”, u shpreh Hasimja.

” Dhe një nga vaksinat më të rrezikshme është kjo kundër COVID-19, që na mbylli brenda dhe na falimentoi. Prandaj kemi dalë të protestojmë për të ardhmen e shëndetshme të fëmijëve tanë”, shtoi ajo.

Me 11 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e pandemisë për përhapjen e koronavirusit të ri SARS-CoV-2. Deri me 2 qershor nga sëmundja e COVID-19 janë prekur gati 6.2 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ky koronavirus ka shkaktuar 376 mijë viktima.

Ndërkohë në Shqipëri, që nga shpërthimi i epidemisë me 8 mars, koronavirusi i ri SARS-CoV-2 ka prekur 1164 persona, nga të cilët 33 kanë humbur jetën, 891 janë shëruar dhe 240 raste janë aktive

Si pasojë e vdekshmërisë së lartë nga COVID-19 dhe numrit të të prekurve, shumica e vendeve kanë marrë masa drastike izolomi dhe distancimi social për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe për të sheshuar kurbën epidemisë.

Masat e distancimit social dhe mbyllja e kufijve e kanë çuar ekonominë botërore në recesion dhe kanë iniciuar një garë ndërkombëtare për zbulimin dhe testimin e një vaksine kundër COVID-19. Por kërkimet e shkencëtarëve janë shoqëruar me fuqizimin e teorive konspirative në rrjete sociale dhe media, si dhe të lëvizjes kundër vaksinimit.

Edhe pse ekspertët e shëndetësisë i konsiderojnë vaksinat si një nga arritjet më mëdha shkencore të shekullit të 20-të,jo të gjithë bien dakord dhe në vitet e fundit ka marrë formë një lëvizje kundër vaksinimit.

Kjo lëvizje është fuqizuar nga masat shtrënguese kundër COVID-19 dhe një numër teorish konsiprative janë përhapur në lidhje me një vaksinë të mundshme edhe pse ato nuk kanw asnjw bazw shkencore apo faktike.

“Ka një shkallë të lartë disinformimi në media në lidhje me vaksinën e COVID-19,” tha Viola Keta, kryeredaktore e shërbimit të verifikimit të fakteve, Faktoje.al.

“Mediat kombëtare e ndërkombëtare kanë folur për gjetjen e një vaksine, ndërkohë që ballafaqimet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë tregojnë se ky fakt nuk është i vërtetë dhe se nuk ekziston akoma asnjë vaksinë kundër COVID-19,” shtoi ajo.

E pyetur nga BIRN në lidhje me pretendimet dhe shqetësimet e protestuesve për vaksinimin e detyruar kundra COVID-19, doktoreshë Silvia Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, i hodhi ato poshtë  si “marrëzi” dhe deklarata me një dozë të theksuar mungese serioziteti.

“Absolutisht jo! Nuk ka asgjë të vërtetë,” tha Bino. “ Unë e kam deklaruar dhe për mediat një muaj më parë, se Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë plan vaksinimi, pasi akoma nuk është gjetur një vaksinë kundër virusit, e jo më të kemi bërë plane,” përfundoi ajo./ Nensi Bogdani Reporter.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.