90 radhët e pafuqishme të Edi Ramës përballë 14 rreshtave “vrastarë” të “Le Monde”

0
170

 Nga Gëzim Saliu

Shembja barbare e Teatrit Kombëtar përçoi zemërim të thellë në vend. Artistët që e mbrojtën godinën për dy vite me rradhë u tërhoqën zvarrë si të ishin kriminelë. Qytetarët në mbrojtje të tyre u dhunuan shtazërisht.

Aq e madhe ishte indinjatë, sa edhe ata të cilët kishin pasur më parë një opinion aprovues për prishjen e godinës, ndryshuan mendim me pamjet e ofuara atë mëngjes të diele. Vetë mbushja e sheshit me mijëra qytetarë para galerisë së Arteve për dy ditë me rradhë, në kohën kur pandemia e koronavirusit ishte ende aktive, vërtetoi zemërimin popullur që shënjoi ky akt qeveritar.

Por, mazhoranca në pushtet, me arrogancën e saj të ngritur në piedestal, nuk pati as ndjeshmërinë më të vogël ndaj asaj që mendoi dhe kërkoi artisti, aktivisti apo thjesht qytetari. E vetmja bezdisje për kryeministrin në gjithë këtë çështje ishte reagimi i fortë ndërkombëtar.

Përgjatë këtyre viteve, Rama ishte mësuar me heshtjen apo miratimin nën zë të ndërkombëtarëve për të gjitha aktet antikushtetuese apo në kundërshtim me të drejtat e njeriut që kishte ndërmarrë qeveria e drejtuar prej tij. Por këtë herë, ndodhi ndryshe.

Gati i gjithë fronti ndërkombëtar reagoi me zemërim dhe kundërshti të fortë për mënyrën se si qeveria dhe bashkia e Tiranës vendosi ta zgjidhë çështjen e Teatrit Kombëtar. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kundërshtuan haptazi me deklarata prishjen talebaneske të godinës së TK dhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj artistëve, gazetarëve dhe qytetarëve që po mbronin një prej monumenteve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare.

Më i ashpër ishte reagimi gjerman, ku në emër të CDU, partisë në pushtet, zv.kryetari Johann Wadephul la të nënkuptohej se ky veprim i paligjshëm, do ketë pasoja edhe te procesi i integrimit të vendit në BE. Aq e fortë ishte indinjata evropiane me Ramën, të përkëdhelurin e tyre për vite me radhë, sa edhe lideri historik i eurosocialistëve Hannes Swoboda u shpreh se ishte i shokuar nga shembja e Teatrit dhe dhuna e policisë kundër artistëve dhe përfaqësuesëve të opozitës.

Padyshim reagime të forta , të cilat duket se morën trajtën e një “shuplake” evropiane mbi qeverinë “Rama”. E megjithatë, kryeministri vazhdoi rolin e tij, hatërmbetur sa më s’ka me burokratët e KE-s, të cilët për vite e vite me rradhë kishin firmosur e vulosur raporte me “5 yje” për Shqipërinë e Rilindjes. (ndonëse këto raporte demaskoheshin më pas në mbledhjet e Këshillit të Ministrave të vendeve të BE-së me fakte për mungesën e rezultateve në luftën ndaj korrupsionit e krimit, ndaj pastrimit të parave apo mos ndëshkimit të zyrtarëve të lartë.)

Por me shfaqjen e tij të zakonshme “one man show”, Rama doli në publik  dhe argumentoi të “vërtetat” e tij mbi prishjen e godinës, duke mohuar gjithashtu edhe reagimin disproporcional të policisë mbi artistët, aktivistët e qytetarët që po mbronin godinën e Teatrit.

E ndërsa dukej se po i kthehej rutinës me “punimet” në zyrën e mbushur me flutura e kosha basketbolli, kryeministrit i panë sytë atë që nuk do donte kurrë ta kishte hasur ato ditë post-shembje të godinës, akt të cilën e kishte ëndërruar për vite e vite të ndodhte, aq shumë, sa i ishte kthyer dhe në obsesion.

Gazeta prestigjoze franceze “Le Monde” me një artikull special për këtë çështje shkruante në kryetitull: “Teatri Kombëtar në Shqipëri shembet nga qeveria, një akt barbar!”. Në gjithsej 14 rradhë shkrim, gazeta franceze kishe thënë një të vërtetë tronditëse edhe për vetë Kryeministrin, kjo jo më shumë nga vërtetësia e fjalëve, por se ato vinin pikërisht nga një prej gazetave më të njohura të Evropës, të cilën vetë KM e kishte si “tempull”, që nga kohët e emigrimit në Francë.

“Le Monde” nënvizonte në artikull se Edi Rama i ngjyrave si kryebashkiak ishte kthyer në Ramën e barbarizmit si kryeministër. Kjo ishte një “bombë” me ndikim ndërkombëtar mbi Ramën dhe vetë ky i fundit e dinte mirë këtë!

Priti, nuk foli dhe vetëm pas 6 ditësh reagoi. Aq shumë përcëllues kishte qenë artikulli i “Le Monde” sa detyroi Ramën të merrte personalisht rrugën drej Parisit dhe të shkruante një letër të gjatë sqaruese për arsyet e prishjes së godinës së Teatrit.

Dhe gjejeni pak, letra me 90 rradhë shkrim, u botua pikërisht në “Le Monde”. Në sqarimin e tij të bërë publik sot në prestigjozen franceze, Rama u mundua gjërë e gjatë të hidhte poshtë ato që i cilësoi “ortek lajmesh të rreme”. Përdori aty, Shakespearin, Camynë, e madje edhe Francis Bacon, për të bërë të kuptueshme te ndërkombëtarët se e gjitha nisma e tij ishte për shembjen e një godine “të ndërtuar me tallash të parafabrikuar dhe ashkla druri”.

Por duket se e gjithë tentativa e kryeministrit me 90 rradhë shkrim është krejt e pafuqishme përballë atyre vetëm 14 rreshtave të 6 ditëve më parë në “Le Monde”.

“Njeriu i ngjyrave i kthyer në barbar”, do mbetet gjithnjë një njollët e errët mbi kreditet ndërkombëtare të Ramës, të cilën ky i fundit nuk do mund dot ta fshijë as me 90 rradhë shkrim e aq më pak me lobingje alla rilindase.

Sepse “Le Monde” mbetet “Le Monde”…

 

 

LETRA E RAMES SOT

http://www.standard.al/2020/05/31/rama-mbrohet-me-shekspirin-dhe-kamyne-te-le-monde-ja-pse-e-prisha-teatrin/

 

SHKRIMI NE “LE MONDE” 6 DITE ME PARE: 

http://www.standard.al/2020/05/25/shembja-e-teatrit-kombetar-jehone-nga-le-monde-u-shkaterrua-nga-qeveria-ne-nje-akt-barbar/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here