Ambasadorja Yuri Kim: I takon shqiptarëve, jo SHBA, të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë

0
111

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, e filloi mandatin e saj në janar të këtij viti. Pas dorëzimit të letrave kredenciale dhe nisjen zyrtare të detyrës u rikthye në Washington, me një ndalesë në New York për t’u prezantuar me një përfaqësi të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Biseda ishte shumë interesante dhe e sinqertë, me shkëmbime të hapura lidhur me problemet e demokracisë dhe të drejtësisë në Shqipëri dhe angazhimin amerikan për përparimin e vendit. Takimi ishte gjithashtu privat me mirëkuptim për ta lënë një ditë tjetër për të folur për median dhe publikun.

Takimi ishte jo më larg se në muajin shkurt, por ngjan sikur ka ndodhur në një jetë tjetër. Kriza koronavirusit e ndryshoi realitetin tonë në mënyrë të paparë. Për fat të mirë Shqipëria nuk pati problemet që patëm këtu në New York, po edhe më tej në SHBA. Mirëpo, gjithësesi paralizimi i qarkullimit, karantina, mbyllja e bizneseve dhe e jetës normale u bë edhe aty realitet.

Në këtë situatë filloi punën edhe përfaqësuesja e re e SHBA-së në Tiranë, e para e tillë emëruar nga Presidenti Donald Trump.

Ishte një kënaqësi që Ambasadorja Kim zgjodhi gazetën “Illyria”, për bisedën e parë me shtypin shqiptar. Intervista është përqendruar më shumë në punën e saj dhe Ambasadës, në kushtet e krizës, në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, përparësitë e saj kryesore dhe synimet që ka si Ambasadore, pikëpamjet për politikën dhe zhvillimet në Shqipëri, për rolin e diasporës, për mbresat personale për shqiptarët etj.

Intervistoi Ruben Avxhiu/ Illyria Press

Ishte kënaqësi që pata mundësi të ulem me ju dhe anëtarët e tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York. Kam mësuar shumë nga ju dhe mendoj shpesh për diskutimin tonë. Siç thashë atëherë, jam thellësisht e nderuar që jam Ambasadore e SHBA-së në Shqipëri – nuk ka asnjë vend që të jetë më mikpritës, asnjë miqësi më e sinqertë. Është e vërtetë që pandemia ka ndryshuar planet e mia për të takuar sa më shumë shqiptarë që të ishte e mundur si dhe për të udhëtuar nëpër vend, por në vend që t’i anulonim planet tona, ne thjesht i përshtatëm sipas nevojës. Unë dhe diplomatët e tjerë amerikanë po takohemi sërish me njerëz, në biseda me video dhe po lidhemi nëpërmjet mediave sociale. COVID nuk ka ndryshuar forcën ose thellësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Nuk ka ndryshuar dashurinë midis amerikanëve dhe shqiptarëve. Nuk ka ndryshuar përparësitë e punës sime në Tiranë. Megjithatë, nuk ka asgjë si të ulesh së bashku me njerëzit, siç bëra me ju dhe mezi po pres që të udhëtoj nëpër Shqipëri dhe të takoj njerëz personalisht sa më shpejt që të mundem.

Si do ta përshkruanit një ditë tuajën të zakonshme gjatë karantinës, në Tiranë?

Zëvendësja ime dhe unë kemi alternuar midis punës në zyrë dhe punës nga shtëpia. Unë bëj takime virtuale me stafin tim, por edhe takime virtuale me udhëheqës të politikës, fesë e përfaqësues të tjerë të Shqipërisë, gazetarë, OJQ-ra dhe studentë. Kaloj pak kohë në mediat sociale, duke komunikuar direkt me shqiptarët për një larmi të gjerë çështjesh. Kam lexuar disa libra, përfshirë disa libra nga Ismail Kadare dhe biografinë e Fan Nolit për Skënderbeun. Admiroj frymën e guximit, krijimtarisë dhe këmbënguljes përkundër të gjitha gjasave të Skënderbeut – të gjitha tipare të cilat i kam parë personalisht në mënyrën se si populli shqiptar i është përgjigjur tërmetit, po ashtu edhe pandemisë.

Ka pasur debate në lidhje me masat e marra nga autoritetet në Shqipëri dhe për pasojat e mundshme ligjore që mund të rrjedhin prej tyre. Cili është mendimi juaj për mënyrën se si autoritetet dhe drejtuesit politikë e kanë trajtuar situatën?

Unë mendoj se rezultatet flasin vetë. Numri i infeksioneve të reja po zvogëlohet, siç është edhe numri i personave në kujdes intensiv. Unë do të thoja që duhet t’ia njohim meritën qeverisë, por gjithashtu do të thosha edhe të tjerëve, veçanërisht popullit shqiptar dhe mbi të gjitha mjekëve dhe infermierëve të Shqipërisë. Pandemia tregoi se udhëheqësit politikë – presidenti Meta, kryeministri Rama, kreu i opozitës Basha, janë të aftë të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të bashkohen, nëse dëshirojnë. Shpresoj se do të shohim më shumë shembuj të kësaj lloj udhëheqjeje.

Ka pasur një numër fluturimesh riatdhesimi në të dy drejtimet për të ndihmuar qytetarët e bllokuar në vendet tona. Në çfarë mase është përfshirë Ambasada e SHBA-së? Cilat ishin disa nga sfidat atje?

Sekretari i Shtetit Pompeo e ka bërë të qartë se përparësia kryesore e qeverisë sonë është të ndihmojë amerikanët jashtë shtetit që duan të kthehen në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, udhëtimi tani është i ndërlikuar për shkak të shumë kufijve të mbyllur dhe fluturimeve të anuluara në të gjithë botën. Për t’i ndihmuar amerikanët të ktheheshin në shtëpi nga Shqipëria, na duhej shumë ndihmë nga miqtë tanë. Gjatë dy muajve të fundit, me ndihmën bujare të qeverisë shqiptare, misioneve të tjera diplomatike dhe linjave ajrore, ne kemi riatdhesuar më shumë se 200 qytetarë amerikanë dhe banorë të përhershëm në njëmbëdhjetë fluturime çarter. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen që miqtë tanë na dhanë, neve dhe qytetarëve tanë, gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë.

Përtej situatave të paparashikueshme, cilat i konsideroni disa nga përparësitë kryesore në punën tuaj si Ambasadore? Cilat zhvillime i ndiqni më nga afër?

Unë kam tre përparësi: Së pari, forcimin e marrëdhënieve tona të mbrojtjes në mënyrë që Shqipëria të jetë një aleate edhe më e fortë e NATO-s sesa ka qenë deri tani; së dyti, mbështetjen e zhvillimit të Shqipërisë si një vend demokratik – sundimin e ligjit, antikorrupsionin, reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, pranimin në BE; dhe së fundi, kërkimin e mundësive për të zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Këto tri gjëra janë të lidhura, sepse të gjitha ato që kërkojnë transparencë, respektim të sundimit të ligjit dhe fund korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ju trashëguat një krizë të pashembullt politike, e cila më së paku vështirëson zbatimin e reformave në vazhdim. Shumë e shohin Ambasadoren amerikane si një ndërmjetëse të mundshme, në mos si arbitër në përleshjen midis liderëve të papajtueshëm politikë. Cila është qasja juaj? Si mund ta rikthejmë në shina demokracinë në Shqipëri?

Unë mendoj se kryesorja është pjesëmarrja dhe dialogu. Kur nuk ka pjesëmarrje dhe dialog, sulmet mbushin zbrazëtirën dhe nuk ka përparim. Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të përpiqen të luajnë një rol pozitiv dhe të dobishëm në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, në mënyrë që vendi të jetë më i fortë dhe të jetë në gjendje të zërë vendin e tij si anëtar i plotë i familjes evropiane.

Një objektiv kryesor për të gjithë shqiptarët, të cilin qeveria amerikane e mbështet fuqimisht, është pranimi i Shqipërisë në BE. Vendimi me 25 mars na ka energjizuar për punën e ardhshme. Nuk ka kohë për të humbur. Shqipëria duhet të zbatojë reformat dhe të plotësojë kushtet e përfshira në vendimin e BE-së. Ofroni rezultate të qarta shpejt për të bindur vendet anëtare që jeni gati për anëtarësim. Tregoni përkushtimin tuaj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mundësive ekonomike. Sa i përket reformës në drejtësi, ne kemi arritur në një fazë kritike. Në përgjigje të kërkesës së popullit shqiptar, Kuvendi miratoi reformat katër vjet më parë. Që atëherë, pothuajse të gjitha institucionet e nevojshme janë krijuar dhe po kryhet procesi i vetingut. Tani, është koha për të zbatuar plotësisht masat e reformës. Ne jemi duke punuar shumë për të mbështetur përfundimin e SPAK-ut dhe Gjykatës Kushtetuese.

Njerëzit kanë të drejtë të jenë të padurueshëm – ata nuk duhet të vazhdojnë të presin që të shohin drejtësi. Një ndryshim i tillë themelor kërkon kohë dhe këmbëngulje. Do të jetë gjithashtu i papërsosur. Por nëse shikoni se ku filluam, është e qartë që është bërë përparim. Shpresoj që populli shqiptar të vazhdojë t’iu kërkojë llogari drejtuesve të tij dhe të kërkojë zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Ju duhet të keni një Gjykatë Kushtetuese dhe një Gjykatë të Lartë për të vendosur mbi kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e veprimeve të qeverisë. Shqipëria duhet të ketë një SPAK të gatshëm për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar zyrtarë të nivelit të lartë për korrupsion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë pjesën e vet. Do të vazhdoj të flas me palët e ndryshme, t’i nxis ata drejt qëllimit të përbashkët, drejt asaj që duan dhe meritojnë shqiptarët. Mirëpo, në fund të fundit, i takon popullit shqiptar, jo qeverisë amerikane, të vendosë të ardhmen e Shqipërisë.

A vendosni synime në punën tuaj? A ka gjëra që do të dëshironit ta shihni Shqipërinë t’i realizojë gjatë mandatit tuaj si Ambasadore?

Absolutisht. Unë dhe ekipi im kemi synime të përcaktuara nga qeveria amerikane dhe ato përqendrohen në tre përparësitë që përmenda. Do të dëshiroja që Shqipëria të bëhej një aleate më e fortë e NATO-s. Do të dëshiroja të shoh zbatimin e papenguar të reformës në drejtësi, sado e vështirë të jetë. Do të doja të shihja më shumë biznes midis SHBA-së dhe Shqipërisë. Të tre synimet do të kërkojnë punë, dhe kjo është ajo ku ekipi im dhe unë jemi përqendruar tani.

A ka një rol që mund të luajë këtu diaspora shqiptare në SHBA? Çfarë lloj kontributi do të dëshironit të shihnit?

Diaspora shqiptare është një urë e rëndësishme midis dy vendeve tona. Më bëri shumë përshtypje kur pashë diasporën të mobilizohet për të dërguar ndihma në Shqipëri pas tërmetit dhe gjatë pandemisë. Shpresoj se diaspora do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e Shqipërisë dhe të nxisë investimet amerikane dhe ndërkombëtare. Ju mund ta bëni duke ngritur zërin tuaj lidhur me gabimet dhe duke treguar rastet e suksesshme. Të gjithë e dimë fuqinë e shembullit, kështu që shpresoj se do të shohim gjithnjë e më shumë raste frymëzuese.

Diplomacia, e parë nga jashtë, është një punë për ta pasur zili, por në realitet vjen me sfida të mëdha. A ka qenë kjo punë ëndrra e juaj e hershme apo një zgjedhje aksidentale e karrierës? Si vendosët të hyni në shërbimin e jashtëm?

Në të vërtetë, plani im ishte që kur të rritesha të bëhesha avokate. Por ndonjëherë, fati ka planet e veta, dhe në rastin tim, qëlloi të jetë një gjë e mrekullueshme. Të jesh diplomate nuk ka qenë vetëm argëtuese, por sfiduese dhe përmbushëse. Asnjëherë nuk e imagjinoja se do të jetoja në vendet që kam qenë – si Kina, Turqia apo Shqipëria – dhe ndihem shumë me fat që pata mundësinë të njihja aq shumë vende, kultura, ushqime, gjuhë, e veçanërisht njerëz. Nuk besoj se ekziston ndonjë punë tjetër si kjo.

Keni mbërritur në Shqipëri në jana, dhe përkundër periudhës së shtetrrethimit, marr me mend se arritët të njihni njerëz dhe pjesë të vendit. Cila është përshtypja juaj deri tani? Çfarë mendoni për Shqipërinë dhe njerëzit e saj?

Është një nder për këdo që t’i kërkohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për ta përfaqësuar atë dhe kombin tonë të madh si ambasadore. Ndihem dyfish e nderuar që më është kërkuar të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. Nuk ka vend tjetër në botë ku Amerika përqafohet aq ngrohtësisht, asnjë vend tjetër që është një mik dhe aleat aq besnike sa Shqipëria. Ajo që kam parë deri tani në Shqipëri dhe populli shqiptar më bën krenare. Disa njerëz mund të thonë se pata fatin e keq që mbërrita pas një tërmeti dhe para një pandemie, por mendimi im është që kjo ka nxjerrë në pah më të mirën si tek shqiptarët ashtu edhe tek ne amerikanët. Ajo që kam parë në Shqipëri është guxim, këmbëngulje dhe shpresë. Nuk është rastësi që të dy vendet tona kanë zgjedhur shqiponjën si simbolin tonë kombëtar.

A keni tashmë: një gjellë të preferuar shqiptare, një autor apo artist të preferuar shqiptar, një vend i preferuar për t’u vizituar?

Shqiptari im i preferuar deri tani është pa dyshim Skënderbeu. Ai nuk ishte vetëm luftëtar, por edhe bashkues. “Bashkimi bën fuqinë!” Këto janë fjalë që ofrojnë një mësim edhe sot. E kuptoj pse Skënderbeu është heroi i vendit dhe shpresoj që populli shqiptar ta mbajë gjithnjë gjallë frymën e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here