Standard.al

‘Izolimi shkatërroi ekonominë, virusi po largohej kur ndodhi bllokimi’

0

Nga Fraser Nelson, Spectator

Norvegjia po mbledh të dhëna për të krijuar një panoramë të asaj që ndodhi përpara izolimit total dhe zbulimi i fundit është mjaft domethënës. Duke përdorur të dhëna të vëzhguara, shifra nga spitalet, numrat e infeksioneve dhe kështu me radhë- po ndërtohet një panoramë e asaj që po ndodhte në mars. Në atë kohë, askush nuk dinte gjë. Ekzistonte frika se virusi ishte i shfrenuar dhe çdo njeri infektonte nga dy deri në tre persona të tjerë- dhe vetëm bllokimi mund të ulte në një nivel të sigurt shkallën e rritjes eksponenciale, të ashtuquajturin numri R. Kjo hipotezë u hodh nga Imperial College London për Britaninë, Norvegjinë dhe disa vende evropiane.

Por autoriteti publik shëndetësor norvegjez ka publikuar një raport me një përfundim befasues: virusi nuk po përhapej me atë shpejtësi nga sa ishte frika, dhe se ishte drejt largimit në kohën kur u urdhërua izolimi. “Duket sikur shkalla efektive e riprodhimit kishte rënë në 1.1 përpara se të zbatoheshin masat e izolimit. Në retrospektivë, infeksioni kishte nisur rënien”.

Kjo shtron një pyetje të vështirë: a ishte i nevojshëm izolimi? Çfarë u arrit, që nuk mund të ishte arritur nga distancimi social vullnetar? Camilla Stoltenberg, drejtoresha e agjencisë së shëndetit publik në Norvegji ka dhënë një intervistë ku ajo është e sinqertë për pasojat e këtij zbulimi.

“Vlerësimi ynë tani, dhe mendoj se ka konsensus të gjerë për rihapjen- është se ndoshta do kishim pasur të njëjtin efekt- dhe të shmangnim pasojat e rënda- duke mos u mbyllur”. Ajo thotë se kjo është e rëndësishme të pranohet tani, për shkak se nëse ka një valë të dytë në dimër, duhet të jemi thellësisht të sinqertë mbi faktin nëse bllokimi ishte efikas.

Agjencia e statistikave në Norvegji po ashtu është e para në botë që përllogarit dëmin e përhershëm të shkaktuar nga mbyllja e shkollave: çdo javë arsimim i mohuar në shkolla, vështirëson shanset në jetë dhe ul përgjithmonë potencialin për fitime. Pra, një vend duhet të zbatojë këtë masë drakoniane vetëm nëse është i sigurt se baza për mbylljen akademike është e shëndoshë. Dhe sipas mendimit të Stoltenberg, baza për këtë nuk ishte e mirë.

Artikulli kryesor nesër në revistën Spectator argumenton se edhe britanikët meritojnë të njëjtin sinqeritet. Ka plot të dhëna në Mbretërinë e Bashkuar ku mund të bazohet raporti. Dhe nuk është e vështirë që qeveria të bëjë atë që kanë bërë autoritetet suedeze dhe norvegjeze: të prodhojnë një vlerësim për numrin R që në shkurt ose në mars. Dhe më pas përdorni këto të dhëna- dhe jo supozimet dhe modelet- për të matur efektin e izolimit total. Rezultatet e një studimi të tillë mund të jenë të pakëndshme për një qeveri, që ende kërkon të zbatojë izolimin. Por këto gjëra duhen bërë publike përfundimisht.

Mund të ketë një histori të fortë për të treguar. Të dhënat e Mbretërisë së Bashkuar mund të tregojnë se qindra-mijëra do të kishin vdekur edhe pa bllokim- dhe, edhe pse duket brutale, kjo ishte jetike. Por nëse të dhënat tregojnë diçka si në Norvegji, atëherë ky është një diskutim që duhet bërë. Artikulli ynë kryesor përfundon me këtë pikë:

“Tani është koha për të rimarrë liritë dhe për të kaluar në një sistem vullnetar: të kërkojmë kujdes të vazhdueshëm, por të kërkojmë nga njerëzit që të përdorin sensin e përbashkët. Vendi është gati që të marrë besimin përsipër. Pyetja është nëse kryeministri ndjehet i gatshëm që të na besojë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.