Eksperimentet e Ramës si provë për diktaturën e re…

0
106
 Nga Namir Lapardhaja

Kushdo që nuk e kishte besuar deri këtë të diel kohën e provës së Kryeministrit Rama me durimin e shqiptarëve ndaj çdo mase kufizuese, në emër të pandemisë, tashmë nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Lajmi i tij për të vijuar edhe pas verës kufizimet, ndërkohë që askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, janë vazhdim i talljes së hapur publike me ta, tashmë pa asnjë frikë se do të ketë revoltë.

Këtë mungesë vetëdijeje, këtë mpirje të shoqërisë, ai e vulosi fundjavën e shkuar kur prishi godinën e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që njerëzit i kërkonin llogari Lulzim Bashës se përse nuk e ndaloi. A thua se Basha dhe Rama ishin me polici dhe struktura të barabarta shtetërore dhe kreu i PD-së u tregua i pavendosur! Kjo është një tjetër histori, që ndodh rëndom me manipulimin që bëjnë të gjithë autoritaristët, ku i gjithë debati fokusohet te kundërshtari. Madje, edhe ata me bindje të majtë, u justifikuan që nuk shkuan në protestë se “ishin ata të PD-së”. Pra, pranojnë të dhunohen, të përdoren, të jenë në një diktaturë të re, ku do i përcaktohet se ku do të dalë, kur do përdorë makinën, apo se cilët miq do të duhet të takojë, pasi nuk i besojnë liderit të opozitës.

Ky lloj paradoksi është pikërisht ai që i duhet Ramës për të vijuar provat e tij eksperimentale të talljes me shqiptarët. Sikur të jetë një kryevirolog, shpall masat pesë muaj përpara. Ai është njëkohësisht edhe një frikacak. E tregoi mëngjesin e faljes së Bajramit nga muslimanët, që, edhe pse i kishte ndaluar të dilnin nga shtëpitë, ata e sfiduan. Pra, kur njerëzit bashkohen, atëherë Rama nuk del dot nga furriku i Surrelit. Dhe si një frikacak, që nuk e pranon se u frikësua, del në mbrëmje dhe, ashtu, i zemëruar nga sfida e besimtarëve, shpall ndalesa dhe eksperimente sociale për muajt në vazhdim.

Pas këtyre paralajmërimeve, mosreagimi ndaj Ramës është vetëm një justifikim më shumë që anon nga perversiteti. Kush mendon se e bënë këtë se nuk është me opozitën, është thjesht një njeri që kërkon t’i fshihet së vërtetës. Kjo do ndodhë edhe për pak kohë.

Historia e diktaturave ka treguar se, gjetja e grupeve armiqësore, e grupeve kundërshtuese, është narrativa e domosdoshme për të vijuar. E nëse deri më tani e ka gjetur këtë narrativë vetëm te Lulzim Basha, nga tetori do nisë ta kërkojë kudo. Sepse mbajtja e një pushteti të tillë nuk bëhet vetëm me ndëshkimin e fajtorëve dhe të kundërshtarëve. Një pushtet i tillë ka nevojë të ndëshkojë, më shumë se gjithçka, të pafajshmit.

Ndëshkimi i njerëzve të zakonshëm është qëllimi i pushtetit të diktaturave dhe autokracive, pasi kështu ata mbajnë gjithnjë nën fre bashkimin e shumicës së qytetarëve, duke i bërë të besojnë se nuk kemi nevojë për asnjë ndryshim. Edi Rama nuk ka nevojë më për asgjë më shumë. Nuk ka nevojë të na saktësojë listën e rrugëve që duhet të ecim, të njerëzve që duhet të takojmë, numrin e miqve që duhet të kemi, të fëmijëve që duhet të bëjmë. Mjaftojnë këto eksperimente sociale dhe ai është gati të vendosë vetë llojin e qeverisjes. Sepse shumica është munduar të gjejë një justifikim, duke besuar në mënyrë naive te një njeri që as nuk do t’ia dijë për liritë apo për pronën e individëve.

Projekti ka nisur me eliminimin e gjykatave. Tashmë edhe institucioni i hetimit, duke qenë se ka në krye një ish-prokuror të kohës së diktaturës, duket se e ka të lehtë të nisë llojin e ri të hetimit për agjitacion-propagandë.

Edi Rama nuk largohet nga idetë e tij për t’i marrë shqiptarëve çdo lloj lirie nga revoltat e facebook-ut. Edi Rama ka nevojë që shqiptarët të zgjohen e të kuptojnë se çdo ditë po humbin nga liria e tyre dhe se historia e diktaturës nuk është më aq larg. Natyrisht, ëndrra e tij është që qeveria të furnizojë shqiptarët me nga një qese me bukë dhe të mos vdesin urie. Këtë po, ka shumë gjasa që ta bëjë. Dhe mund të ndodhë, nëse do vijojmë me justifikimet se “PD nuk është e fortë”, se “Fajin e ka Basha”, se “Hija e Berishës është aty”.

As shpresat se ndërkombëtarët do e zgjojnë këtë popull nuk vlejnë, pas këtu ishte Enver Hoxha për 45 vite duke e dhunuar në çdo aspekt.

Ne rrezikojmë të mos ia dimë vërtet të keqen asaj kohe, sepse në këto tridhejtë vite nuk e lexuam kurrë si duhet, duke e lënë të shkuarën të na zërë sytë, e të kthehet si nostalgji.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here