Zbulohen dokumentet/ Si dhe kush e prishi kishën e Vaut të Dejës e shekullit të XIII, denoncimi nga legjenda e Institutit të Monumenteve dhe vendimi i Prokurorisë

0
174

Historia e panjohur e prishjes dhe shkatërrimit të Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës në fillimin e qershorit të vitit 1969, i cili ishte një objekt kulti me vlera të rralla për trashëgiminë kulturore shqiptare, pasi ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe konsiderohej si një nga të vetmet ndërtime të mbetur ende në këmbë që nga periudha e para pushtimit turk, çka e bënte atë unik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan si i tillë, ishte futur e përfshirë edhe në katalogët e revistat europiane të trashëgimisë kulturore.

Si reagoi drejtori dhe njëkohësisht themeluesi e legjenda e Institutit të Monumenteve të Kulturës, arkitekti i njohur Gani Strazimiri, (i diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), duke denoncuar në Prokurorinë e Shkodrës dhe Prokurorinë e Përgjithshme, të gjithë autorët e atij akti vandal, si drejtorin e kantierit të ndërtimit, Muhedin Muço, brigadierin, Hashim Zyberi (“Hero i Punës Socialiste”), drejtorin e Ndërrmarjes Shtetërore të Ndërtimit të Hidrocentralit, Emin Musliu, etj., duke i konsideruar ata si fajtorët kryesorë dhe duke kërkuar nxjerrjen e tyre para gjyqit për krimin që kishin bërë, si dhe pushimin e çështjes penale disa muaj më vonë nga Prokuroria e cila doli në konkluzionin se: “drejtori i kantierit të ndërtimit, nuk e dinte se ajo kishë ishte monument kulture, pasi nuk e kishte parë tabelën në derën e saj, ku thuhej se ajo mbrohej nga shteti”?!

Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjysmë shekulli nga prishja dhe shkatërrimi i Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila ishte ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe ishte i vetmi objekt kulti që mbahej në këmbë nga ato që i përkisnin periudhës së para pushtimit turk, madje duke u konsideruar si një nga objektet e trashëgimisë kulturore me vlera të rralla dhe unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ende dhe sot e kësaj dite vazhdon të diskutohet dhe të përflitet, jo vetëm për rëndësinë e madhe që kishte ai objekt që mbrohej nga shteti si Monument Kulture, por edhe për mënyrën se si e prishën dhe kush ishin ata që urdhëruan shkatërrimin e saj?! Që prej atij fillim qershori të vitit 1969, kur atij objekti të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare që ishte futur edhe në katalogët e revistat e ndryshme europiane, i doli “tymi i zi”, kanë qarkulluar e vazhdojnë ende gojdhëna dhe dëshmi nga më të ndryshmet, duke mos “rakorduar” kurrë në një emër konkret, si për autorin e vërtetë të shkatërrimit të saj dhe ata që u fshehën pas tij…?!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kjo ngjarje që është konsideruar me të drejtë nga shumë personalitete të trashëgimisë kulturore, studiues të ndryshëm, etj., si një nga vandalizmat më të mëdha të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në “aksionin e madh për luftën kundra besimeve fetare” që çoi në shaktërrimin e rrënimin e dhjetëra objekteve të kultit me vlera të mëdha kulturore. Lidhur me këtë ngjarje të pashoqe, që atë ditë kur sapo u mësua lajmi, apo më saktë “mënxyra”, se ajo nuk ekzistonte më, drejtori dhe njëkohësisht themeluesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, arkitekti i njohur, Gani Strazimiri, (i shkolluar dhe diplomuar në Itali dhe Bashkimin Sovjetik), i njohur ndryshe si “legjenda e monumenteve të kulturës”, bëri denoncimin në prokurori dhe hodhi shtetin në gjyq. Dhe pas një kalvari të gjatë të tij, duke trokitur në zyrat më të larta të shtetit komunist të asaj kohe, ku ai bëri denoncime me emra konkret për autorët e asaj maskare, si dhe me letra, telegrame, raporte, informacione, etj., ajo çështje u mbyll nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentin më banal të mundshëm, se: “drejtori i kantierit që urdhëroi shkatërrimin e asaj kishe, nuk e dinte se ajo ishte monument kulture, pasi nuk e pa tabellën që ishte te dera e saj”?!

Lidhur me këtë ngjarje dhe gjithë historinë e shkatërrimit të atij objekti kulti që tashmë ka mbetur vetëm në memorien e atyre njerëzve që kanë pasur rastin dhe fatin ta shohin nga afër, apo në disa imazheve filmike e fotove të rralla, na njohin disa dokumente arkivore që Memorie.al i ka siguruar nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku dëshmohet qartë dhe saktë, “fytyra” e vërtetë e atij regjimi, që edhe pse mori vendimin për prishjen e asaj kishe, s’pati kurajo t’i dilte zot atij veprimi, por u fsheh pas disa punëtorësh e drejtues të një kantieri ndërtimi që punonin në ngritjen Hidrocentralit të Vaut të Dejës, duke thënë se: “ata e prishën me iniciativë në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare”?!

Telegrami urgjent i Institutit të Monumenteve, drejtuar Prokurorisë së Shkodrës, ku denoncon prishjen e Kishës së Vaut të Dejës
11. 6. 1969

Tiranë
Prokurorisë Shkodër, për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë
Informohemi se është hedhur në erë me mina Kisha e shekullit të XIII-të e Vaut të Dejës që mbrohet me ligj nga shteti. Lutemi të bëni ndjekje ligjore.

Instituti i Monumenteve
Proces-verbali për prishjen e kishës, i mbajtur nga përfaqësuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës

PROCES – VERBAL
I mbajtur sot më datën 12/6/1969 në Shkodër nga inspektori i seksionit të arsimit dhe kulturës të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Shkodër, Agim Kodraliu edhe përfaqësuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Miltiadh Papa mbi shkatërrimin e kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila është shpallur monument kulture.

Rreth datës 30/5/1969 (data ekzakt nuk u vërtetua) kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, në portën e së cilës ishte vendosur tabella e monumentve të kulturës, u hodh në erë me dinamit. Mbasi u takuam me drejtorin e N.SH.N. Hidroelektro, të Vaut të Dejës, dhe sekretarin e Komitetit të Partisë së Ndërrmarjes, na u tha në fillim se punëtorët me inisiativën e tyre, për të zhdukur influencën e fesë, shkatërruan monumentin. Patsaj drejtori na tha se kishte dijeni për shkatërrimin e tij dhe ky veprim i dukej krejt normal.

Sot kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës është krejtësisht e shkatërruar dhe përveç grumbullit të gurëve nuk ruhet asnjë gjurmë tjetër.

Përfaqësuesi i Instit. Mon. Kult.
(Miltjadh Papa)

Inspektori i Arsimit dhe të Kult. Pranë K.E. K.P. Shkodër
(Agim Kodraliu)

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS
Vërtetohet se është njësoj me origjinalin

KRYETARI I DEGËS SË PLAN-ADMINISTRATËS
P(Nikolla Leshnja)

Letra e Drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gani Strazimiri, për Prokurorinë e Shkodrës, ku denoncon autorët e prishjes së kishës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS Tiranë, 16/6/1969
PROKURORISË SË RRETHIT

SHKODËR

PROKURORISË TIRANË

Në vijim të telegramit tonë Nr.5/13 datë 11/6/1969, ju sqarojmë rrethanat që kosntatuam rreth shkatërrimit të Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e cila është shpallur momunent kulture.

Siç do të shifet dhe në proces-verbalin, të cilin u’a dërgojmë bashkangjitur, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës u shkatërrua plotësisht me lëndë eksplozive, bashkë me kishën e madhe pranë saj, e cila nuk ishte monument kulture, por ishte adaptuar për kino-klub.

Në portën e kishës së shpallur monument kulture ishte vendosur tabela përkatëse dhe dihej prej të gjithëve se ishte vënë nën mbrojtjen shtetërore. Edhe mbas studimit që i’u bë të gjithë monumenteve fetare nga një komision i ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës dhe seleksionimit të tyre, kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës kishte mbetur përsëri monument. Lista përfundimtare e monumenteve fetare i’u dërgua Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës me shkresën e Ministrisë së Arësimit dhe Kulturës Nr.68/7 Prot. Datë 30/5/1969, por Kisha e Vaut të Dejës ka qenë shpallur qysh përpara monument dhe asnjëherë nuk u bë fjalë për heqjen e saj nga mbrojtja shtetërore, kështu që nuk kishte vënd të lindëte ndonjë keqkuptim në këtë drejtim.

Pasi muarrëm vesh për shkatërrimin e monumentit dërguam përfaqësuesin tonë për të verfikuar këtë fakt në vënd dhe u takua me drejtorin e N.SH.N. Hidroelektrike të Vaut të Dejës shokun Emin Musliu, i cili megjithëse ishte në dijeni të plotë për veprimin që do të kryhej, në fillim pretendonte se monumenti u hodh në erë me inisiativën e punëtorëve, në kuadrin e luftës kundër ideologjisë fetare, por nga biseda e mëtjejëshme u nënkuptua se ai ishte shkakëtari kryesor i asgjesimit të këtij monumenti, përderisa u shpreh se “edhe po të ketë monumente të tjera fetare në territorin e hidrocentralit, do t’i shkatërrojmë”. Pretendimi se punëtorët, pa dijeninë e drejtorisë hodhën në erë monumentin, na duket krejtësisht pa baza, mbasi nuk mund të përdoret lëndë eksplozive nga kushdoqoftë, aq më tepër në territorin e Vaut të Dejës që është populluar dëndur.

Monumenti u shkatërrua jo pse ishte e domosdoshëme për ndërtimin e hidrocentralit, fakt që nuk u mohua nga drejtuesit e tij, por edhe sikur të pranohet për një moment ky variant, duhej vepruar konform rregullores “Mbi ruajtjen e monumenteve të kulturës”, aprovuar me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 130. Datë 9/4/1955.

Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës ishte një monument me rëndësi të madhe arkitekturale dhe artistike, i ndërtuar në shekullin e XIII-të dhe i vetmi i stilit romak që ruhej në vëndin tonë, për këtë arsye shkatërrimi i tij solli një humbje të madhe trashëgimisë të së kaluarës në fushën e kulturës materiale.

Mendojmë në përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin e këtij monumenti të rëndësishëm e ka drejtori i N.SH.N. Hidroelektro të Vaut të Dejës, shoku Emin Musliu dhe kërkojmë që të bëhen ndjekje penale në bazë të paragrafit të dytë të nenit 265 të kodit penal. Theksojmë se ky nuk është i vetmi rast i shkatërrimit të monumenteve në rrethin e Shkodrës, prandaj dënimi do të ketë efekt për mbrotjen e monumenteve të tjera në të ardhmen.

DREJTORI
(Gani Strazimiri)

Ankesa e Gani Strazimirit në Prokurorinë e Përgjithshme, për pushimin e çështjes penale nga Prokuroria e Shkodrës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS

Nr. 5/25 Prot. Tiranë më 30/8/1969

PROKURORISË SË PËRGJITHËSHME

TIRANË

Prokuroria e rrethit të Shkodrës me shkresën Nr. 192/3 Prot. Datë 15/8/1969 na dërgon vendimin për pushimin e çështjes penale lidhur me denoncimin tonë të bërë me telegramin e datës 11/VI/1969 dhe me shkresën e Prot. Datë 16/6/1969 për shkatërrimin e Monumentit të Kulturës, kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës. Ne nuk jemi dakort me këtë vendim për këto arsye:

Vendimi për pushimin e çështjes penale që bazohet në nenin e K.Pr.P. nuk është i argumentuar dhe ka kontradikta në vehtëvete. Më gjerë në fillim për-shkruhen rrethanat mbi shkatërrimin e monumentit, pranohet fakti se drejtori i kantierit të Qyrsaqit Muhedin Muçua dha urdhër për këtë gjë, në fund me një arsyetim pa baza duke aplikuar pa vënd nenin 98/5, shkarkohet ai nga përgjegjësia penale. Në rastin konkret veprimet e kundraligjëshme të Muhedin Muços, ose ndonjë personi tjetër, përmbajnë përafërsisht element të figurës së krimit të parashikuar nga neni 265/2 i Kodit Penal.
Hetimi i çështjes nuk është i plotë, për arsye se, ne mendojmë se fajtori kryesor për shkatërrimin e monumentit është drejtori i N.SH.N. të Hidro-Elektro të Vaut të Dejës, Emin Musliu, i cili as që u muarr fare në pyetje nga hetuesia. Punonjësi i Institutit tonë që u dërgua për të verifikuar në vënd çështjen e shkatërrimit të monumentit, u takua me Emin Musliun, i cili duke treguar një nënvleftësim të theksuar për monumentet e kësaj gjinije, i tha se jo vetëm që ishte në dijeni të çështjes, por edhe po të ketë monumente të tjera të tilla në territorin e hidroçentralit do t’i shkatërrojnë! Por shprehje më mospërfillëse, që kanë indinjuar tërë kolektivin e këtij Instituti, pjesërisht janë fiksuar edhe në proces-verbalin që ju kemi dërguar me rastin e denoncimit. Por edhe vetë fakti se në qëndër të kantierit të Vaut të Dejës u bënë përgatitje për të hedhur në erë një objekt me lëndë eksplozive, nuk lë asnjë dyshim se drejtuesit kryesorë të ndërrmarjes, nëse nuk e kanë urdhëruar një veprim të tillë, të paktën e kanë aprovuar. Bile mendimi ynë është se në rastin konkret nuk duhet të jetë vepruar pa dijeninë e drejtuesëve në rreth.
Megjithatë, përderisa, Muhedin Muçua merr përsipër fajin, me sa mendojmë, për të fsheur autorin kryesor të veprës, sepse siç u tha është e pamundur që drejtori i ndëqrrmarjes të mos ketë aprovuar këtë veprim. Se ai duhet të përgjigjet penalisht.

Gjithashtu, me gjithëse u zgjat tre muaj, hetimi i çështjes ka qenë i njëanëshmë, përderisa u pyetën vetëm personat që kanë kryer, ose kanë lidhje me krimin dhe as që u thirr fare në hetuesi punonjësi i Institutit Miltiadh Papa, që shkoj në vëndin e ngjarjes dhe u takua me drejtuesit kryesorë të Hidroçentralit, të cilët nuk mohuan aspak faktin, se ishin të vetëdijshëm për shkatërrimin e monumentit.

Në bazë të vendimit të hetuesisë të rrethit të Shkodrës, arsye për pushimin e çështjes penale, pranohet fakti që Muhedin Muçua nuk dinte që kisha e Shën Mërisë ishte monument kulture. Këtë konkluzion e hedh poshtë vetë arsyetimi i vendimit, gjersa pranohet se në derën e kishës ishte vendosur tabela përkatëse. Nga vendimi, del se këtë arsye nuk e dinte Muhedin Muçua vetë, i cili për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale, thotë se ai nuk ka dhënë urdhër për prishjen e kishës, gjë që përgënjeshtrohet nga deponimet e Ingj. Vangjel Paskos, teknikut, Gani Beqiri dhe brigadierit, Hazhim Zyberi.
Në fillim të punimeve për ndërtimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, u interesuam dhe konstatuam se kisha e Shën Mërisë ishte jashtë territorit të punimeve dhe nuk pengonte kryerjen e tyre. Fakti se ajo ishte monument kulture, është e pamundur që të mos dihej prej punonjësve të Hidrocentralit dhe sidomos prej drejtuesëve kruesorë të punimve, siç është Muhedin Muçua. Edhe po të pranohet për një moment thënia e tij, atëherë inxhinjeri, tekniku dhe brigadieri që studiuan në vënd hedhjen e kishës në erë, të paktën kanë parë se në portën e saj ishte vendosur tabella e monumenteve të kulturës dhe këtë gjë duhet t’ja kenë thënë drejtorit të kantierit të tyre.

Para dy vjetëve me rastin që kisha e madhe, e cila nuk ka qenë monument kulture u adaptua për kino-klub, patjetër është bërë e ditur, e ndryshe pse nuk vihej dorë edhe në kishën e vogël. Gjithashtu i pabesuesdhëm është dhe pretendimi i Muhedin Muços, se nuk ka qenë kurrë në vëndin e ngjarjes, se siç u tha, kisha e madhe ngjitur me monumentin e kulturës, për një kohë të gjatë ka shërbyer si kino-klub për punëtorët dhe ai është drejtor kantieri. Megjithatë, Këshilli Popullor i fshatit Vaut të Dejës, si organ i pushtetut lokal në vënd, ka qenë rilajmëruar se kisha e Shën Mërisë është monument kulture me shkresën tonë Nr. 6/11 Prot. Datë 1/4/1966. Ju ritheksojmë se ekzistenca e tabellës në derën e monumentit është fakti kryesor që hedh poshtë pretendimin e shkatërruesëve të tij dhe arsyetimin e vendimit për pushimin e çështjes penale.

Pretendimi se kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës u shkatërrua për të zhdukur influencën e fesë tek fshatarët na duket krejt pa baza dhe për këto raste shoku Enver në raportin “Mbi rolin dhe detyrat e Frontit Demokratik në luftën për fitoren e plotë të socializmnit në Shqipëri”, 14/9/1967, ka thënë: “Duhet luftuar koncepti i gabuar se feja është kisha, xhamia, prifti, hoxha, ikonat etj., dhe se po u zhdukën këto, u zhduk automatikisht dhe feja e ndikimi i saj në popull”. Populli ynë është i ndërgjegjshëm dhe bën shumë mirë diferencimin midis ndërtimeve të kultit që janë shpallur monument kulture dhe institucioneve fetare. Ky dallim në mënyrë shumë të qartë dhe në praktikë në Vaun e Dejës, përderisa, para disa vjetëve nga dy kishat, ngjitur midis tyre, njëra që ishte monument kulture nuk u prek, kurse tjera u adaptua për kino-klub. Këto gjëra i kanë patur shumë të qarta, patjetër, si punëtorët, aq më tepër…/Memorie.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here