Standard.al

Prova e ndershmërisë

0

Nga Tonin Çobani

 

Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Çdo të thotë? Se mund të kemi zgjedhje të lira dhe të pandershme? Apo se mund të kemi zgjedhje jo të lira, por, ama, të ndershme: madje shumë të ndershme, të ndershme 100 karat.
Përdora fjalën ‘karat’ se unë nuk gjej një masë tjetër për të treguar ndershmërinë. Dhe nuk arrij të kuptoj se kujt do t’ia bëjmë provën e ndershmërisë për një palë zgjedhje të kryera apo që priten të bëhen: subjektit politik? Kandidatit të tij? Komisionit Qendror (dhe lokal) të Zgjedhjeve? Apo qendrës së votimit të lagjes, ku secili nga ne me vullnetin e vet të lirë (dhe me ndershmëri) hedh votën e vet?
Ndër kaq u kujtova. Ndershmëria (ose jo ndershmëria) fillon e mbaron, ndoshta, te numërimi i votave: (numërimi dhe rinumërimi). Atëherë prova e ndershmërisë duhet kërkuar te numëruesit e votave. Atyre duhet t’ua vëmë aparatin e karatëve të ndershmërisë, siç u vihet aparati i temperaturës të dyshuarve për Kovid-19, me gjithë se e dimë se vetëm temperatura nuk dëshmon rrezikshmërinë e kërkuar për ta parandaluar pandeminë e koronavirusit. Ashtu siç e dimë se detyra e numëruesve nuk matet me karat (si ndershmëria), por me përgjegjësinë e tyre para ligjit.
Dhe, me sa di unë, këta ligje janë të shkruara në çdo legjislacion zgjedhor të një shoqërie demokratike. Dhe kudo ku zbatohen këta ligje, duke dënuar meritueshëm personat që i shkelin ata, zgjedhjet janë të rregullta edhepse, ndoshta, aspak të ndershme ose ku di unë diçka tjetër, ndoshta, ndonjë sinonim i çfarëdoshëm për fjalën ‘ndershmëri’.
Por ndershmëria e zgjedhjeve nuk mund të mbetet te numëruesit e votave, që shpesh herë janë militantë të partive. Ndershmëria (edhe pandershmëria) e zgjedhjeve nis te komisionet bipartiake që vonohen në debate pa fund kinse po i shërbejnë zgjedhjeve të ndershme demokratike pa i lënë kohë zgjedhësve as për të menduar për ligjin që duhet të funksionojë si për njërin, si për tjetrin (në mënyrë të barabartë) për atë çfarë bëjnë (dhe nuk bëjnë) të zgjedhurit prej tyre gjatë tërë kohës së mandatit.
Pyetja e ngritur që në krye të këtij shënimi ishte: ç’do të thotë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Ndërsa duke e përfunduar shënimin tim më vjen pyetja: kush e zëvendësoi i pari fjalën ‘ligj’ (ligjet e shtetit) si “normë a rregull… që është i detyrueshëm për të gjitha organet shtetërore e për të gjithë shtetasit” me fjalën nder që është “tërësia e vetive a e tipareve morale të njeriut? Po të tjerët përse heshtin përpara një fakti të tillë shtrembërues?

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.