Standard.al

Na grabite demokracinë, shembe teatrin, tani eja e na merr edhe jetën në shtëpinë tonë…

0
Nga Ndriçim Mehmeti

Kur njerëzit bënin thirrje për të mbrojtur teatrin, në emër të mbrojtjes së demokracisë, shkrova një status, në të cilin nënvizoja se: ‘Demokracia ka vdekur me kohë, por të dalim e të mbrojmë e të tregojmë qytetarinë tonë’.

Demokracinë kryeministri i vendit, e ka grabitur me kohë,  ashtu siç grabiti prona, njerëz në mes të rrugës prej bandave që ushqehen prej tij, mori peng të ardhmen e rinisë, duke shkatërruar arsimin dhe në fund i dha dhe goditjen simbolit të kulturës, historisë, albanologjisë dhe diktaturës, në mes të Kryeqytetit, Teatri tonë Kombëtar.

Të gjitha këto kanë ndodhur edhe shumë të zeza se kaq, por unë të paktën shpresoja se do të ruhej fryma e qytetarisë, jo vetëm e nostalgjisë, shpirti për të ruajtur gjërat që na tregojnë historinë edhe nëse doni ti quajmë karakatinë, në vend të dëshirës së madhe për shkatërrim,  krenari për atë pak histori të qyteteve tona e në mënyrë të veçantë të kryeqytetit. Kjo së paku për mendimin tim nuk ndodhi në natën e zezë të 17 majit. Kryeministri tregoi edhe njëherë, si ngaherë, se nuk pyet për askënd, as për artistë, as për gazetarë, as për fëmijë, as për studentë, as për gra.

Po ne që e quajmë veten qytetarë, kur e morëm vesh të gjithë këtë gjëmë, çfarë bëmë?

Shamë e mallkuam madje dikush edhe me libër shtëpie, në FB, me njëri-tjetrin, me komshiun, por pa nxjerrë këmbën jashtë e të shkonim tek Teatri. Nuk lamë gjë pa thënë për opozitën, që na ‘gënjeu e na zhgënjeu’, por përsëri nga shtëpia edhe kur opozitat bënte thirrje të vijueshme për të dalë në rrugë.

Me opozitën meqë ra fjala e kanë të gjithë të lehtë ta shajnë, sepse ajo nuk u bën gjë, vetëm fjalën dhe aksionin politik ka në dorë, ndërsa me qeverinë e morëm pak më butë. ‘U nxitua pak po për shijet e mia estetike duhej shembur, nuk jam aktor por mendoj se qeveritarët do të bënin mirë të flisnin me të gjithë, por ja që u bë, opozita e politizoj, prandaj u fashit aksioni qytetar për mbrojtjen e teatrit’, e të tilla broçkulla të këtij lloji.

Folëm e shkruajtëm, gjatë, por tërthorazi, pa i rënë në kokë, atij që e meritonte dhe si e meritonte. Na morën zvarrë fëmijët në mes të ditës, sikur të mos mjaftonte ajo që ndodhi një ditë më parë në teatër dhe ajo që pamë 5 ditë më parë, me rrahjen barbare të një adoleshenti prej policisë së klikës në pushtet dhe ne nuk shkuam ti vëmë duart në fyt, secilit prej banditëve me uniformë të policisë.

Prisja me kërshëri që në bllok, trupa mësimore e Liceut Artistik, ku ka studiuar Blendi Shahu, dhe trupa akademike e Universitetit të Arteve në Tiranë ku studion Blendi, të dinin e të thoshin një fjalë solidarizimi, me të, për një ngjarje dhune të zhvilluar në ditën me diell, nga barbarë të veshur me uniformën e Shtetit. Shumë pak zëra pedagogësh u ngritën e pasuar nga heshtja e përgjithshme.

Mësuesit e Liceut nuk folën dhe me siguri e mbrojnë veten me shprehjen bajate ‘kemi frikë se do të na pushojnë nga puna’. Pedagogët jo e jo, se janë në prag të fushatës për një vend drejtuesi, janë në pension dhe u duhen përsëri orët vitin tjetër, do hyjnë në ndonjë komision të Ministrisë së Arsimit dhe u duhet CV e pastër, që do përkthehet jo në zotësi profesione, por mbi të gjitha, asnjë fjalë kundër Shefit të madh, që quhet gabimisht në gjuhën e përditshme të demokracisë kryeministër.

Teatri u rrafshua dhe për t’ia arritur kësaj, bashkuan votat e tyre të gjithë zëvendësministrat pjesëtarë të Komitetit Teknik të Ekspertëve, që na thoshin nga mëngjesi në darkë, ‘lani duart, pleqtë rasini në ndonjë dhomë më vete, ose në bodrum po keni shtëpi private’. Po të njëjtët njerëz, i dhanë izmën një lukunie të tërë të quajtur policë, që sup më sup e gojë më gojë të marrin zvarrë të gjithë qytetarët e këtij vendi pa asnjë dallim, që patën kurajën të përballeshin me të keqen. Madje në ditët e muajit të bekuar të Ramazanit, besimtarë në pamje të parë, vulosën përdhosjen e kulturës kombëtare me votën e tyre.

Po pas kësaj heshtje dhe indiference çfarë pritet?

Për aq ditë sa i kanë mbetur në pushtet, tani fjalën e ka Rama dhe sejmenët e tij të quajtur ministra. Nuk ka parlament, nuk ka gjykata, nuk zë të fuqishëm qytetar dhe gjithçka i ka mbetur aksionit opozitar. Qytetaria ka rënë me alibi qesharake, ‘po na filmojnë, sapo u fut djali në punë, nusja është shtatzënë dhe tronditet, kam vajzën maturante, më ka thënë shefja, se po të pashë më mos u duk në godinë’ etj, etj.

Na rrahën fëmijët dhe nuk pashë gratë e famshme të OJF-ve që dilnin me parulla për masturbimin, të na thoshin ndonjë fjalë më shumë, nuk pamë ata gazetarët e revoltuar për pëllëmbën e Luan Ramës në faqen e Babaramos, të dalin e protestojnë për shkelmat dhe dhunën shtazarake të krerëve të policisë së Tiranës, në mes të rrugës, të dokumentuar me zë e figurë, ndaj kolegut të tyre Alfred Lela. Madje pati prej tyre, me shije të ‘hollë artistike’ të tipit francez (ndonëse pjesën më të madhe e kanë kaluar në humbëtirë), që thanë ‘nuk e dimë, nuk e kemi parë’, e madje kishin argumente ‘të forta’, se dhuna e gjeneruar në protestë, erdhi si rezultat i një provakacija të protestuesve ‘maskarenj’.

Unë vetë nuk prisja ndonjë reagim institucional drejtuar ministrit të luftës dhe dhunës Sandër Leshi, po thashë se do të dilnin nja 10 a 15 gazetarë, të cilët të ‘me fytyrën e brengosur’ dhe duhanin në duart që do ti ‘dridheshin’, do të rrinin në heshtje para zyrës së Sandrit. Në fakt ajo që prisja edhe po e pres akoma, është që kolegët e Lelës të deklarojnë studio më studio, e portal më portal, se ‘pëllëmba ndaj Babramos, ishte shumë  më e fortë, më kërcënuese, më dhunuese, më poshtëruese, më barbare’ se shembja e qafës, brinjëve apo dëmtimi i organeve të brendshme të Lelës.

Po ashtu as nuk prisja edhe as nuk pres që në shesh të dalin mbrojtësit e kangjellave, shatërvanëve të vjetër, garnizonit të gjyshërve të tyre në kohën e Zogut, që janë vëllezërit siamezë, Lame-Shkreli. ‘Dashnorët’ dhe ‘luftëtarët e paepur’ të ruajtjes së monumenteve të kulturës me Forumin e tyre të Mbrojtjes, jo vetëm që nuk e rruajnë fare për teatrin e dhjetëra godina e vende të historisë tonë, por fërkojnë duart pas çdo shembje që bëhet.

Ata mendojnë se çfarë do të maçalisnin ndonjë gjë të vogël, që do tu hidhet dhe atyre: një projekt, a një studim vizibilitetit, ndonjë oponencë e vogël, që sigurisht nxjerr pare të madhe. Kur këta nuk dalin e nuk kanë për të dalë, derisa të jenë në opozitë nesër, nuk pres ndonjë gjë të madhe, as nga Auroni e as nga Eftimi e shumë e shumë emra.

Prandaj tani pres të bësh një gjë z. Kryeministër: Çojë deri në fund atë që ke nisur, pa menduar dy herë. Eja në mes të natës a të ditës, kur të kesh qejf dhe na dhuno e na i merr edhe jetën në pragun e shtëpisë tonë, se shpirtin na i ke grabitur me kohë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.