Standard.al

Ilir Meta dhe reforma, retrospektiva faktike për të gjithë kujtesë-humburit dhe symbyllurit me vetëdije!

0

Një lojë e pisët po luhet sërish me reformën në drejtësi. Një reforma gati e vdekur, që Presidenti i vendit prej dy vitesh po përpiqet me çdo mundësi ta rikthejë në shinat kushtetuese e ligjore, e ndërsa ajo po zhytet thellë e më thellë në ilegjitimitet.

Se çfarë ka ndodhur me tjetërsimin e reformës në drejtësi nga nata e 21 korrikut 2016, kur paketa me ndryshime kushtetuese u votua me unanimitet nga Kuvendi deri më sot, nuk ka më shqiptar që nuk e di. Mjafton të shohësh sondazhet e institucioneve të pavarura për të kuptuar se besimi i shqiptarëve te kjo reformë ka rënë në minimum.  ( sondazhi i fundit i PNUD tregon se besimi nga 90% që ishte ne 2016 ka rrëshqitur sot në 32% ).

Dhe kjo mungesë besimi e shqiptarëve ka ardhur për shkak të faktit se provat e kapjes së sistemit të ri të drejtësisë ishin dhe vazhdojnë të shfaqen në mënyrë aq ulëritëse, sa edhe rilindasi më ekstrem nuk mund më të mbrojë tezën e një “drejtësie të re”.

E megjithatë Rilindja me mbështetjen e një klani vendas e të huaj, po synon ta godasë përfundimisht reformën gati të vdekur të drejtësisë, duke ju rikthyer sërish lojës së “armiqve” të reformës. Dhe si gjithnjë, prozhektorët e kësaj loje mafioze janë drejtuar mbi kreun e shtetit.

Por të ndalemi pak e të analizojmë shkurt, qetësisht e ftohtë rolin e Ilir Metës, përgjithësisht te kjo reformë, e më pak në veçanti te reformat e tjera të kërkuara nga BE e SHBA si hapa të rëndësishëm për integrimin e vendit.

Në parantezë, vlen të theksohet se asnjëherë Ilir Meta s’ka qenë lojtar i marrëveshjeve të fshehta. Ai ka folur gjithnjë ballazi dhe në mbështetje të ligjit e kushtetutës. Kujtojmë votimin e paketës me ndryshime kushtetuese në mesnatën e 21 korrikut 2016, ku në unanimitet deputetët e Kuvendit votuan një hap historik për vendin.

Ishte kontributi i kryetarit të Kuvendit në atë kohë, që mundësoii një votim konsensual dhe në shinat e piketuara nga Komisioni i Venecias. Për të mos folur gjatë mbi këtë pikë, askush nuk ka harruar draftin fillestar të Rilindjes me “ekspertët e nivelit të lartë” që e kthente paketën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi në një mashë në dorën e pushtetit. Ishte Venecia ajo që rrëzoi 70% të këtij drafti, duke kthyer procesin në fillesë sërish, me mundësimin kështu të një rruge të re konsensuale mes palëve.

Edhe pse në koalicion me PS-në, Ilir Meta këmbënguli deri në fund për një reformë konsensuale me opozitën ( në atë kohë PD) dhe mbi të gjitha për një paketë të mbështetur pikë për pikë te e rekomandimet e Venecias, arbitrit më të paanshëm në gjithë këtë çështje. Në kulmin e përçarjes mes palëve ( PS-PD, rekomandimi 88 i Venecias) Meta shkoi deri aty sa ofroi dorëheqjen nga posti i kryetarit të Kuvendit, nëse kjo gjë do ti shërbente zgjidhjes kompromisit për miratimin e reformës në sistemin e drejtësisë.

Në fund të fundit, nëse do luante rolin e një lojtari politik, Meta në atë kohë mund të kishte përfituar nga koalicioni me PS-në, për të mbyllur aty për aty një reformë në favor të dy palëve. Rama sic dihet pazaret i ka pjesë të pandashme të aktivitetit të tij politik dhe padyshim do ishte mëse i kënaqur me një “deal” me Metën, duke lënë jashtë gjithë procesit të votimit të reofrmës, Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar të kohës.

Por kjo nuk ndodhi me Metën! Edhe një herë ai tregoi se para kushtetutës, ligjit dhe interesave të vendit, nuk mundi të vinte interesat politike. Këmbëngulja e Ilir Metës për një reformë gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha të mbështetur tekstualisht në të gjitha rekomandimet e Venecias, mundësoi në fund pas shumë debatesh e krizash, votimin e mesnatës së 21 korrikut.

Të vazhdojmë më tej …

Në vitin 2017 , kur po afrohej koha e zgjedhjeve dhe opozita ndodhej ende në çadër, PS zgjati sërish duart drejt LSI-së për të rikonfirmuar koalicionin dhe për t’ju futur me gjasë një palë zgjedhjeve farsë si ato të 30 qershorit 2019. Fare të lehtë e kishte dhe në atë kohë Ilir Meta. Një rikonfirmim marrëveshjeje me PS-në, një palë zgjedhje sa për të thënë dhe fape e fap, LSI do ishte sërisht në pushtet, dhe me gjasë me shumë më shumë ndikim në qeverisje se sa bashkëqeverisja 2013-2017.

Por Jo! sërish Ilir Meta e “zhgënjeu” lojtarin politik. Ai zgjodhi  sërish demokracinë, duke u ndarë qartazi nga një vazhdim koalicioni me PS-në dhe duke kërkuar me ngulm një zgjidhje mes palëve për të siguruar zgjedhje të gjithëpranuara. Vazhdimin e historisë të gjithë e dimë, marrëveshja tinëzare PS-PD hodhi poshtë të gjithë aktivizimin e Metës për një proces gjithëpërfshirës.

Vijmë te Ilir Meta President. “Shqipëria dhe Demokracia do jenë gjithë të parat”, ishte ky togfjalëshi me të cilin Meta zgjodhi ta mbylle fjalimin e tij të parë si kryetar shteti pas betimit në Parlament. Dhe nga ajo ditë deri më sot, askush nuk mund të pohojë se Ilir Meta ka bërë të kundërtën.

Që pas marrjes së timonit të qeverisjes fillikat, Rilindja nisi një batërdi me ligjin e kushtetutën, të cilat kulmuan me rastin e famshëm të KED-së dhe emërimet ne Gjykatën Kushtetuese.

Votimi i kryeprokurores Arta Marku me 69 vota ishte hapi i parë që shembi reformën në drejtësi e cila në atë kohë ende nuk kishte nisur të hidhte hapat e parë të saj.  Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, parashikon qartë mënyrën se si zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm, ku thuhet se ai zgjidhet me tre të pestat (84 vota) e anëtarëve të Kuvendit, mënyrë zgjedhjeje që u rekomandua nga Komisioni i Venecias për të shmangur kapjen e Prokurorit të Përgjithshëm nga mazhoranca e kohës (PS + LSI) që zotëronte mbi 84 mandate në Kuvend. Kështu rekomandoi Komisioni Venecias dhe kështu vendosi Kuvendi i Shqipërisë me 140 votat e tij maksimale në datat 21-22 korrik 2016. Por krejt e kundërta ndodhi. Rama nëpërmjet një ligji shpiku një “PPP” ( Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm), institucion ky që nuk ekziston asgjëkundi në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me 140 vota në 21-22 korrik 2016. Falë komisionit të Ligjeve, komplet nën kontrollin e tij, si edhe çertifikatës së ekspertëve të EURALIUS, Rama ia doli që në dhjetor 2017 të zgjidhte Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm (PPP) vetëm me 69 vota.

Dhe për këtë Meta nuk heshti! Foli dhe kërkoi zbatimin pikë për pikë të ndryshimeve Kushtetutës së Shqipërisë të votuar me unanimitet mes palëve në 21 korrik 2016. Por Rilindja kishte nisur ndërkohë lojën e pisët, së bashkua me ndihmën e disa palaçove ndërkombëtarë, që i dhanë legjitimitet kësaj shkelje të hapur të kushtetutës së vendit.

Meta nuk heshti dhe foli edhe për aktet makabre te Unaza e Re dhe Bregu i Lumit, ku shteti policor-ushtarak i Ramës hodhi gaz lotësjellës brenda në shtëpitë e qytetarëve për ti nxjerrë ata jashtë. Duke i përjashtuar qëllimisht nga praktikat e legalizimit, qeveria “Rama” luajti një lojë të pisët me gjithë ato familje, duke i nxjerrë në rrugë. Ishte kjo qeveri që vendosi përjashtimin e ndërtimeve informale nga shpronësimi kundrejt dëmshpërblimit që me ardhjen e saj në pushtet, duke i vënë kazmën çdo sakrifice të shqiptarit për ndërtimin e banesës së tyre.

Po ashtu Meta nuk heshti e foli edhe kur opozita dorëzoi mandatet, duke dënuar me forcë aktin e njëkohësisht duke bërë thirrje për një tryezë mes palëve për të mundësuar rikthimin e dialogut dhe shmangien e përplasjes civile në vend.

Meta nuk heshti dhe foli fort kur barbarisht u shemb në mëngjesin e 17 Majit godina e Teatrit Kombëtar dhe u dhunuan në mënyrë shtazore artisë, qyetarë e gazetarë. Presidenti sic gjithnjë ka vepruar, zgjodhi rrugën institucionale për të ndalur përplasjen me qeverisë dhe artistëve. Ai e dërgoi personalisht çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke shprehur argumentat e tij për shkeljet e qeverisë me vendimin për shembjen e godinës dhe së fundmi për dhënien e truallit në favor të bashkisë së Tiranës.

Meta nuk heshti dhe ngriti zërin kur partia në pushtet së bashku me Dvoranin e KED-së, i mbajtur në detyrë paligjshmërisht në Gjykatën e Lartë për 7 vite, tentoi kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Me fakte dhe mbështetur në Kushtetutë , Meta provoi botërisht se Rilindja po tentonte haptazi dhe në kundërshtim të thellë me ligjin kapjen e Gjykatës Kushtetuese, duke i marrë kompetencat kreut të shtetit. Komisioni i Venecias i dha të drejtë!

Meta nuk heshti dhe foli për të gjitha vendimet e qeverisë që binin në kundërshtim të fortë me Kushtetutën e vendit, duke kthyer mbrapsht ligje të cilat preknin qartazi të drejtat e qytetarit, pronës e mbi të gjitha demokracinë e shtetin ligjor.

Meta nuk heshti dhe foli me zë të lartë për shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese, një akt që shkatërroi përfundimisht shtetin ligjor dhe demokratik të Shqipërisë. Për më shumë se dy vite vendi u privua nga Gjykata Kushtetuese, duke i dhënë mundësi qeverisë të shtypte me ligj  çdo të drejtë demokratike të shqiptarëve, dhe po ashtu të siguronte përmes vendimeve favore për oligarkët pranë saj të cilët shqyen çdo pasuri të vendit.

Ndërkohë pavarësisht gjithë kësaj maskarade, ka qenë po Ilir Meta ai që sërisht ka ftuar palët të çojnë procesin në shinat kushtetuese. Platforma e fundit me 14 pika e shpalur nga kreu i shtetit e dëshmon qartazi këtë synim të tij.

Sot Ilir Meta ndodhet para një loje tjetër të pistë, por me avazin e vjetër të  makinacionit rilindas, që mundohet ta paraqesë atë në publik si “armikun e reformës”. Se kush po tenton sot të varrosë përfundimisht reformën në drejtësi është e qartë si drita e diellit. Pas vettingut që hoqi e kaloi sipas dëshirës së partisë gjyqtarë e prokurorë, emërimit në krye të institucioneve të reja të drejtësisë të njerëzve me konflikt interesi dhe qartazi të kapur nga pushteti, sot Rilindja po mundohet të bëjë hapin e fundit. Ta kapë tërësisht drejtësinë me Gjykatën Kushtetues dhe atë të Lartë. Pas këtij akti nuk ka më kush e ndal Rilindjen drejt vendosjes zyrtarisht të regjimit në Shqipëri, kjo edhe me ndihmën e atyre që sot flasin për rëndësinë e vazhdimit të reformave, kur ndërkohë përballë syve të tyre po shkelet haptazi kushtetuta dhe ligji!

 

EDITORIAL/STANDARD.AL

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.