Ja si gjermanët për një vit e gjysmë njohën dy Edi Rama

0
123

Nga Enver Robelli

 

Pse i tradhtoi Edi Rama parimet që i ka propaganduar me dekada?

Në fund të vitit 2018 Edi Rama qëndroi në Rostock të Gjermanisë. Nuk ishte vizitë zyrtare e shoqëruar me tingujt e fanfarës, por një qëndrim për kënaqësi private. Kryeministri i Shqipërisë merrte pjesë në hapjen e një ekspozite – e cila ishte e tij. Sepse kryeministri, siç dihet, është edhe artist. I pëlqen të pikturojë e vizatojë, jo vetëm kur gazetarët e takojnë për ta intervistuar.

Mbi qëndrimin e Edi Ramës në Rostock gazeta e njohur zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” botoi atëbotë një tekst të gjatë, një faqe. Një privilegj që nuk e gëzojnë shumë politikanë. E bukura mund të vrasë krīmin, thuhej në artikull, duke cituar Ramën; pastaj citohej filozofi francez Jacques Rancière, i cili politikën e Ramës e kuptonte si përpjekje për “edukim estetik të njerëzve”, siç e ka formuluar shkrimtari gjerman Friedrich Schiller. Shkrimi i gazetës zvicerane e lavdëronte Ramën në sfera jotipike për një politikan të Ballkanit, këtij sinonimi të çoroditjes, çmendurisë dhe çaprazimit. Në artikull u patën përmendur vështirësitë me të cilat përballet Shqipëria, keqqeverisja e korrupsioni, si një kancer që gërryen vendin qe tri dekada.

Një vit e gjysmë pas ekspozitës në Rostock, ku Rama thoshte se arti dhe arkitektura mund të ndryshojnë vendin, madje edhe të luftojnë krīmin, kryeministri shqiptar sërish ka “pushtuar” faqet e mediave gjermane. Por kësaj radhe “pushtimi” nuk ka ndodhur me citate të Friedrich Schillerit, por me makina të rënda për prishjen e teatrit në Tiranë. Në numrat e nesërm të gazetave të mëdha gjermane botohen tekste mbi atë që ndodhi gjatë fundjavës në Tiranë.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” e quan aksionin për prishjen e teatrit “një krim moral”. “Süddeutsche Zeitung” raporton se qeveria shqiptare rrëzoi teatrin për t’i bërë vend shtëpive të mallrave, shoping qendrave, siç thuhet në gjuhën e re shqipe. Të dy gazetat skicojnë një qeveri dhe një pushtet lokal të Tiranës që lëshon një duhmë të rëndë korrupsioni. Ideja fillestare, sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ishte që trualli prej 8 mijë metra katrorë t’i “falet” një investitori. Ai do të ndërtonte aty diku një teatër të vogël, të rrethuar me ndërtesa shumëkatëshe, qendra tregtare dhe mrekulli të tjera të mërzitshme të botës së konsumit.

Pas rezistencës së një pjese të komunitetit artistik dhe të disa zërave publikë, Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili dikur dilte në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit, e ndërkohë është bërë një nxënës i zellshëm i shkollës ballkanike të pazareve të pista, u dorëzuan pak. Thanë se teatrin do ta ndërtojnë me para të shtetit. Por as kjo nuk i qetësoi kritikët. Po aq morën hov edhe përkrahësit e rrëzimit të teatrit. Çfarë do të duhej të ndodhte? Në një situatë të tillë ilaç i mirë është demokracia bazike – përkthyer në shqip: pyete popullin. Pse të mos vendosin qytetarët e Tiranës në referendum për apo kundër rrëzimit të teatrit? Pse t’i frikësohet një socialist popullit? A nuk i referohen të majtit orë e çast popullit?

“Süddeutsche Zeitung” shkruan se në ndërtesën e teatrit rrihte zemra e jetës kulturore shqiptare. Por duke e parë hapësirën ku gjendej teatri edhe investitorëve u rrihte zemra me shpejtësi. U prezantua ideja dhe planet për një “partneritet publiko-privat”, një konstrukt fjalësh që shërben si maskë për lloj-lloj akrobacionesh financiare, jo përherë të pastra. Dhe për këtë ka mjaft shembuj kudo në Ballkan, edhe në Shqipëri, jo vetëm në kohën e qeverisjes (apo më mirë të thuhet: sundimit) të Edi Ramës.

Teatri i rrëzuar nuk ishte ndonjë margaritar i arkitekturës, këtu edhe Edi Rama mund të ketë pak të drejtë. Por çështja nuk shtrohet kështu, shtrohet ndryshe: janë disa ndërtesa që duhet konservuar, sepse prekin ndjenjat e qytetarëve jo me vlerat e përjetshme arkitektonike, por me kujtimet që zgjojnë. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nënvizon se vetëm emrat e teatrit janë një shëtitje nëpër historinë e Shqipërisë: “Savoia” (reminishencë nga koha e pushtimit italian), “Kosova” (reminishencë nga vitet e pushtimit nazist, por edhe bashkimit të Shqipërisë me Kosovën), “teatri popullor” (reminishencë nga epoka e komunizmit, ku salla e teatrit u shfrytëzua për dënim të “armiqve të popullit”, pastaj në skenë luajtën rolet e jetës së tyre aktorët më të mirë shqiptarë), “teatri kombëtar” (një kujtim i viteve të vështira të demokracisë shqiptare me sharmin e pamposhtur të piramidave financiare, shkëlqimit të armëve të Bandës së Çoles, tymit të Gërdecit, gjuhës vulgare të politikanëve, zgjedhjeve shpeshherë të vjedhura, tenderëve të kurdisur, etj.).

“Prishja (e teatrit) domethënë humbje e një pjese të identitetit kulturor”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Edi Rama mund ta shohë situatën krejt ndryshe. Por po të ishte konsekuent, tani do të duhej të përkrahte edhe shembjen e piramidës së ndërtuar për nder të diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës. Idetë për rrëzimin e piramidës Rama i ka kundërshtuar (gjoja kjo ngrehinë paskësh vlera arkitektonike), ndërsa teatri nuk paskësh kurrfarë vlere, as si objekt me të cilin lidhen shumë kujtime.

Çfarë po shohim është një kryeministër që i tradhton parimet që i ka propaganduar me vite. Çfarë po shohim është një kryeministër që dikur shkruante libra të rëndësishme me Ardian Klosin, ndërsa sot prish atë teatër ku Ardian Klosi pas shfaqjes “Këngëtarja tullace” të Eugène Ionesco meditonte mbi këtë fjali: “Një mjek i ndërgjegjshëm duhet të vdesë me të sëmurët nëse nuk ia dalin të shërohen të gjithë së bashku”. (Atëherë Shqipërinë e sundonte një mjek).

“Kush e blen sot një vezë, nesër do t’i ketë dy”, thotë zoti Martin te “Këngëtarja tullace”. Teatri i vjetër mund të konservohej, një teatër i ri do të mund të ndërtohej. Por këtu më i rëndësishëm se teatri me sa duket është trualli. “Nuk mund t’ju japësh shkëlqim syzeve me bojë të zezë” – edhe kjo njëra nga fjalitë e zotit Martin. Me syze të nxira dhe i bindur se shumica në parlament dhe në bashkinë e Tiranës i japin të drejtë të imponojë vullnetin e tij dhe vetëm vullnetin e tij, Edi Rama braktisi rrugën e dialogut dhe pak para orës 4 të mëngjesit vuri në lëvizje makinerinë për të goditur teatrin. E bukura mund të vrasë krīmin, ishte dikur. Tani e shëmtuara vret kujtesën.

Si çdo gjë në Shqipëri edhe beteja për teatrin është politizuar tej mase. Kauzës i janë bashkuar edhe politikanë të opozitës që janë aktorë të vjetër dhe të rinj të tragjikomedisë shqiptare që luhet jashtë skenës së teatrit që nga fillimi i viteve 90-të. Ka mes tyre matrapazë e mashtrues, të dyshuar për korrupsion dhe vepra të tjera, për të cilat ndoshta nuk do të dënohen kurrë. Sikur të mos ekzistonte kultura e mosndëshkimit, politikanët socialistë, pra qeveritarët e tanishëm, s’do të merrnin këtë guxim që në kohë pandemie, në një situatë të jashtëzakonshme, në një moment kur ekonomia po tkurret dhe arkat e shtetit të varfër po zbrazen, të përfundojnë veprën e tyre shkatërruese.

Politika shqiptare gati përherë ka qenë betejë për jetë e vdekje. Kush ka ardhur në pushtet, ka tentuar të zhdukë rivalin në opozitë. Nuk është befasi që çdo i dyti shqiptar ëndërron të largohet nga Shqipëria, e cila me këtë mentalitet qeverisës rrezikon të mbetet një pashallëk ku partia “socialiste” dhe ajo “demokratike” merren vetëm me hallet e klientëve të tyre. Nga politikanë opozitarë si Famir Mediu (ju kujtohet Gërdeci?) njeriu nuk ka asnjë pritje, por ndaj Edi Rama disa pritje kanë ekzistuar.

Me gjasë në botën shqiptare postkomuniste është e shkruar që politikanët në mandatin e dytë të humbin shqisën e dëgjimit, duke qenë se më shumë janë të zënë me betonimin e të ardhmes së tyre në pushtet. Ky mentalitet nuk njeh kompromis – as nga pushteti, as nga opozita.

Për teatrin do të gjendej një zgjidhje po të ishte e zhvilluar kultura e kompromisit. Për aq kohë sa kjo kulturë është e huaj për personelin e klubit politik shqiptar, njerëzit nga Kukësi në Sarandë do të vazhdojnë të shpresojnë se edhe për një betejë mbi arkitekturën në Tiranë duhet të ndërmjetësojnë ndërkombëtarët.

Ndoshta duhet ta provojmë me një Otto Witte modern. Në vitet 1920-të mashtruesi gjerman Otto Witte u tregonte kalimtarëve dhe kureshtarëve në Gjermani se ka qenë mbret i Shqipërisë më 1913. Me këtë titull ai thoshte se ka emëruar qeveri e komandantë, ka planifikuar një luftë kundër Serbisë dhe Malit të Zi dhe, natyrisht, ka gjetur mjaft kohë për t’u dëfryer në harem. Ky ishte një rrëfim fiktiv i Otto Wittes, në gurin e varrit të të cilit shkruan: “Ish-mbret i Shqipërisë”. Për fat të keq kjo çfarë ndodhi në Tiranë gjatë fundjavës nuk është fiksion. Për imazhin e Shqipërisë gjithsesi një lajm i keq. Siç tregojnë jo vetëm raportimet e gazetave të njohura gjermane, por edhe reagimet e shumë politikanëve europianë. Pasojat do të shihen më vonë./Koha/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here