Groposja e Ardit Gjoklajt dhe groposja e historisë së teatrit nën rrënoja (me video)

0
98

Nga Bujar Nishani/

Në videon e mëposhtëme duken qartë materialet e brendëshme të Teatrit Kombëtar të groposura nën rrënoja.

Media, ekspertë, njohës të historikut kulturor të Teatrit, kanë ngritur alarmin për groposjen nën rrënoja të garderobës, të artefakteve kulturore historike, bobinave të rregjistrimit, të skenografive dhe skicave skenografike.

Kjo groposje është një krim i rëndë !

Por askush nuk pret që krimet të hetohen e gjykohen në këtë vend sot, veçanërisht kur krimet kryhen prej dordolecëve të mafias.

Kur prokuroria hetonte vrasjen dhe groposjen (ndoshta gjysëmgjallë) të miturit Ardit Gjoklaj në kraterin e plehrave të Sharrës, media denonconte Erion Veliajn ulur në restorant me kreun e prokurorisë që bënte hetimin farsë.

Nëse ky akt i poshtër do të ndodhte në kryeqytetin e ndonjë vendi normal në botë, jo vetëm që kryebashkiaku nuk do të mund të qëndronte dot më as 24 orë në detyrë, por rrugët e sheshet e atyre qyteteve do të ishin ndezur flakë.

Ndaj, kur këtu nuk ka hetim e drejtësi serioze e të vërtetë kur groposen (ndoshta gjysëm të gjallë) fëmijë në kraterin e plehrave të Sharrës, nuk mundet kurrsesi të hetohet e gjykohet groposja nën rrënojat e teatrit të artefakteve kulturore historike.

Pa u mbushur as 24 orë nga talebanizmi i pasuesve të stalinistëve shqiptarë mbi kulturën shqiptare, dordoleci e mafies në bashki konfirmoi projektin e kullave mbi truallin shtetëror të Tiranës.

Prej kohësh kallxime, prova, fakte, dosje korrupsioni mafioz, flenë në sirtarët e prokurorisë.

Media çdo ditë ka bërë denoncime mbi afera flagrante të tenderimeve korruptive në Bashkinë e Tiranës, për betonizimin pa kriter dhe kriminal të kryeqytetit, për akte ekspertimi fiktive të prishjes së Teatrit Kombëtar, por asnjë hetim, asnjë reagim nga i ashtuquajturi “sistem i drejtësisë”.

Ky realitet i hidhur në Shqipëri nuk mund të jetë ndryshe pasi përballë është Mafia.

Sheti shqiptar është i marrë peng nga Mafia, institucionet janë nën kontrollin e shërbim të Mafias, popullit i duhet të përballet me Mafian.

Me krimet që kanë ndodhur këto ditë mbi Teatrin Kombëtar dhe të gjithë artefaktet kulturore artistike atje, lista e përgjegjësve që do duhet të jenë në burg është e gjatë.

Nga administratorë të asaj pasurie të groposur, tek ekzekutuesit e groposjes e deri tek urdhëruesit e krimit.

Edi Rama dhe Erion Veliaj ndoshta mendojnë se meqë (si frikacakë genetik që janë) nuk kanë hedhur firmat e tyre në aktet e rënda, nuk do të vihen para përgjegjësisë ligjore.
Gabim infantil !

Deklaratat e tyre publike janë fakte dhe prova të pakontenstueshme ligjore-juridike për bankën e akuzës.

Sot nuk funksionon drejtësia sepse sot përballja nuk është thjesht me shkeljet e ligjit dhe grisjen e Kushtetutës, nuk është thjesht me urdhërdhënësit e barbarisë dhe disa policë banditë, por sot përballja është me mafian.

Përballja me mafian nuk është një çështje që mund ta zgjidhë dot as një grup artistësh të nderuar dhe heroik për çka kanë bërë derim tani.

Betejën me Mafian nuk mund ta bëjë dot asnjë grupim i shoqërisë civile, sado i motivuar që të jetë.

Luftën me Mafian nuk e fiton dot debati virtual i urrejtjes qytetare ndaj barbarisë.

Mafian mund ta ndeshë, godasë e asgjesojë vetëm një popull i bashkuar dhe motivuar nga e drejta për të mbrojtur jetën e fëmijve të tij që të mos ja varrosin në pirgjet e plehrave nesër, siç varrosën artefaktet kulturore historike sot në themelet e kullave të mafias që pritet të ngulen mbi qytetarinë, civilizimin, trashëgiminë tiranase dhe kombëtare shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here