Bashkia Tiranë mbledh 105 mln euro nga taksat e tarifat, gati gjysma nga lejet e ndërtimit, si i shpenzon paratë

0
225

  Si krahasohen të ardhurat e bashkisë më të madhe në vend me koston e ndërtimit të një Teatri të Ri…

Pas prishjes së Teatrit, Bashkia Tiranë ka njoftuar se do të ndërtojë një teatër të ri, me vlerë 30 milionë euro, të cilat do t’i sigurojë përmes një kredie me garanci sovrane, pasi vetë nuk ka fondet e mjaftueshme.

Por, sa është vlera e këtij teatri, në raport me të ardhurat që kryeqyteti siguron vetë nga taksat dhe tarifat që mbledh nga bizneset dhe familjet.

Sipas projektbuxhetit 2020, në vitin 2019, të ardhurat e pritshme të Bashkisë Tiranë nga burimet e veta (taksa dhe tarifa) ishin rreth 13.4 miliardë lekë, ose rreth 105 mln euro (buxhet faktit i 2019-s nuk është publikuar ende). Së bashku me transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara dhe të ardhurat e mbartura, buxheti i Bashkisë arrin në 18 miliardë lekë, ose rreth 146 mln euro.

Nëse do të ndërtonte teatrin me fondet e veta, Bashkisë do t’i duhej të shpenzonte 20% të buxhetit total dhe gati një të tretën e të ardhurave të veta, ndërkohë që gjithë shpenzimet kapitale në vit janë rreth 50 milionë euro.

Nga vijnë të ardhurat e veta

Të ardhurat e Bashkisë janë rritur ndjeshëm 3 vitet e fundit.

Burimi kryesor i të ardhurave të buxhetit të Bashkisë që prej vitit 2017 është taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Për vitin 2019, Bashkia Tiranë në dhjetor vlerësonte se priste të arkëtonte 6 miliardë lekë nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, ose 52% më shumë sesa planifikimi që kishte në fillim të vitit (15% më shumë se fakti i 2018-s). Sipas relacionit,  Realizimi i të ardhurave nga kjo taksë tejkalon planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve nga strukturat përgjegjëse.

Prej disa vitesh, Buxheti i bashkisë Tiranë është bërë tepër i varur nga të ardhurat që merr si rrjedhojë e lejeve të ndërtimit. Rekordi u shënua në 2019-n, me gati 45% të të ardhurave të veta.

Në total, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për 2019-n në kryeqytet, sipas INSTAT ishte rreth 1.5 milionë metra katror, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe duke shënuar një nivel rekord të paktën që prej vitit 2010, kur raportohen të dhënat e detajuara sipas rretheve.

Taksa e dytë që sjell më shumë të ardhura është ajo mbi pasurinë e paluajtshme për bizneset dhe individët, me 14.2% të totalit, e ndjekur nga tarifa e pastrimit me 13.8%. Arsimi sjell 5.5% të të ardhurave. Vitet e fundit janë rritur dhe të ardhurat nga tarifat e parkimit, me 3.4% të të ardhurave.

Pritshmëria për 2020

Në buxhetin fillestar, Bashkia parashikonte të arkëtonte këtë vit nga burimet e veta, 14.6 miliardë lekë, me rritje rreth 8% nga pritshmëria e 2019-s, ku taksa e ndikimit në infrastrukturë pritej sërish të mbante peshën kryesore, me gati një të tretën e të ardhurave të veta, në një tregues se Bashkia planifikon të japë leje ndërtimi me ritme të larta. Portali Financatvendore.al, që monitoron financat e bashkive ka paralajmëruar shepsh se kjo tendencë sinjalizon për varësi të lartë të buxhetit vendor nga kjo taksë dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj.

Në total, përfshirë dhe transfertat, të ardhurat e pritshme të Bashkisë Tiranë ishin 20 miliardë lekë për 2020-n.

Por të ardhurat, sidomos ato nga taksat e tarifat, pritet të jenë realisht më të ulëta se parashikimi për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Vetë Bashkia njoftoi se hiqet taksa e hapësirës për bare e restorante për maj-qershor. Në 2019-n nga kjo taksë u arkëtuan gjithsej 390 milionë lekë, ose rreth 3% e të ardhurave të veta. Por dhe zërat e tjerë pritet të shënojnë rënie, teksa ekonomia për këtë vit pritet të ketë një tkurrje të fortë, duke ndikuar në aftësinë paguese të bizneseve. Ndryshe nga qeveria qendrore, Bashkitë shpenzojnë aq të ardhura sa kanë dhe nuk mund të krijojnë deficite, ndaj një ulje e të ardhurave, automatikisht do sjellë tkurrje shpenzimesh.

Si shpenzohen paratë

Në vitin 2019, 37% e të shpenzimeve totale (përfshirë transfertat) shkuan për shpenzime kapitale.

Shpenzimet për personelin zënë një peshë relativisht të lartë në Bashkinë Tiranë, me rreth 30% të totalit për vitin 2019-. Atë vit, u shpenzuan 5.5 miliardë lekë për paga e sigurime, ndërsa për 2020-n pritet që ky zë të rritet me rreth 7% në 5.9 miliardë lekë.

Pjesa tjetër shkon për shpenzime operative dhe transferta të brendshme./Monitor.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here