Veliaj rren edhe të vdekurit

0
120

Nga Ergys Mërtiri

Pothuaj të gjithë politikanët gënjejnë, në një mënyrë apo një tjetër, kur janë në pushtet. Vetë puna e tyre i shtyn që të kenë një raport problematik me të vërtetën. Sidoqoftë, ka gënjeshtarë që gënjejnë me ngurrim e kursim dhe ka të tjerë që gënjejnë me pasion e madje edhe me patologji. Veliaj është rasti më skandaloz, i epshit të mashtrimit të shndërruar në patologji të një shkalle të rëndë.

Nëse mund të ketë vërtetë një rekord në këtë fushë, Veliaj do të ishte i pathyeshëm për nga intensiteti i gënjeshtrave që është i aftë të prodhojë. Ai ka një aftësi krejt të vecantë në këtë sport. Forca e tij nuk qendron tek cilësia e gënjeshtrës dhe fuqia e saj për të fshehur të vërtetën brenda saj, por thjesht tek sasia e saj. Veliaj është i aftë të prodhojë aq shumë rrena për minutë, sa dëgjuesi nuk ka kohë të habitet me secilën prej tyre. Pa mbaruar mirë shokimin prej të parës, dëgjuesi goditet menjëherë nga një mashtrim i dytë, pastaj nga një i tretë e kështu me rradhë, derisa ai pëson një gjendje mpirjeje që ia ç’aktivizon nervin e reagimit.

Pas një rekordi të vendosur në një intervistë në Syri TV, Veliaj e ripërsëriti “suksesin” në Real Story, pa nguruar të kalojë edhe në shpifje personale ndaj artistëve konkretë. Po ndalemi shkurtimisht tek disa prej tyre, në pamundësi për ti marrë një më një.

Që në hyrje të intervistës, Veliaj e nisi duke thënë se regjisori Edmond Budina është drejtues i PD-së pasi është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë qendrime objektive mbi teatrin. Natyrisht, të jesh anëtar i KKPD-së nuk ka asgjë ilegjitime, por sido që të jetë z. Budina nuk është as anëtar i ndonjë partie, e jo më drejtues i lartë, siç e paraqet Veliaj.

Gënjeshtra më pas u zgjerua edhe më tej. Veliaj tha se në rradhët e protestuesve është vetëm një aktor i Teatrit Kombëtar. Të tjerët janë “ose anëtarë të Asamblesë, ose kanë të kandiduar për deputetë, ose ish-drejtues”. Në fakt, protesta e teatrit përbëhet nga njerëz të ndryshëm, të majtë dhe të djathtë, shumica prej të cilëve nuk janë anëtarë të asnjë partie dhe shumë prej të cilëve janë kritikë edhe me opozitën, siç shumë prej tyre kanë qenë kritikë me qeverinë edhe kur në pushtet ishte PD-ja. Duke qenë i zhytur në llucën e Ramës, Kryebashkiakut i duhet të përdorë në vend të argumenteve, vetëm mashtrimin dhe diskualifikimin e kundërshtuesve.

Veliaj i ndan aktorët në dy grupe: Në korifej, ku përfshin disa nga ata që ka arritur ti fusë në thes, dhe të politizuar, ku përfshihen të pabindurit, të cilët, sipas tij, nuk pranojnë zhvillimin e artit, kulturës dhe qytetit. Në fakt, kundër shembjes së Teatrit janë rreshtuar një sërë artistësh që kanë bërë historinë e artit dhe kinemasë shqiptare si, Pavlina e Piro Mani, Roza dhe Dhimitër Anagnosti, Guliem Radoja, Justina Aliaj, Mehdi Malka, Mirush Kabashi, Enver Petrovci, Edi Luarasi, Anisa Markajam, ndërsa, nga një brez më i ri artistësh janë të tillë si Neritan Liçaj, Robert Budina, Romir Zalla, Adriana Tolka, Juli Emiri, Bujar Alimani, Anila Bisha, Suela Bako, Gentian Zenelaj, të cilët Veliaj bën sikur nuk i di.

Ndër të tjera, Veliaj tha se ky objekt nuk ka qenë kurrë teatër, por thjesht një kinema, e ndërtuar nga Italianët provizorisht, vetëm për një periudhë prej 7 vjetësh, me qëllim për të argëtuar ushtarët pushtues.

Ky pohim përbën, jo vetëm një gënjeshtër fare të pacipë, por edhe një frakturë logjike qesharake. Siç është publikuar edhe në shtyp, ka plot dokumente që faktojnë se ndërtimi i këtij kompleksi është bërë nga qeveria shqiptare gjatë kohës së mbretërisë, në kuadër të krijimit të një fytyre të re moderne për kryeqytetin, e cila do të shërbente edhe si qendër e kultivimit të jetës artistike si teatri, kinemaja, opera, biblioteka etj. Ky kompleks ka qenë pjesë e planit urbanistik për qendrën e Kryeqytetit dhe madje është ndërtuar para pushtimit Italian. Dorëzimi përfundimtar i veprës është bërë vetëm pak muaj më vonë.

Por edhe sikur të mos i dimë të gjitha këto, mjafton pak arsyetim me një logjikë elementare për të kuptuar sesa qesharake janë pretendime të tilla. Si mund të ftohet një arkitekt i madh si Giulio Berte, për të projektuar një ndërtesë tallashi, që ka për qëllim të përdoret për të argëtuar ushtarët për një për një periudhë 7 vjeçare? Si ka mundësi që një objket me qëllime kaq pa rëndësi, të ndërtohet duke u integruar në harmoni të plotë me një ansambël arkitekturor tepër të zhvilluar si qendra e Tiranës, që po ndërtohej ato kohë? Veç tëtjerave, si mundet të ndërtohet një kinema (për më tepër provizore) me një skenë kaq madhështore, me një thellësi të tillë që nuk e ka ende asnjë skenë tjetër në Shqipëri?

Një tjetër mashtrim është çvleftësimi që Veliaj i bën materialit të përdorur për ndërtimin e teatrit, të cilin e konsideron tallash, çfarë e bën objektin të pavlerë si trashëgimi kulturore.

Pikë së pari, vlera historike e një objekti nuk qendron tek materiali ndërtimit, siç e ngatërron, me apo pa vetëdije Veliaj. Trashëgimia kulturore materiale, që ai përmendi gjatë emisionit, nuk ka të bëjë aspak me vlerën e materialit ndërtues të objekteve, por me historinë që objektet materiale bartin, në bazë të rolit që kanë luajtur në jetën e një vendi. Argumenti është qesharak deri në dhembje. Sipas kësaj logjike, Anglia duhet ta kish zhdukur me kohë teatrin e Shekspirit, një “karakatinë” druri pa asnjë vlerë materiale në vetvete.

Por, nuk është kaq. Materiali i përdorur për ndërtimin e Teatrit Kombëtar është pupulit, i cili ishte mjaft i avancuar për kohën. Ai material është përzgjedhur posaçërisht pasi është izolues akustik i shkëlqyer, ndërkohë që e lehtëson godinën nga pesha, ndërsa është i fortë dhe rezistent. Me pupulit është bërë së fundi edhe rikonstruktimi i Teatrit të Operas nga kjo qeveri.

Për të mos u mjaftuar me këto, Veliaj lëshoi një panoramë të errët mbi rrënimin e këtij objekti: “A ka mundësi që fëmijët ti çojmë në një vend të kondicionuar, në një vend që është ngrohtë në dimër dhe jo me batanije, në një vend që është freskët në verë dhe jo me peshqir, në një vend që ka letër higjenike dhe ujë të rrjedhshëm, në një vend që tualeti funksionon, në një vend që nuk ndërrohen artistët nëpër korridore.” Pa u ndalur në faktin që Teatri Kombëtar nuk është teatër kukullash për fëmijë (një lapsus, jo pa lidhje me subkoshiencën e kryebashkiakut), por mbi të gjithëa, kujt duhet t’ia kërkojmë përgjegjësinë që këtë objekt e ka lënë pa ajër të kondicionuar, pa ngrohje, pa ujë të rrjedhshëm, pa tualete e madje pa letra higjenike?

Gënjeshtrat nuk mbarojnë, por së fundi po mjaftohemi duke sjellë në vëmendje se Kryetari i Bashkisë nuk ngurroi të përdorë edhe të vdekurit si Naim Frashëri, Ilia Shyti, Violeta Manushi, të cilët, sipas tij “kanë thënë gjithmonë që duam një teatër të ri”. Që duam një teatër të ri, e themi të gjithë dhe nuk ka askush kundërshtim, por që këta aktorë të kenë qenë pro shembjes së teatrit historik, këtë mund ta thotë vetëm një njeri si Veliaj, i cili, siç kemi pasur një shprehje dikur në Tiranë: Rren edhe të vdekurit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here