“Kam rrjedhje gjaku, po s’e mora ilaçin në kohë…”! Rrëfimet rrëqethëse të të sëmurëve kronikë, që izolimi nga COVID po iu rrezikon jetën

0
103

Masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e epidemisë së COVID-19 i kanë shtuar peripecitë e pacientëve kronikë dhe qytetarëve të tjerë për të marrë shërbim shëndetësor.

Periudha e vetëizolimit si rrjedhojë e masave të qeverisë shqiptare për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, SARS-CoV-2 ka sjellë vështirësi për shumicën e qytetarëve shqiptarë, të cilët në pjesën më të madhe kanë lënë punën dhe janë karantinuar brenda apartamenteve të tyre.

Por për 26-vjeçarin nga Tirana që preferon të identifikohet vetëm me inicialin Xh., izolimi dhe mungesa e lëvizjes nuk ishin vetëm të vështira, por edhe të rrezikshme. Ai vuan nga hemofilia dhe për shkak të sëmundjes, ka pasur rrjedhje gjaku, por policia ende nuk i ka dhënë një leje për të shkuar në QSUT për t’u mjekuar, ku funksionon edhe e vetmja qendër e trajtimit të hemofilisë në vend.

Sigurimi i një lejeje qarkullimi nga shtëpia e tij në Unazës e Re të Tiranës deri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka qenë e lehtë.

“Kërkova të marr leje në Policinë e Shtetit, pasi unë, ndonëse banoj në zonën e Astirit nuk mund të shkoj dhe të kthehem në këmbë nga QSUT, por nuk ma dhanë lejen,” thotë 26-vjeçari.

“Aktualisht kam aplikuar për leje tek e-Albania, por deri më tani ende nuk më është miratuar leja, pasi po pres kodin e konfirmimit nga Policia e Shtetit,” shtoi ai.

Historia e të riut nga Tirana nuk është e pazakontë në këtë kohë pandemie. Intervistat e bëra nga BIRN me pacientë me sëmundje kronike dhe përfaqësues të shoqatave që adresojnë nevojat e tyre tregojnë se ata janë përballur me vështirësi të mëdha për të pasur akses në sistemin shëndetësor si dhe në sigurimin e barnave jetike.

Ndalimi i qarkullimit ka vendosur në vështirësi edhe pacientët ambulatorë që kanë marrë shërbim gjatë kësaj periudhe apo familjarët e të sëmurëve, të cilëve u janë ndaluar vizitat tek të afërmit e shtruar në spitale.

Vështirësi për pacientët kronikë

Që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit të ri në Shqipëri më 8 mars, mbi 800 persona janë prekur nga COVID-19 dhe 31 prej tyre kanë humbur jetën. Por përveç personave të prekur direkt nga koronavirusi, epidemia ua ka vështirësuar jetën edhe pacientëve kronikë, të cilët vuajnë nga sëmundje që kanë nevojë të vazhdueshme për trajtim në qendra mjekësore të specializuara.

“Kam pasur aq shumë vështirësi, sa nuk di ç’të të them,” thotë Bruna Baçi, paciente talasemike nga Fieri, e cila jeton me nënën e saj të sëmurë. “M’u desh të faturoj një taksi 60 mijë lekë (të vjetra) për të ardhur deri në QSUT,” shpjegoi ajo, ndërsa shtoi se kjo shumë është e papërballueshme për të, pasi jeton vetëm me ndihmën që merr si pasojë e paaftësisë shëndetësore.

Baçi shtoi se faturën e taksisë nuk mundi ta ndajë me ndonjë pacient tjetër që ka nevojë për këtë shërbim, pasi nuk i kanë datat e njëjta të trajtimit në QSUT. E megjithatë, fatura e taksisë që pagoi për të ardhur nga Fieri në Tiranë nuk mund të krahasohet me dëmin që pandemia e COVID-19 po shkakton mbi shëndetin e saj, për shkak të mungesave të furnizimit me gjak.

“Unë duhet të marr 2 herë në muaj, 600 unitete gjak, por ka pasur shumë mungesa dhe unë kam marrë vetëm gjysmën e sasisë. Në secilën nga herët kam marrë nga 200-300 unitete dhe si pasojë jam shumë e lodhur, e pafuqishme…ç’të të them, shumë e vështirë,” thotë ajo.

Për shkak të të ardhurave minimale, Bruna Baçi nuk mund të blejë as produktet ushqimore të nevojshme për të luftuar sëmundjen, duke ndjekur një dietë ushqimore të pasur.

“Unë duhet të konsumoj, mish, fruta dhe perime shumë, po ku kam lekë unë…”ankohet ajo.

Situata e vështirë për pacientët talasemikë konfirmohet edhe nga drejtuesja e Shoqatës së Talasemisë, Ela Pinguli, e cila nënvizon se transporti ka qenë “thembra e Akilit” për pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje dhe që e kishin të pamundur të lëviznin, edhe pse duhej të vinin patjetër në spital.

Sipas Pingulit, edhe kërkesat për ndihmë mbetën pa përgjigje.

“Bashkisë së Tiranës i kërkuam që të vërë në dispozicion një mjet për pacientët e kryeqytetit të paktën, por nuk na e mundësoi. Ka pacientë që kanë ngelur pa e marrë gjakun dhe kjo është shumë e rrezikshme për ta,” tha ajo.

Pinguli shpjegoi se sistemi i marrjes së medikamenteve për këtë kategori është një rreth vicioz në ditë normale, i bërë edhe më i komplikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.

“Për të marrë ilaçet, duhet të vijnë në Tiranë tek qendra e Talasemisë të firmosin, Tirana ia dërgon spitalit të rrethit, pastaj shkon tek mjeku i lagjes…dhe si mund të kryheshin të gjithë këto procedura kur nuk lejohej të lëvizej? Por edhe kur e merrnin lejen, mund të lëviznin deri në orën 13:00,” tha Pinguli.

Ankesa të ngjashme janë bërë edhe nga organizatat “Together for Life’ dhe Shoqata e Pacientëve me Hepatite dhe të Transplantuarve të Shqipërisë, të cilat nëpërmjet një letre publike në mars i kërkuan Ministrisë së Shëndetësisë të marri masa për trajtimin e të sëmurëve kronikë gjatë pandemisë.

Edhe për të riun nga Tirana që vuan nga hemofilia, situata e krijuar nga pandemia është kthyer në një kërcënim për shëndetin.

“Unë gjatë kësaj periudhe kam pasur rrjedhje gjaku dhe më duhej të shkoja në spital për të marrë mjekimin, më duhet të marr faktorin për koagulimin e gjakut, pasi mungesa e tij shkakton hemorragji, por ende nuk e kam marrë lejen nga policia për të lëvizur,” ankohet Xh., i cili shpjegon se deri më tani është trajtuar në mënyrë ambulatore, pasi kishte një sasi medikamentesh rezervë në shtëpi.

“Jam 26 vjeç dhe jemi rritur në kohëra të vështira, por fatkeqësia më e madhe është kur nuk e merr ilaçin në kohë dhe fillojnë e shfaqen hematomat që mund të shoqërohen edhe me rrjedhje gjaku, siç kam unë aktualisht.. nuk është shumë shqetësuese, por është e bezdisshme,” shtoi ai.

Iljaz Elezi nga Shijaku udhëton prej 15 vitesh, tre herë në javë drejt spitalit të Durrësit për t’iu nënshtruar dializës. Edhe për të, karantina nuk ka qenë e lehtë.

“Ditët e para e kishim ca të vështirë, pasi policia nuk i jepte leje djalit që të lëvizte, ndonëse unë kisha letrat e spitalit me vete,” tha ai.

“Por tani më kanë vënë në dispozicion një ambulancë, e cila vjen e më merr në shtëpi, më dërgon në spital, e pasi përfundoj dializën më kthen sërish,” shtoi ai.

Edhe të sëmurët me diabet, një nga grupet më të rriskuara nga COVID-19, po përballen me probleme të ngjashme. Përveç diabetit, Sabah Durma nga Thumana ka vendosur edhe 4 unaza në zemër. Gjatë dy muajve të pandemisë, ai është vetëizoluar dhe është kuruar për sëmundjen e tij kronike në kushtet e shtëpisë.

“Po ku të shkosh në këto ditë?” pyet ai, ndërsa shton se tek “qendra shëndetësore jo njëherë, se kanë frikë nga virusi, por edhe unë vetëm kam frikë e ruhem.”

“Vetëm e kam marrë doktoreshën në telefon, kur kisha ndonjë shqetësim,” shtoi Durma.

Durma thotë se në situatën e krijuar ai është bërë mjeku i vetes, duke e matur shpesh diabetin. Kur niveli i rritet, ai shton dozën e insulinës dhe kur i ulet, e ul dozën e insulinës.

“Bleva edhe një aparat tensioni, sepse unë kam bërë koronare dhe e mas vetë edhe tensionin,” tha Durma. “Janë ditë të vështira, askush nuk ka se çfarë të bën,” shtoi ai.

Kryetari i Shoqatës së të Rinjve me Diabet, Asim Toro thotë se pacientët me këtë sëmundje kronike nuk kanë hasur vështirësi në marrjen e shërbimeve gjatë epidemisë.

“Çdo gjë u zgjidh shumë shpejt, për çdo medikament që ne kemi nevojë, mjafton një telefonatë vetë me mjekun e familjes,” tha ai.

Të maskuar në spital

Për pacientët me virusin HIV/AIDS situata ka qenë shumë më komplikuar, pasi spitali Infektiv në QSUT ku ata marrin shërbime, u kthye dhe në spitalin kryesor të karantinës ku kuroheshin të sëmurët me COVID-19.

“Ka qenë një kalvar i vërtetë,” shfryn Olimbi Hoxhaj, kryetare e shoqatës së Personave që Jetojnë me HIV/AIDS.

Sipas saj, për shkak të rregullave shtrënguese të distancimit social, pacientët duhet të paraqiteshin në rajonin e policisë për të marrë lejen për të lëvizur.

“Por kjo për ne do të thotë ekspozim, ndërsa pacientët tanë janë në një luftë të vazhdueshme për të ruajtur anonimatin,” shpjegoi ajo.

Hoxha shtoi se jo më pak e sikletshme se në Polici ishte situata edhe në QSUT, kur pacientët shkonin për të marrë shërbim në hyrjen e pasme të spitalit Infektiv.

“Kini parasysh se Infektivi ishte i rrethuar me forca sigurie, dhe askush nuk të lejonte që të futeshe pa dhënë arsyen…dhe po ashtu, thuajse gjatë gjithë kohës, ai ishte nën survejimin e kamerave që ishin në pritje të rasteve me COVID-19,” kujton ajo, ndërsa shton se “ka qenë një situatë vërtetë stresuese për shumë nga pacientët.”

Hoxhaj tregon se në disa raste, i është dashur që t’i shoqërojë vetë pacientët me HIV për të marrë mjekimin.

“I kam shoqëruar edhe vetë, sigurisht “të maskuar”, me kapele dhe me maska, pasi pacientët ishin gati të hiqnin dorë nga kura nga frika se mos i njihnin,” tha ajo.

Megjithatë, Hoxhaj nënvizon se autoritetet janë treguar mirëkuptues dhe ua kanë dhënë mediakmentet e nevojshme për dy ose tre muaj.

“Kështu që pacientët nuk kanë nevojë të paraqiten çdo muaj, siç është procedura, por i kanë marrë medikamentet për një afat dy-tre mujor,” përfundoi ajo.

Një ditë e tmerrshme

Mesazhet epidemiologëve gjatë pandemisë kanë theksuar se shtëpia është vendi më i sigurt, por një aksident i rëndomtë teksa luante me djalin në shtëpi me 27 mars, do t’i shkaktonte një ligament të këputur dhe meniskun e dëmtuar aktivistes së shoqërisë civile, Ina Kasimati.

Ajo rrëfen se incidenti i ndodhi rreth orës 13:00, shumë pranë fashës orare kur fillonte ndalimi i qarkullimit, por megjithatë, ambulanca i erdhi menjëherë në shtëpi dhe e dërgoi në Spitalin e Traumës për të marrë mjekim. Megjithatë, vuajtjet për Kasimatin nuk do të përfundonin me aq, sepse pasi mori mjekimin e duhur në spital, ajo nuk kishte se me çfarë të kthehej në shtëpi.

“Nuk kisha kujt t’i telefonoja, pasi unë isha në spital dhe kisha frikë se mos isha ekspozuar ndaj virusit dhe ngela në rrugë të madhe,” thotë ajo.

Pasi ambulanca refuzoi ta shoqëronte mbrapsht në shtëpi, Ina Kasimati tregon se iu desh të nisej më këmbë nga spitali i Traumës drejt shtëpisë së saj. Fatmirësisht, duke ecur në rrugën e zbrazur që lidh Laprakën me qendrën e Tiranës, dy policë e panë duke ecur me paterica dhe e ndihmuan të bënte një pjesë të rrugës me makinë.

“Në Laprakë, dy policë më panë teksa ecja me paterica dhe më morën në makinë deri tek Banka Qendrore, ku po shkonin të patrullonin,” kujton ajo, ndërsa shton se kthimi për në shtëpi i mori plot 4 orë.

“Kam dalë nga spitali i Traumës rreth orës 2 të mesditës dhe kam arritur në shtëpi rreth orës 6 të mbrëmjes, ndërkohë që për shkak të presionit të ushtruar nga patericat, më janë riaktivizuar dhimbjet në gjoks, pasi e kam shtypur shumë, në një kohë që unë jam operuar nga kanceri i gjirit dhe duhet të jem shumë kujdesshme,” tha Kasimati.

“Kam ecur gjatë me paterica në një qytet të heshtur, pa njerëz në rrugë, por me shumë patrulla policie, ushtarë që lëviznin me makina të blinduara, vigjilentë të kapnin tradhtarët dhe shkelësit e ligjit, por nuk kishte asnjë mjet, mundësi të ndihmojë qytetarët në nevojë,” shtoi aktivistja.

Kasimati shpjegon se ditën e incidentit nuk kishte mundësi as të blinte ilaçet e përshkruara nga mjeku, pasi farmacitë ishin mbyllur, ndërkohë që ende nuk ka mundur ta bëjë skanerin.

“U bënë dy javë që kam planifikuar skanerin tek spitali i Traumës, por ende nuk e di se kur do të mund ta realizoj, pasi skaneri është njëri ndër ekzaminimet që është pezulluar për shkak të situatës nga COVID-19,” tha ajo. “Njerëzit në këtë vend nuk preken vetëm nga COVID,” shtoi Kasimati.

Familjarët rrugëve

Në situatë të vështirë nga COVID-19 nuk janë gjendur vetëm të sëmurët e shtruar ose ata që marrin shërbim në spitale, por edhe familjarët e tyre. Maria është ulur përpara urgjencës së QSUT-së. Për të parën herë që nga vendosja e kufizimeve në lëvizje, ka thyer karantinën dhe pret me ankth nga dera e spitalit.

“Kam motrën sëmurë me zemër, u bënë 45 ditë që vjen spitaleve. Herë bëhet mirë e herë keq dhe unë s’e kam parë asnjëherë përgjatë këtyre ditëve,” tha ajo, ndërsa shton se po i “plas zemra për ta parë.”

“Ja do të rri, sa të dalë tek dera e të më përshëndesë e ta shoh me sytë e mi se si është,” shton Maria, e cila mezi i mban lotët.

Ngjashëm me Marian, Ahmeti ka shtruar gruan në QSUT për shkak të një problemi në zemër. Ata kanë udhëtuar nga Kukësi për në Tiranë me ambulancë.

“Gruaja ka bërë koronare dhe ka vendosur dy unaza, por unë vetëm dy herë e kam parë,” tha ai. “Vetë kam ngelur gjithë ditën rrugëve, hotele për të fjetur nuk ka dhe jam detyruar të shkoj tek ca njerëz të mi në Bathore, ani pse edhe vetë e kam me merak se mos u çoj ndonjë virus atyre,” shtoi Ahmeti.

Edhe pse për momentin ka gjetur strehë, ai nuk di se si do ta zgjidhë çështjen e rrugës deri në Kukës kur e shoqja të dalë nga spitali.

“Këta thonë faturo taksi, po ku i kam lekët unë? Ne jemi jo të varfër, por të shkund,” tha Ahmeti. “Më ka zënë frika kur mendoj se mund të dalë nga spitali, se s’po di se si do t’ia bëjmë për t’u kthyer në Kukës,” përfundoi ai./BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here