Njoftimi/ Zbardhet vrasja e vëllezërve në Durrës, arrestohen dy autorët e dyshuar

0
194

Policia e Shtetit, bën me dije se është zbardhur vrasja e dy vëllezërve në Durrës. Mësohet se janë arrestuar 2 persona.

Të arrestuarit janë  A.M, 33 vjec banues në Tiranë dhe  K.A, 22 vjec banues në Durrës.

Njoftimi i policisë:

Zbardhen dy ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura dy muajt e fundit në Durrës.

Vihen në pranga dy autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shën Vlash”, i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, automjeti i përdorur për kryerjen e krimit dhe 12 aparate celular.

Siç jeni në djeni, më datë 27.04.2020, në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, u bë i mundur grubmbullimi i provave që çuan në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Për këtë, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash ”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve:

A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;

K. A., 22 vjeç, banues në Durrës;

Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.

Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.

Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për aryse hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera.

Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në mënyrë të veçantë prokurorin Gëzim Veizi, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar dhe dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe ftoj qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.

Kush jane viktimat

Mësohet se dy vëllezërit janë me origjinë nga Puka dhe prej kohësh jetojnë në lagjen nr. 7, në Spitallë. Besmir Haxhia, 36 vjeç, dhe vëllai i tij më i vogël, Voktor Haxhia, 27 vjeç, rezultojnë me disa biznese në këtë zonë. Sipas informacioneve nga Policia, bizneset që dy vëllezërit kanë, janë një lavazh, një Exchange dhe një kompani “BVAUTO”, me shërbim karrotreci dhe dhënie me qira të automjeteve. Të gjitha këto biznese, rezultojnë në emër të 27-vjeçarit Viktor Haxhia. Ky i fundit rezulton të jetë diplomuar një vit më parë për avokat, ndërsa ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Durrës. 27- vjeçari nuk rezulton të ketë ndonjë të shkuar kriminale, çka mund të sillte edhe ngjarjen e djeshme.

DYSHIMET

Ndërkohë, 36-vjeçari Besmir Haxhia, është i martuar dhe kishte edhe një fëmijë. Së bashku me vëllanë, ai punonte në bizneset e lartëpërmendura. Sipas burimeve, 36- vjeçari në Durrës njihet edhe me nofkën si Mori i Kolës. Burime të Policisë thanë gjithashtu se Besmir Haxhia rezulton me precedentë të mëparshëm kriminalë jashtë vendit. Bëhet fjalë për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa ka kryer dënimin e tij vite më parë. Pas kësaj, është rikthyer për të punuar në bizneset e familjes së tij. Nga hetimet paraprake të kryera për këtë ngjarje, Policia dyshon se ekzekutimi i dy vëllezërve të ketë ndodhur si pasojë e të kaluarës së njërit prej tyre.

SI U VRANË

Vëllezërit ishin duke kaluar me makinë në momentin që kanë rënë në pritë, duke u qëlluar me breshëri armësh. Autorët dyshohet se kanë qenë dy. Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat, duke lajmëruar Policinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 te tregu i makinave, në Shenavlash, te zona e Nishtullës. Forca të shumta policie rrethuan zonën, ndërsa janë ngritur edhe pika të shumta postblloku për të shkuar në gjurmët e autorëve. Mister mbetet motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia e Durrësit për të mbledhur sa më shumë prova dhe dëshmi për zbardhjen e kësaj ngjarje ka marrë edhe dëshminë e familjarëve të viktimave. Këta të fundit kanë dëshmuar nëse dy vëllezërit kanë pasur ndonjë konflikt së fundmi apo hakmarrje të vjetër. Gjithashtu, Policia po merr edhe dëshmitë e banorëve të zonës, të cilët janë gjendur të parët, pasi dy vëllezërit janë qëlluar me breshëri armësh gjatë lëvizjes me makinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here