Mos u habisni nëse një ditë zgjoheni jashtë NATO-s!

0
133

Nga Gëzim SALIU

Ra kjo pandemi dha pamë Rilindjen lakuriq! Në asnjë periudhë kohe të 7 viteve që janë në pushtet, Qeveria dhe Kryeministri nuk kishin zbuluar kaq haptazi synimet e tyre mbi pushtetin autoritar, se sa në këto 40 ditë. Padyshim arma më efektive e Rilindjes, “propaganda”, kishte arritur t’i zbuste me finesë të gjitha prirjet e deritanishme të kryeministrit dhe qeverisë që drejton për një shtet me tendeca të theksuara autokratike.

Në parantezë, vlen të theksohet se thuajse të gjithë drejtuesit qeveritarë që shkojnë drejt një mandati të dytë, shfaqin prirje autoritare në rritje, duke zvogëluar ndjeshëm indikatorët e demokracisë në vend.

E megjithatë, ajo që po ndodh në këto kohë në Shqipëri sa i takon të drejtave themelore qytetare dhe në përgjithësi shtetit ligjor, nuk ka të krahasuar me asnjë shtet demokratik në Rajon e më gjerë.

Por le t’i marrim me radhë zhvillimet për të qenë edhe më konkret…

Masat e karantinimit masiv të popullsisë, ishim deri diku një hap i detyruar nga kushtet e pandemisë. Por qesharake deri në marrëzi ishte dalja e Ushtrisë në kryeqytet me tanke, a thua se në kufi po zhvillohej lufta e tretë botërore. Një frymë e tillë terrori qytetar nuk i shërben as luftës(siç kryeministri përzgjedh jo pa qëllim ta cilësojë) ndaj armikut të padukshëm dhe aq më pak ndaj lirive e të drejtave të çdo qytetari të siguruara nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare. Vërtet shumica e qytetarëve shqiptarë aprovuan privimin e përkohshëm nga liria, por kurrsesi nuk “dhanë votën” për vdekjen e demokracisë.

Vazhdojmë më tej…

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që vendi ynë të tërhiqet përkohësisht nga neni 8 dhe 11 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Me anë të një note verbale të dërguar pranë Këshillit të Evropës, Shqipëria e ka arsyetuar këtë veprim me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e cila ka sjellë kufizime në liri dhe të drejta themelore të njeriut lidhur me lëvizjen, transportin ajror, detar dhe tokësor, procesin arsimor si dhe të drejtën e pronës. Ajo që duhet theksuar është fakti se asnjë demokraci perëndimore në kushtet e pandemisë, nuk ka  kërkuar derogim nga Konventa. Të vetmet shtete që e kanë bërë këtë janë ato vende me demokraci të re ose hibride.

Pra thënë më thjeshtë: Një vend që pas 4 dështimeve të përvitshme, mundi më në fund të sigurojë një muaj më parë çeljen e negociatave me BE-në, merr vendimarrje si të ishte shtet i botës së tretë. Qeveria shqiptare e ka më të lehtë t’i heqë disa të drejta themelore qytetarëve të saj se sa të veprojë si vendet e Evropës Perëndimore që kanë aplikuar parimet e balancës së të drejtave dhe detyrimeve.

Por e gjitha kjo nuk mbyllet me kaq! Ka edhe më!!!

Vetëm ditën e djeshme u zbulua nga mediat se Qeveria do ti propozojë Kuvendit zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri në 23 Qershor! Në fakt sipas ligjit sot përfundonte gjendja e fatkeqësisë natyrore, e shpallur një muaj më parë nga Qeveria. Ky propozim i ekzekutivit për të shtyrë me dy muaj të tjerë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, rezulton në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe njëkohësisht tërësisht i paarsyetuar.

Pse  i paarsyetuar?! Sepse ka një muaj që vetë Kryeministri dhe stafi teknik flasin për rezultate tejet pozitive në betejën kundër koronavirusit. Madje vetë Rama ka pohuar me jo pak krenari se Shqipëria qëndronte mes vendeve që e ka përballuar më së miri pandeminë. Atëherë nëse është kështu, pse duhet shtyrë edhe me dy muaj të tjerë gjendja e fatkeqësisë natyrore? Nëse shifrat zyrtare flasin për numër të qëndrueshëm të të shtruarve në spitale dhe sot me asnjë rast të ri  me koronavirus në Tiranë, që është edhe vatra më e madhe e të infektuarve, pse Qeveria kërkon dy muaj të tjerë gjendje të jashtëzakonshme?

Në fakt një arsye ka dhe ajo është e qartë si drita e diellit. Rilindja po përfiton sa mundet nga pandemia për të shtuar pozitat e saj, për të fituar sa më shumë pushtet, për të vënë në shina shtetin autoritar.  Pak rëndësi ka për Kryeministrin se kjo gjendje privon qytetarët nga të drejtat e tyre themelore. E rëndësishme për të dhe Qeverinë që drejton është pushteti dhe padyshim zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Dhe nëse kryeministri do lejohet të ecë pa pengesa drejt synimit për një shtet me tendenca autokratike,  krejt legjitime për aspiratat personale të Ramës, askush nuk do ketë më mundësi të kundërshtojë qoftë dhe cënimin e të drejtën e fjalës, e drejtë e cila që tani rrezikohet me të ashtëquajturën “paketë antishpifje”.

Më së pari duhet të jetë opozita ajo që duhet të veprojë e mos mjaftohet me deklaratat, pasi nesër do jetë vonë!

Nëse kjo skemë e mirëmenduar do shkojë drejt aplikimit, askush mos habitet nëse nesër do e shohë vendin jashtë NATO-s. Ku i dihet, mund t’i teket Kryeministrit që siç veproi sot me tërheqjen nga Konventa e të drejtave dhe lirive themelore të Njeriut, të tërhiqet nesër nga Aleanca e Atlantikut!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here