Të ardhurat e buxhetit bien me 17% në Mars

0
96

Si pasojë e paralizimit të ekonomisë nga pandemia e koronavirusit, të ardhurat e buxhetit të shtetit për Marsin ishin 53 milionë euro ose 17% më pak se sa një vit më parë, rënie që mund të jetë edhe më e madhe gjatë muajve Prill e Maj.

Buxheti i shtetit pësoi një rënie drastike të të ardhurave gjatë muajit Mars si pasojë e paralizimit të përgjithshëm ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, ndërsa shpenzimet buxhetore mbetën pothuajse në të njëjtin nivel si një vit më parë.

Të dhënat statistikore paraprake të publikuara të Mërkurën nga Ministria e Financave tregojnë se për muajin Mars, të ardhurat e buxhetit ishin 32.7 miliardë lekë ose 6.6 miliardë më pak se sa Marsi i vitit 2019. Rënia e të ardhurave me afro 53 milionë euro duket se shpreh vetëm një pjesë të realitetit, pasi ekonomia shqiptare u mbyll efektivisht rreth mesit të muajit Mars.

Kjo sugjeron që rënia e të ardhurave mund të jetë edhe më e madhe në muajt Prill e Maj.
Të ardhurat kryesore të buxhetit, nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Akcizat, Tatimi mbi të Ardhurat Personale apo Tatimi mbi Fitimin pësuan rënie pothuajse të njëtrajtshme ku akcizat pësuan rënien më të vogël me 10% ndërsa tatimi mbi fitimin e kompanive pësoi rënien më të madhe me 40%.

Të ardhurat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore ranë me 10%.

Ndryshe nga të ardhurat, shpenzimet e buxhetit të shtetit në Mars ishin 38.6 miliardë lekë, ose 5% më të larta se sa një vit më parë. Shpenzimet operative të shtetit ishin 9% më të ulëta ndërsa shpenzimet kapitale ishin në mënyrë shumë të pazakontë, 4.7 miliardë lekë ose 135% më të larta se sa një vit më parë.

Rënia me 53 milionë euro e të ardhurave buxhetore për Marsin është e barabartë me 1.2% të planit total të të ardhurave për vitin 2020 prej 4.1 miliardë eurosh./ Birn Gjergj Erebara

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here