Covid-19 po godet më fort, qeverisjet “e këqija”

0
105

Nga Alexei Bayer

 

Koronavirusi i ri, është veçanërisht i rrezikshëm për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të mëhershme kronike. Por ai godet gjithashtu më shumë, vendet që kanë tashmë qeveri të këqija. Virusi, kudo që ai shfaqet, ka një aftësi mbresëlënëse për të nscjerrë në pah çdo të metë në shoqërinë dhe ekonominë e një vendi.

Fillesa e kësaj pandemie mund të ketë qenë një lloj “mjellmë e zezë”, pra një ngjarje që nuk mund të ishte parashikuar dot. Por nga ana tjetër, nuk kishte asgjë të paparashikueshme në mënyrën se si u përhap ajo me shpejtësi.

Kina                                       

Pandemia nisi në Kinë, ku siç mund të pritej u fsheh në fillim nga autoritetet komuniste. Për pasojë, vendet e tjera humbën kohën e vlefshme, gjatë së cilës ato mund të ishin përgatitur shumë më mirë për ta përballuar atë.

Por “makineria” e propagandës kineze, është tashmë në punë me kohë të plotë, për të fshehur përgjegjësinë e qartë që ka Kina në këtë pandemi. Është interesante të vëresh kontrastet e Kinës së sotme me epokën e Mao Ce Dunit.

Në rast se epidemia do të kishte ndodhur në atë kohë, informacioni sërish nuk do të kishte dalë nga Kina, por nga ana tjetër virusi nuk do të prekte ndonjë vend tjetër. Ndërkohë Kina e sotme, është tërësisht e integruar në sistemin ekonomik global.

Por tek ajo nuk ka asgjë gjë liberale, përveç faktit që shtetasit e saj mund të udhëtojnë në të gjithë botën, nëse këtë gjë e dëshiron edhe qeveria kineze. Vendi drejtohet ende nga e njëjta Parti Komuniste dhe udhëheqësit e saj autoritarë, të cilët kërkojnë të kontrollojnë informacionin, dhe duan që bota të dëgjojë për ta vetëm lajme të mira.

Evropa

Por rastësi nuk ka qenë as përhapja e sëmundjes në vendet e tjera. Italia është një vend i drejtuar vitet e fundit nga një seri e pafundme amatorësh, të interesuar kryesisht vetëm për veten e tyre, dhe që në përgjithësi nuk shqetësohen aspak mbi vendin që drejtojnë.

Përpjekja për t’i zgjidhur problemet e njohura të vendit, konsiderohet shpesh nga politikanët italianë si nën dinjitetin e tyre, dhe si një punë tepër e lodhshme. Ata e preferojnë politikën si një teatër, aq më tepër kur falë saj bëjnë një jetë shumë luksoze.

Sigurisht, nuk ndihmon aspak fakti që kohët e fundit, kllounët nga Partia Pesë Yjet kanë qenë sërish në qeveri. Ndërkohë, një lider radikal si Matteo Salvini po pret të rimarrë frenat e pushtetit. Në të kundërt, Spanja qeveriset nga njerëz shumë më seriozë dhe të aftë, por ajo po copëtohet nga separatizmi katalunjas.

Britania e Madhe

Ky vend, është një shembull veçanërisht i trishtë. Pasi harxhoi 3 vjet e gjysmë duke u grindur

për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, ai debatoi me nge si të përballonte luftën kundër koronavirusit:në fillim me një qasje, me pas me një tjetër. Dhe përfundoi me kryeministrin e saj, Ministrin e Shëndetësisë dhe trashëgimtarin e fronit mbretëror, të prekur nga COVID 19.

Rusia

Katastrofa e radhës, do të ndodhë në Rusi. Pas 20 vjetësh qeverisjeje kleptokratike të Vladimir Putinit, sistemit shëndetësor rus dhe burimet njerëzore janë tërësisht të degraduara. Mjekët nuk kanë as pajisje mbrojtëse, as respiratorë, dhe as ilaçe. E vetmja industri që funksionon në Rusi është makineria e propagandës dhe e dezinformimit, e cila e ushqen vendin me gënjeshtra.

Në botën reale, u desh më pak se një javë që Rusia të kalonte nga papërgjegjshmëria totale, në mbylljen nën karantinë të kryeqytetit Moskë, dhe shpalljen e një “pushimi” të gjatë 1-mujor. Ndërsa Rusia ka zyrtarisht pak raste, dëshmitarët raportojnë për disa epiqendra kryesore të sëmundjes.

Shtetet e Bashkuara

Dhe pastaj është edhe SHBA-ja. Ajo është arsyeja kryesore, pse vdekjet në total nga koronavirusi në të gjithë botën do të arrijnë në qindra mijëra, dhe pse karantina do të shndërrohet në një depresion global. Covid-19, nxjerr në pah forma të ndryshme të dialektikës perverse të stilit amerikan, në mos një lloj skizofrenie.

Vendi zotëron një teknologji të përparuar, një industri gjithashtu të përparuar bioteknike, dhe ka mjekët dhe spitalet më të mira në botë. Gjithashtu, shpenzon më shumë për frymë se kushdo në botë për kujdesin shëndetësor, përfshirë vende si Luksemburgu dhe Zvicra. Sidoqoftë, ajo po dëshmon se ishte tërësisht e papërgatitur për pandeminë.

Jo gjithë faji është i Trumpit

Ne mund dhe duhet ta bëjmë më faj presidentin Donald Trump për injorimin e paralajmërimeve të hershme, dhe më pas për përhapjen e shpejtë të koronavirusit në SHBA. Ai mund të fajësohet edhe për shpërbërjen 3 vjet më parë të ekipit të ekspertëve të pandemive brenda qeverisë së tij, por edhe ekipit të Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve në ambasadën amerikane në Kinë.

Në aspektin e ndikimit ekonomik, Trump është gjithashtu fajtor pse e ka thelluar defiçitin  buxhetor në kulmin e rritjes ekonomike, një lëvizje që ka ndihmuar vetëm të pasurit dhe korporatat, përmes uljes së taksave për ta.

Por nuk ishte Trumpi ai që e nisi ‘luftën civile’, të cilën Amerika po zhvillon kundër qeverisë së vet gjatë 3 dekadave të fundit. Kjo lloj lufte, e la lënë qeverinë pa burimet dhe shërbimet e duhura. Dhe ndërsa Trump po nxit me siguri shpërbërjen e shtresës së mesme amerikane, ai nuk është përgjegjës për shkaktimin e kësaj lufte.

E njëjta gjë vlen edhe për krizën e opioideve, ngarkesën e madhe me borxhe të studentëve, cilësinë e dobët të arsimit publik, koston shkatërruese të kujdesit shëndetësor, apo skemën e çmendur të lidhjes së sigurimeve shëndetësore me punësimin etj.

Përfundim

Natyrisht, pandemia është një fatkeqësi globale, dhe si e tillë është një fatkeqësi natyrore, dhe faji i askujt. Por ashtu siç ajo sulmon njerëzit më të brishtë fizikisht, ajo është veçanërisht me agresive ndaj qeverisjeve të këqija dhe plot probleme, të cilat në kohëra normale i fshehin vazhdimisht të metat dhe gabimet e tyre. / “The Globalist” – bota.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here