Standard.al

Tjetër gjë thuhet dhe tjetër gjë bëhet”, denoncimi i fortë i Bashës: Ka raste vdekjesh dhe infeksionesh nga COVID-19 që s’janë raportuar

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaron se situata është ende kritike dhe për këtë arsye u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë distancimin social. Z. Basha në një interviste për Euronews Albania, tha se nga ana tjetër mungojnë të dhënat e sakta lidhur me përhapjen e COVID-19.

“Na mungojnë shifrat dhe nuk e dimë se sa të infektuar ka. Shqipëria është në numër rekord për numrin më të ulët të testimeve në Ballkan dhe Evropë”, deklaroi kreu i PD.

Përveç numrit të ulët, z. Basha tha se një numër i madh personash në listën e atyre që kanë kryer testin janë persona me pushtet. “Një numër i madh në listë janë deputetë dhe zyrtarë dhe pjesë e admiinstratës”, deklaroi lideri i opozitës.

Z. Basha theksoi se shifrat që bëhen publike nga institucionet qeveritare nuk tregojnë përmasat reale të infeksioneve nga COVID-19. Ai për këtë iu referua dhe eksperiencave të rrethit të të njohurve.

“Ne jemi në një dhomë të errët ku nuk e dimë realisht përmasën e infeksionit. Unë vetë di raste të të njohurve të mi, ku ka pasur fatkeqësisht dhe ndarje nga jeta për shkak të COVID edhe infeksione për shkak të COVID të cilat nuk rezultojnë të raportuara. Qartësisht ajo që kemi zyrtarisht përpara nuk është përmasa e vërtetë”, deklaroi kreu i PD.

Lideri i opozitës e konsideron emergjente nevojën për një paketë të dytë ndihme. Ai i konsideroi të vonuara hapat e qeverisë, duke sjellë si shembull se Kosova dhe Maqedonia kanë miratuar paketat e dyta.

“Të mos vonojë asnjë ditë paketën e dytë të ndihmës pasi jemi në kushtet e emergjencës. Më 17 mars premtoi se asnjë familje e dëmtuar nuk do të mbetet pa të ardhura, sot jemi më 8 prill dhe 9 mijë persona kanë marrë paratë. Është pak pasi bëhet fjalë për qindra mijëra njerëz që janë në pamundësi ekonomike. Akoma paketa e parë nuk është zbatuar, në Kosovë po zbatohet paketa e dytë, dhe në Maqedonia është miratuar paketa e dytë”, deklaroi z. Basha.

Duke e konsideron gjendjen e biznesit si kritike, kryetari i PD-së tha se qeveria po mjaftohet vetëm me fjalë dhe nuk po merr masa konkrete. Madje, z. Basha tha se kishte informacione se këshilltarët e Kryeministrit pavarësisht se i kanë sugjeruar masa të ngjashme me ato të paraqitura nga opozita, Edi Rama refuzon t’i ndërmarrë.

“Tjetër gjë thuhet dhe tjetër gjë bëhet. Flitet shumë dhe bëhet pak. Po hyjmë në javën e pestë dhe tani kjo fillon e kushton jetë, shohim se biznesi është në gjendje kritike. Kur flasim për biznesin flasim për punëmarrësit. Biznesi i vogël është shtylla e ekonomisë, por biznesi i madh punëson qindra dhe mijëra familjarë. Nuk mund të tejkalohet hendeku që kanë sjellë masat, ka nevojë për veprim të shpejtë. Kemi informacion se këshilltarët e qeverisë kanë bërë të njëjtat propozime për të vepruar me masa lehtësuese identike siç kemi propozuar dhe ne”, u shpreh lideri i opozitës.

Pyetje: Komiteti I Ekspertëve Teknik tha dje që strategjia që ata kanë zgjedhur po funksionon dhe nuk shohin asnjë arsye përse ta ndryshojnë?

Lulzim Basha: Shifrat janë kontradiktore. Të tjera shifra jep Kryeministri, të tjera shifra jep Ministria e Shëndetësisë dhe kjo duhet të marrë fund. Nuk dua të futemi në debat janë apo nuk janë shifrat këto që jepen, e rëndësishme është të ketë një transparencë dhe të ketë një testim, i cili të jetë i besueshëm. Nëse testoni 15 vetë dhe 12 vetë dalin të infektuar, këtu ka një problem. Në qoftë se numri i testimeve për të paktën tre javët e para nuk ka kaluar 50, këtu ka një problem. Prandaj, e kemi kërkuar rritjen e numrit të testimeve, prandaj e kam parashtruar edhe institucionalisht. Sot janë mbushur 2 javë që kur e kam kërkuar. Na eshte thënë 10 mijë teste. Nuk e di çfarë bëhet, kanë ardhur këto 10 mijë teste apo jo?! Bashkë me testet rritet mundësia për të testuar, sepse nga njëra anë kryeministri thotë se po të duam mund të bëjmë edhe 2 mijë teste, nga ana tjetër del Instituti i Shëndetit Publik dhe thotë se kapaciteti ynë për teste është 500.

Pyetje: 200 janë bere sot sipas Ministrise.

Lulzim Basha:Po, por në qoftë se kryeministri thotë se po të duam, bëjmë edhe 2 mijë teste dhe pastaj dalin ekspertët dhe thonë në mund të bëjmë vetëm 500 teste në ditë, qartësisht ka një problem. Ose kryeministri nuk e di se për çfarë po flet, ose po flet para se të flasin ekspertët. E rëndësishme është që Shqipëria të ketë mjaftueshëm kapacitete për testim.

Pyetje: Po ushtroni presion që qeveria të bëjë më shumë teste?

Lulzim Basha: Jo vetëm kaq, por ia kam kërkuar këtë ndihmë edhe partnerëve tanë, edhe BE-së. Dje e falenderova publikisht dhe doja ta përsërisja falenderimin për ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila me fondin prej 700 mijë dollarësh që I është vënë në dispozicion USAID-it nga fondi amerikan për të ndihmuar Shqipërinë si pjesë e paketës së rajonit, do t’o dedikojë për blerjen e 30 mijë testeve. Dhe uroj dhe shpresoj që këto 30 mijë kite testimi të mbërrijnë sa më shpejt në Shqipëri, sepse janë të domosdoshme. Jemi sot në numra mikroskopikë në krahasim me aty ku duhet të ishim për sa i përket testimit. Mesatarja e testimit për person të infektuar është 4 veta, është shumë e ulët, duke përfshirë këtu edhe njerëz që mund ta kenë përfituar testin për shkak të statusit të tyre shtetëror. Është shumë e ulët, ku është një konsensus i gjithë ekspertëve. Si mund të dalim nga karantinë? Si mund të rindezim motorët e ekonomisë, në qoftë se nuk e dimë ku jemi, nuk e dimë sesa i përhapur është virusi, nuk e dimë sesa të infektuar ka apo dimë vetëm 1/3 apo 1/10 e asaj që ekziston. Prandaj, testimi ka dy role kryesore:
Së pari për të forcuar mburojën e shëndetit. Dhe duket qartë që nga mungesa e testimeve në kemi patur një numër të madh mjekësh dhe infermieresh të prekur, jo vetëm ata që janë raportuar por edhe shumë të tjerë që nuk janë raportuar.
Dhe së dyti për të filluar për të menduar për rrugën e daljes nga kjo situatë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.