Interviste/ Agron Tufa: Manipulimi politik ka ngrirë njohjen e formatit të intelektualit të sotëm  

0
133

 

Art në distancë/ Në këtë rubrikë sjellim intervista të rëndësishme me shkrimtarë, intelektualë duke parë në këtë distancë, drejt së shkuarës (detyruar nga karantina) se si mendimet, llogjika për letërsinë, leximin, dhe dialogun letrar lëvizin në kushte konkrete nga koha e bisedës. Në qershor, të vitit 2009 shkrimtari Agron Tufa ka përfaqësuar kulturën dhe gjuhën shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar Mediterrano në Romë, Itali; Diskursi i festivalit – një manifest mbi formatin e intelektualit të sotëm, të manipuluar nga politika

 

  Bisedoi: Violeta Murati

 

Manipulimi politik ka ngrirë njohjen e formatit të intelektualit të sotëm. Për ta çtensionuar këtë atmosferë që shkaktojnë luftërat dhe kontradiktat, prej dy vitesh në Romë mblidhen poetë nga kulturat Mesdhetare dhe Evropa.

Diskursi i tyre shndërrohet gati në manifest, duke kërkuar daljen në pah të arketipit të intelektualit.

Në peligrinazhin njëmujor, gjatë gjithë korrikut, mes 40 poetëve që ishin aty nga kultura të ndryshme, Agron Tufa përfaqësoi gjuhën dhe kulturën shqiptare. Një ftesë që i mbërriti pasi kishte marrë nga Italia tre çmime të para ndërkombëtare dhe njohjes nëpërmjet disa cikleve poetike të botuar në periodiket italiane.

Por mbledhja e poetëve nga kulturat mesdhetare dhe Evropa; kishte si princip bazë revokimin e zanafillës së artit dhe qytetërimit antik egjiptian-greko-romak, që ka përcaktuar tri kulturat përkatëse dhe 2 civilizimet:-judeo kristianizmin dhe myslimanizmin.

Nëpërmjet debateve synohej krijimi i urave lidhëse ndërmjet kulturave dhe tolerancës religjioze dhe respektit të ndërsjelltë mbi vlerat kulturore.

“Në fakt, pjesëmarrja ishte e të gjitha kulturave evropiane, pasi big-bangu kulturor antik krijon kontinentin evropian ashtu siç e njohim sot”, thotë Tufa.

Ligjërimet ishin përzgjedhje specifike mbi tematikë të tillë si: mitet dhe arketipi i tyre sot; toleranca politiko-religjioze; gjuhët e mesdheut si një kullë Babeli dhe utopia humaniste etj.

Perceptimi negativ i Shqipërisë në rajonin Mesdhetar, si rrjedhojë diskriminimi që u bëhet krijuesve shqiptarë, duke u nisur nga paragjykimet social-politike bashkëkohore, e shtynë poetin shqiptar që të mbante, të përqëndrohej në ligjërimin “Babeli i lumtur”. Në thelb, kjo parashtronte principet që kishte në bazë ky festival në diskurset e tij, atë të intelektualizmit human, ku Tufa zgjodhi ligjërimin e tij si kundërvënie racore dhe diskriminuese që u bëhet krijuesve.

Për herë të parë, poetët të ardhur nga Mesdheu dhe Evropa, patën sensacionin e zbulimit të melodisë dhe kadencës së gjuhës shqipe përmes leximeve poetike të Tufës.

“Sensacioni i festivalit”, kështu u cilësuan poezitë e Tufës, duke i dhënë atij sërish vendin e parë në festival. Motivimi ishte për vlerat e larta estetike dhe humane që përcjell poezia e Tufës, duke paraqitur njërën nga kulturat mesdhetare, Shqipërinë.

Ndërsa stimuli material ishte botimi i një përzgjedhje poetike në Itali, në një shtëpi botuese prestigjioze.

Çdo ditë poetët kalonin në mbrëmjet e leximit nëpër sheshet e Romës dhe qyteteve antike të provincës së Romës si Ostia, Santa Marinela, Tivoli, Lavigno, Latino etj.

Poetit shqiptar i ishin rezervuar tre mbrëmje personale leximi, duke ekspozuar gjuhën shqipe në tri qendra të ndryshme të antikitetit romak.

 

“Babeli i lumtur”, ligjërimi juaj në Festivalin Ndërkombëtar të poetëve të Mesdheut. Cila ishte metafora e kësaj përzgjedhje ligjërimore, që duket se rrok një obsesion të intelektualëve shqiptarë, kur përballen me botën jashtë?

 

Nëse ne jemi të dëgjueshëm dhe më të kujdesshëm në respektimin e vlerave kulturore, shpeshherë të krijuara nëpërmjet sakrificash, vetëmohimi në kushte të diktaturave dhe të disfavoreve sociale, atëherë kuptohet se qëllimi i shkrimtarëve dhe poetëve të Mesdheut është i vetmi shans për krijimin e një Babeli të lumtur.

Aty, brenda kësaj familje gjuhësh e kulturash, do të kumbojnë notat e një tolerance dhe utopie sociale mentale, estetike dhe rrjedhimisht artistike.

E bukura duhet të ngrihet në përvujtninë që e karakterizon mbi rrapëllimën dhe vrigëllimën e konjukturave politike, fobive e izolacionimit, pasi e bukura lind ndjenjën e thellë të estetikës (“E bukura e shpëton botën”, Dostojevski) dhe është estetika ajo që lind etikën.

Për këtë rol dhe misioni i krijuesve duhet parë i pashkëputur nga aktiviteti i tyre intelektual, si kundërvënie ndaj “intelektualit uniformë”, intelektualit pro pushtetit, i cili është bashkëfajtor me tiranitë dhe të gjitha pushtetet totalitare.

 

Vetë synimi i këtij festivali të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një manifest të krijuesve mbi intelektualizmin?

 

Po, ishte absolutisht një manifest për zgjimin e vetëdijes kulturore të së bukurës, në kushtet kur shoqëritë funksionojnë gjithnjë e më të mbyllura, duke theksuar fobinë, racizmin dhe fondamentalizmin, pra, ndjenjën e mospranimit të refuzimit të tjetrit.

 

 

Eshtë ca utopike parashikimi i arketipit të intelektualit të sotëm. Cila ishte koshienca e ligjërimit tuaj në këtë paradigmë ideologjike, si fenomen shqiptar i sotëm?

 

Arketipi i intelektualit që u promovua në Shqipëri gjatë shek.XX, ishte ai i shërbëtorit të bindur dhe i manipuluar ideologjikisht. Në kushtet e sotme “shqiptare” kemi një evoluim të “keq” të kësaj paradigme ideologjike. Ndërsa, dikur prespektiva futuristike e shtetit të enverizmit ishte: përpara drejt komunizmit. Sot, kjo është zëvendësuar me: përpara drejt integrimit mbarevropian. Diferenca nuk qëndron në formën dhe qëllimin, por në anën konceptuale se si e arsyetojmë dhe me zellin për t’u rreshtuar pro dhe kundra kësaj ideologjeme. Nëse dikur shpallej armik i idesë së fitores drejt triumfit të komunizmit, sot shpallesh armik i përbashkët i integrimit mbarevropian.

Një intelektual human dhe me mendje të shëndoshë, nuk është se i kundërvihet një utopie që ka për bazë realizimin e interesave të kolektivit, por ai nuk mund të pranojë që rrugët drejt qëllimit të kalojnë nëpërmjet formave të përgjakshme dhe mohimit të lirive themelore.

 

Kjo do të thotë se intelektuali human është avangarda e sotme, si kërkesë imediate mbërthyer brenda dhe “famën” e intelektualit të kulturës. Si u drejtua ky diskurs gjatë ditëve të festivalit?

 

Pata një polemikë të ashpër me një poet izraelit gjatë një diskursi që pati me një poet egjiptian, duke nxjerrë në plan të parë të drejtën mbi truallin, që para 2 mijë vjetësh këtu ka qenë toka jonë hebraike. Kjo e drejtë për t’u rikthyer justifikon aktet represive mbi palestinezët.

Vetë izraeliti ishte në zyrën e një konsullate, i Ministrisë së Jashtme në Itali. Nuk mund të qëndroja pa ndërhyrë. Bëra një paralelizëm mes pretendimit të serbëve gjatë spastrimit etnik në Kosovë, se “Kosova është djepi i kulturës dhe religjionit serb”. Sulmova dhe rreshtimin e disa prej intelektualëve evropianë, që u bënë krah këtij cinizmi serb, duke thënë se edhe sikur ta pranojmë për një çast se Kosova është “djepi serb”, atëherë si duhet të veprojmë kur në këtë djep serb gjendet foshnje shqiptare; të vrasin foshnjen për të shpëtuar djepin. Në mënyrë analoge përputhet dhe konflikti izraelit-palestinez dhe mbyllja ime ishte se një politikani të sotëm e, sidomos, një ministri të jashtëm, para se t’i kërkojnë programin e tij politik, është më mirë ta pyesin se çfarë mendon ai për Floberin, Hygonë, Dostojevskin apo Prustin. Sepse një njeri që i ka lexuar këto e të tjerë shkrimtarë, e ka të pamundur ta vrasë të ngjashmin e vet. Ndërsa një që nuk e ka lexuar, sado i shkolluar të jetë, e ka të lehtë të rekrutohet nëpër parti e ideologjira të ndryshme. Të ditur ishin edhe Musolini, Hitleri, Stalini apo Enveri etj., madje, Mao Ce Duni shkruante dhe poezi, por numri i viktimave të tyre kalon ku e ku librat e lexuar.

 

Bota letrare po kalon dhe krizën e njohjes, leximit e studimeve, duke e zbuluar këtë që nga organizimi i këtij festivali, ku manipulimi politik ka ngrirë njohjen e formatit intelektual…

 

Në ligjërimin “Babeli i lumtur” tingëlloi dhe kjo kundërvënie. Intelektuali i sotëm duhet t’i rikthehet leximit, kushtit ideal të dialogut me veprën dhe studimin, pasi formati i intelektualit të sotëm është fetishizimi i tij nëpërmjet faqeve të para të gazetave të përditshme apo ekraneve televizive. Është formati i intelektualit fiktiv që riprodhon vetveten fiktivisht, pa u kredhur në mençurinë dhe dialogun e thellë me leximin dhe shkrimin. Ky tip intelektuali po bëhet atavizëm, prandaj dhe kemi ngritje dhe ekspansion të opinioneve të gabuara kolektive. Kryesisht, kjo rroku një akt të rëndësishëm, që gjenerimi i opinioneve hidhet apriori pa përfillur një bazë të qëndrueshme dokumentare pa referenca, me të vetmin mbështetje në intencat utilitare politike.

Gjithnjë e më tepër po lihet pas dore njohja e kulturës së tjetrit, nuk përfillet vlera e kulturës fqinje, por pa e njohur, paragjykohet shkalla e mosnjohjes varet nga politika, mungesa e interesit në globalizmin e sotëm, mungesa e interesit në një gjuhë të vogël si Shqipëria, në të kundërt me pathosin humanist se nuk ka gjuhë të vogla dhe të mëdha. Këto janë dy anë të një gabimi. Ekzistenca e konjukturave kulturore me jashtë i kanë shndërruar në monopole, krijohet rrethi vicioz, nuk kapërcehen shabllonet, klishetë. standard.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here