Nuk i binden shtetrrethimit, Policia: 41 shoferë shkelin urdhrin dhe u bllokohet mjeti dhe 270 persona gjobiten

0
99

Policia e Shtetit ka publikuar masat e marra gjatë 24 orëve të fundit në zbatim të urdhrit të shtetrrethimit, me qëllim ndalimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

Në njoftimin për mediat policia njofton se 41 drejtues mjeti janë konstatuar në shkelje të urdhrit dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokimin e mjetit.

Gjithashtu gjatë 24 orëve janë gjobitur me 10 mijë lekë të reja edhe 270 persona, të cilët janë kapur duke lëvizur në këmbë ose me biçikletë.

 

Ndërsa në Tiranë një person është arrestuar pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Ndërkohë, në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi A. B., 45 vjeç, banues në Tiranë, i cili është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.11 mg/l.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 270 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi K. J., 18 vjeç, banues në Tiranë, sepse gjatë pasdites së djeshme duke lëvizur pa leje ka kundërshtuar dhe goditur me grusht punonjësit e Policisë, si dhe u proceduan penalisht shtetasit L. GJ., 20 vjeç dhe E. J., 25 vjeç, banues në Tiranë, sepse janë konstatuar duke lëvizur gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes dhe kanë kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë.

Në Berat është arrestuar në flagrancë shtetasi D. R., 33 vjeç dhe është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. P., 49 vjeç, pasi janë konstatuar nga punonjësit e Policisë duke lëvizur pa mjet identifikimi, jashtë orarit të lejuar të lëvizjes dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit për në komisariat, ku shtetasi D. R. i ka kundërshtuar punonjësit me dhunë.

Në Pogradec, nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara për personat e vetëkarantinuar, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasja D. K., 32 vjeçe dhe I. M., 26 vjeç, të cilët ishin kthyer nga një qytet i Maqedonisë së Veriut dhe duhet të ishin vetëkarantinuar, por janë konstatuar jashtë ambienteve të banesës.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 5 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Në Sukth, gjatë kontrolleve nga shërbimet e Policisë Durrës është konstatuar i hapur për herë të dytë, lokali “Bar kafe” në administrim të shtetasit A. J., të cilit iu bllokua aktiviteti për 6 muaj.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here