Çfarë na shtyn të bëjmë blerje masive, sikur e nesërmja të mos vijë?

0
84

Në Shtetet e Bashkuara, i quajnë atë blerje në panik e sipër. Është dukuria, që shfaqet sa herë që ka një emergjencë: një harbim i papërmbajtshëm blerjesh dhe furnizimesh të shumta, që mbështet nevojat më parësore, dhe që mbështetet nga frikërat e trashëguara.

Është diçka, që është e vështirë të interpretohet në një mënyrë të arsyeshme. E si mund të shpjegohet fakti, që shitjet e rrahëseve të vezëve janë rritur me 262 për qind, që kur masat e kontrollit ndaj koronavirusit, janë bërë gjithnjë e më të rrepta në Itali?

Bum shitjesh

“Nuk është e dhëna e vetme, që na bën përshtypje”- thotë Xhuzepe Stiljano, profesor i marketingut në në IULM në Milano. ”Për shembull, shitja e miellit është rritur me 185 për qind. Ajo e dorezave latex me 362 për qind. Ndërkohë, shitjet e parfumeve dhe produkteve të tjera kozmetike, kanë rënë me 100 për qind.

Studimet tregojnë se 57 për qind e italianëve, janë duke u përqëndruar vetëm mbi produktet më thelbësore, thotë ai. Dhe të dhënat e përgjithshme, duket e konfirmojnë këtë prirje. “Në Itali, në periudhën 17 shkurt-15 mars të këtij viti – vazhdon Stiljano – dyqanet ushqimore kanë parë një rritje të shitjeve me 12 për qind, ndërsa ato në internet në masën 80 për qind. Për këtë arsye, Amazon vendosi të punësojë 100.000 punëtorë të paktën për këtë muaj për të përballuar bumin e kërkesave”. Por si shpjegohen këto sjellje?

Pse kjo mani për grumbullim masiv produktesh

Arsyet e blerjet impulsive të këtyre ditëve janë të shumta. Bumi i blerjeve të produkteve ushqimore, rritet bashkë me shqetësimin e njerëzve. Stiljano shpjegon:“Javën e parë rritja e blerjeve ishte 17, e dyta 25, e treta 58, dhe e katërta 67 për qind. Ndërsa shqetësimi rritet, po kështu ndodh edhe me tendencën e blerjes dhe magazinimit të sa më shumë mallrave jetike”- shprehet ai.

Jo vetëm kaq, por fakti që po rrimë shumë më tepër kohë në shtëpi së zakonisht, duke hequr për shembull dorë nga ngrënia e picave me miqtë apo e drekës në punë, luan rolin e vet. “Kësaj i shtohen edhe zakonet e fragmentuara:të gjithë në familje kanë menunë dhe dietën e vet ushqimore. Prandaj, detyroheni të blini gjithçka në sasi më të mëdha. Pastaj frika e masave kufizuese dhe ajo e sëmurjes, na shtyjnë që të blejmë sasi të mëdha ushqimesh dhe uji për një periudhë afatgjatë”- shton profesori.

E paarsyeshme? Aspak

Por nuk duhet nxituar, për t’i etiketuar këto lloj blerjesh si sjellje joracionale. Ato nuk janë dhe aq të tilla, sipas Fabio Sbatelës, profesor në Universitetin Katolik të Milanos, dhe autor i librit “Psikologjia e emergjencës.

“Gjatë një periudhe emergjence, disa nga nevojat e njeriut janë në rritje. Dhe ne arrijmë që ta përballojmë frikën, duke e pajisur veten me mjetet e mbijetesës, pra duke blerë ato që besojmë se do të na ndihmojë që ta kapërcejmë momentin e vështirë. E gjitha kjo nuk është aspak jorracionale”- thotë ai.

Përkundrazi, ajo që na nxit drejt furnizimeve masive me produkte jetike, është perceptimi i asaj që po ndodh përreth nesh. “Duke parë në televizion ato që ndodhnin në Kinë ose Kodonjo, nisa të kuptoj që edhe unë mund të përballsha me të njëjtën situatë”- vijon Sbatela.

Por ne kemi qenë dëshmitarë edhe të skenave të ekzagjeruara të blerjeve, të ashtuquajturave blerje nga paniku. “Teknikisht kjo fjalë nuk duhet të përdoret: paniku është një gjendje bllokuese:njeriu nuk lëviz, dhe as reagon dot.

Frika është ajo që na nxit të reagojmë. Në këtë rast, mund të flasim për lloj epidemie emocionale:ne bëjmë blerje, jo sepse besojmë se është e nevojshme, por sepse shohim që këtë gjë e bëjnë edhe gjithë të tjerët. Është një sjellje imituese, funksionon kështu edhe me shitjet”-përfundon Sbatela.

Disa të dhëna

Nilsen ka identifikuar 3 efekte që na nxisin të dyndemi masivisht nëpër dyqane. Efekti i stokut, me blerjen mes të tjerash edhe të produkteve që kanë një skandencë afatgjatë si orizi (+71 për qind në datat 9-15 mars) dhe domatet e konservuara (+ 82 për qind).

Pastaj është edhe efekti i parandalimit të sëmundjes, ku midis të dhënave të ndryshme, ajo që të bën përshtypje është një rritje me 196 për qind i produkteve higjeno-sanitare; dhe efekti i “qëndrimit në shtëpi”, që na shtyn të blejmë ushqime të tilla si ëmbëlsirat (+ 57.7 për qind) dhe picat e ngrira (+54.3 për qind).

Këto të dhëna sipas Nielsen, varen edhe nga pozita gjeografike:Itali e Jugut, ka rritjen më të lartë të blerjeve (+28.4 për qind), e ndjekur nga Verilindja (+18.6 për qind), pjesa qendrore (16.8 për qind) dhe ajo Veriperëndimore (+10.1 për qind).

Çfarë mund të ndodhë në të ardhmen?

Sipas Stiljanos, pasi kemi ndryshuar konsumin dhe sjelljet, pandemia e koronavirusit, do të lërë një gjurmë të përhershme në stilin tonë të jetës:”Ne kemi rizbuluar tregtinë e afërt, e lënë hije nga tregtia online. Sot që bëjmë pazar afër shtëpisë, e kuptojmë se nëse nuk do të kishte patur dyqane pranë nesh, do të kishim pasur shumë telashe. Pra, ka të ngjarë të kthehet lidhja e dikurshme empatike midis tregtarëve dhe blerësve”- thotë ai.

Tendencat e tjera të mundshme:do të rifillojmë të bëjmë më shpesh disa lloj ushqimesh për shtëpinë, ashtu si dikur. Dhe dëshira për ta parë vendin të ringrihet pas krizës, mund të na shtyjë të blemë më shumë produkte italiane. Jo pak dëme do të ketë edhe turizmi. Ne sërish do të preferojmë të pushojmë me shumë në pjesë të vendit tonë, për të nxitur daljen nga kriza ekonomike”- thotë Stiljano.

Dhe pastaj mund të shfaqen sërish mani të reja. “Do të jemi të gatshëm të paguajmë më shumë për një produkt, që plotëson standardet më të larta të higjienës. Ajo që ndodhi pas 11 shtatorit 2001 për sa i përket sigurisë së aeroportve, mund të ndodhë në të ardhmen me miratimin e standardeve të reja të higjienës”-vazhdon Stiljano.

Por ndoshta nga një gjë, nuk do të jemi në gjendje të heqim dorë:mësimi online. “Studentët, mësuesit, me pak fjalë profesionistët, dhe të gjithë ata që e kanë kuptuar se mund t’i kryejnë punën e tyre në internet dhe përmes video-konferencave, mund ta shndërrojnë këtë në një zakon dhe praktikë të përditshme, pasi ka thjehtëzuar pjesërisht jetën e shumë prej tyre. Dhe ne jemi gjithmonë të gatshëm të mirëpresim risitë, kur ato e thjeshtojnë jetën tonë”- thekson Stiljano. / Wired – Bota.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here