Ftesë për debat: Sheshi “Skënderbej”, viktimë e përçudnimit prej mediokritetit

0
130

Nga: Luan Rama

Ftesë për debat:

SHESHI “SKËNDERBEJ”, VIKTIMË E PËRÇUDNIMIT PREJ MEDIOKRITETIT

Nuk jam arkitekt dhe as urbanist e nuk marr guximin të flas për ç’ka është në tagrin e tyre profesional.
Por, nga sa kam lexuar mbi historinë e projektimit të Tiranës si qytet dhe mbi ecurinë e gjithë zhvillimit të saj edhe në planin arkitektonik dhe urbanistik, më rezulton se ajo që ka ngjarë me sheshin “Skënderbej”, është e gjitha një maskaradë përçudnuese, pasojë e imponimit të dhunshëm të shijeve perverse të një njeriu të vetëm.

I konceptuar si një ansambël monumental sëbashku me godinat e ministrive prej arkitektëve italianë Brasini dhe Di Fausto gati 90 vjet më parë, sheshi ishte një prej përbërësve më modern dhe funksional të qytetit.
Po të qëndroje e të shikoje prej çdo pike të tij, gjeje perspektivë në të gjitha anët.

Sheshi dominohej prej ndërtesave perreth tij e krijonte hapësirën e nevojshme për të shquar arkitekturën e tyre, por edhe për t’i “lidhur” ato bukur jo vetëm në aspektin funksional dhe urbanistik, por edhe në planin monumental dhe estetik.

Ndërsa bulevardi, prej korpusit qëndror të universitetit deri tek materniteti i vjetër apo tek ish stacioni i trenit, jo vetëm plotësonte aspektin e vet funksional dhe utilitar, por ishte arteria kryesore e qytetit.
Sot jo vetëm bulevardi është ndërprerë pa asnje kriter profesional dhe funksional, po nga zgjidhje, është bërë problemi më i madh i trafikut në kryeqytet.
Mbyllja e lidhjeve fizike të sheshit me bulevardin, duke bërë një ndërprerje të panatyrshme midis tij e aksit kryesor të qytetit, aq më tepër kur në planet për rregullim parashikohet mbajta e për më tepër shtrirja e mëtejshme e këtij aksi në drejtim të veriut në atë që quhet bulevardi i ri, është një prej provave se sa arbitrare, e dhunëshme dhe jo profesionale është ndërhyrja e bërë.

Ministritë, xhamia dhe sahati, pallati i kulturës,banka dhe muzeu historik kombëtar kanë humbur, janë gjymtuar.
Sidomos ministritë ngjajnë si të zhytura e shumë më të ulëta nga sa janë në të vertetë, përkundër zgjidhjes që patën bërë arkitektët e famshëm me lulishten në gropë pranë tyre, për t’i evidentuar më mirë e që të dukeshin më të larta nga sa ishin realisht.

Po të provosh të ecësh nga cilido cep i sheshit për të shkuar në majë, kupton që, për shkak të formës së tij jo tërësisht të rrafshët, syri humbet perceptimin e godinave rreth e qark, i deformon ato, i zvogëlon dhe krijuar një efekt të dyfishtë e duke zhvlerësuar njëkohësisht edhe sheshin, edhe ç’ka në kufi të tij.

Për më tepër, një shkurrishte masive e mbjellë pas asnjë sens estetik dhe funksional, pemët të vendosura kuturu para fasadave monumentale të ministrive të krijojnë idene se je në periferinë dhe jo në qendrën e një qyteti.

Shkurt, sheshi “Skënderbej” sot është një “monument” shëmtie në qendër të Tiranës, i mjaftë për të na dëshmuar se si arroganca dhe arbitrariteti i pushtetit, i imponon dhunshëm shijen e vet një qyteti dhe gjithë banorëve të tij.

Gjithësesi, ky është vetëm mendimi im.
Shikoni fotot që po publikoj, bëni krahasimet e pamjeve dhe jepni edhe ju mendimin tuaj.

Fotografia e Luan Rama
Fotografia e Luan Rama
Fotografia e Luan Rama
Fotografia e Luan Rama
Fotografia e Luan Rama
Fotografia e Luan Rama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here