COVID-19/ Çfarë do të duhet për të “sheshuar kurbën”?

0
104

Tashmë e keni dëgjuar shprehjen “rrafshoni kurbën”. I referohet përpjekjes për të ngadalësuar transmetimin e Covid-19, me qëllim që numri akumulativ i infeksioneve të marrë formën e një të përpjete të butë, në vend të një ngjitjeje të fortë pothuaj vertikale.

Çështja është urgjente, sipas ekspertëve të sëmundjeve infektive që kanë modeluar strategjitë për të frenuar përhapjen. Frenimi i virusit, thonë ata, kërkon një distancim të menjëhershëm dhe drastik social. Për të qenë efektiv, ndërhyrjet duhet të zgjasin me muaj – jo vetëm ditë ose javë – dhe për të shmangur mbingarkesën e spitaleve, duhet që më shumë se të përgjysmohet transmetimi i virusit.

Nëse në vend të kësaj, virusi lejohet të shumëfishohet i pakontrolluar, një vërshim pacientësh pritet të mbingarkojnë sistemet e kujdesit shëndetësor, të cilët nuk janë të pajisur për të përballuar numrin e njerëzve që do të kenë nevojë për trajtim.

Tashmë, SHBA ka konfirmuar më shumë se 100,000 raste, një shifër që është dyfishuar ose trefishuar çdo tre ditë, për gati një muaj.

Me transmetimet e përhapura gjerësisht, edhe një pjesë e pacientëve me sëmundje kritike mund të mbingarkonin spitalet. Ekspertët në Imperial College London në bashkëpunim me projektin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thonë se 4.4% e të infektuarve me Covid-19 do të kërkojnë shtrim në spital. Nga ai numër, 30% do të kenë nevojë për kujdes kritik, siç është një respirator. Dhe gjysma e pacientëve me sëmundje kritike do të vdesin.

Në mungesë të ndërhyrjeve, kjo nënkupton se 2.2 milion amerikanë dhe 510 mijë britanikë mund të vdesin, sipas projektimeve, ndërkohë që kapacitetet e kujdesit intensiv në spitale do të plotësoheshin që në javën e dytë të prillit.

“Bota po përballet me krizën më të rëndë të shëndetit publik në disa breza,” tha në një deklaratë Neil Ferguson, drejtori i Qendrës MRC të Imperial College, për Analizën Globale të Sëmundjeve Infektive. (Ai zhvilloi simptoma javën e kaluar dhe u vetëizolua.)

Studiuesit e Imperial College vlerësuan dy strategji për të rrafshuar kurbën: zbutja përqëndrohej në ngadalësimin por jo ndalimin e përhapjes së virusit dhe shtypja, e cila synon të zvogëlojë numrin mesatar të transmetimeve nga personi në person, në më pak se një. (Tani është rreth 2.2.)

Vetëm shtypja – ndërhyrja më e fortë – do të parandalonte që sistemet e kujdesit shëndetësor në SHBA dhe Britani të mbingarkoheshin, parashikojnë ata. “Shtypja” e virusit, sipas modelit të tyre, do të kërkonte distancim social në të gjithë popullsinë, të kombinuar me izolimin në shtëpi të personave me simptoma dhe mbylljen e shkollave dhe universiteteve. Ndërhyrjet do të duhet të fillojnë para se spitalet të mbingarkohen dhe të qëndrojnë në fuqi për të paktën pesë muaj – ndoshta më gjatë.

Braktisja e strategjisë përpara se të zhvillohet dhe administrohet një vaksinë ose trajtim tjetër, paralajmërojnë ata, mund të bëjë që pandemia të rikthehet.

Provë e një rezultati të tillë të mundshëm është pandemia e gripit të vitit 1918, kur transmetimet u rishfaqën pasi u hoqën masat.

Studiuesit pranojnë se ka shumë paqartësi, por ata besojnë se kjo strategji është ajo që ka më shumë të ngjarë të sigurojë që, infeksionet e reja nuk do të tejkalojë kapacitetin e kujdesit intensiv të spitaleve, edhe pse ata nuk pranuan të vlerësojnë se sa njerëz mund të vdesin nëse merren këto masa paraprake.

“Kjo është thjesht shumë e vështirë për t’i dhënë një përgjigje të qartë tani,” tha Steven Riley, profesor i dinamikës së sëmundjeve infektive në Imperial College London, i cili punoi në këtë analizë. “Nëse e shohim Kinën, ata kanë arritur nivele shumë të ulëta të incidencës, kështu që ne do të parashikonim shumë pak vdekje në të ardhmen e afërt”.

Strategjia më pak agresive e zbutjes e modeluar nga studiuesit kërkon izolimin në shtëpi të personave me simptoma të Covid-19, karantinë vullnetare në shtëpi të rasteve të konfirmuara dhe distancimin shoqëror të njerëzve me moshë mbi 70 vjeç (grupi më i rrezikuar). Politikat për izolim dhe karantinën do të zgjasnin për tre muaj, ndërsa kërkesat për distancimin social të atyre mbi 70 vjeç do të mbeteshini në fuqi për një muaj më gjatë.

Nëse kjo do të bëhej, studiuesit parashikuan që rreth 1.1 milion amerikanë dhe 250,000 britanikë do të vdisnin, dhe kërkesa për shtretër të kujdesit intensiv në spital do të tejkalonte ofertën, në raportin 1 me 8.

“Ndoshta përfundimi ynë më domethënës është se zbutja nuk ka të ngjarë të jetë e mundur, pa shtuar me disa herë kapacitetet e urgjencave të kujdesit shëndetësor në SHBA dhe Britani,” shkruajnë studiuesit në analizën e tyre.

“Nevoja për një distancim social është shumë e fortë,” tha Marc Lipsitch, profesor i epidemiologjisë në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard, i cili kontribuoi në këtë studim. “Njerëzit që infektohen sot duhet mesatarisht rreth tre javë para se të sëmuren aq sa të kenë nevojë për kujdes intensiv, nëse do të sëmuren aq rëndë”.

Duhet të veprojmë tani, tha ai, për të mbrojtur veten tonë pas tre javësh. / Me shkurtime nga WSJ – Bota.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here