Kufizimi i rënies ekonomike nga koronavirusi nëpërmjet politikave të mëdha specifike…

0
130

Kjo krizë shëndetësore do të sjellë pasoja të konsiderueshme ekonomike, duke shkaktuar tronditje në zinxhirët e furnizimit dhe kërkesës, ndryshe nga krizat e mëparshme.

Politikat e gjera me një objektiv konkret, janë të nevojshme për të mbështetur ekonominë gjatë kësaj epidemie, duke ruajtur rrjetin e marrëdhënieve ekonomike dhe financiare midis punëtorëve dhe bizneseve, huadhënësve dhe huamarrësve, furnizuesve dhe konsumatorëve, në mënyrë që aktiviteti të rimëkëmbet pasi të kalojë sëmundja.

Qëllimi është të parandalohet që një krizë e përkohshme të dëmtojë përgjithmonë njerëzit dhe kompanitë përmes humbjeve të punës dhe falimentimeve, sipas një blogu të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kostot njerëzore të shpërthimit të koronavirusit janë rritur me një shkallë alarmante dhe sëmundja po përhapet në gjithnjë e më shumë vende.

Prioriteti i parë, natyrisht është të sigurohet që njerëzit të jenë sa më të shëndetshëm dhe të sigurt. Shtetet mund të ndihmojnë në këtë aspekt, duke shpenzuar më shumë para për të forcuar sistemin e tyre shëndetësor, duke mundësuar më shumë pajisje mbrojtëse personale, ekzaminime, teste diagnostikuese dhe shtretër spitalorë.
Duke mos pasur ende një vaksinë për të ndaluar virusin, vendet kanë marrë masa për të kufizuar përhapjen e tij, nëpërmjet kufizimeve të udhëtimit, mbylljeve të përkohshme të shkollave dhe karantinat. Masa të tilla gjithashtu blejnë kohë të vlefshme, për të shmangur mbingarkimin e sistemeve shëndetësore.

 

Rënia ekonomike

Ndikimi ekonomik është tashmë i dukshëm në vendet më të prekura nga virusi. Për shembull, në Kinë, aktiviteti i sektorit të prodhimit dhe shërbimeve ra në mënyrë dramatike në shkurt. Rënia e prodhimit është e krahasueshme me fillimin e krizës globale financiare, ndërsa rënia e shërbimeve kësaj here duket se është edhe më e madhe — duke reflektuar ndikimin e madh të distancimit shoqëror.

 

 

Tronditjet në furnizim dhe kërkesë

Epidemia e koronavirusit ka tronditur zinxhirët e furnizimit dhe kërkesës. Ndërprerjet e biznesit kanë ulur prodhimin, duke dëmtuar furnizimin. Dhe ngurrimi i konsumatorëve dhe bizneseve për të shpenzuar ka ulur kërkesën. Nga ana e furnizimit, ka një ulje të drejtpërdrejtë në furnizimin me punë, për shkak të punëtorëve të sëmurë, prindërve që duhet të kujdesen për fëmijët si pasojë e mbylljes së shkollave, dhe për fat të keq, rritjes së vdekshmërisë.

Por në aktivitetin ekonomik kanë pasur një efekt edhe më të madh përpjekjet për të përmbajtur përhapjen e sëmundjes përmes bllokimeve të qarkullimit dhe karantinave, të cilat çojnë në një rënie të përdorimit të kapaciteteve. Për më tepër, kompanitë që mbështeten në zinxhirët e furnizimit, mund të mos jenë në gjendje të sigurojnë pjesët e nevojshme, qoftë brenda ose jashtë vendit.

Për shembull, Kina është një furnizuese e rëndësishme e mallrave të ndërmjetme për pjesën tjetër të botës, veçanërisht në elektronikë, automobila, makineri dhe pajisje. Çrregullimi tashmë ka goditur kompanitë që blejnë materiale nga prodhuesit për t’ua shitur konsumatorëve. Së bashku, këto çrregullime kontribuojnë në një rritje të kostove të biznesit dhe godasin negativisht prodhimtarinë, duke zvogëluar aktivitetin ekonomik.

 

 

Nga ana e kërkesës, humbja e të ardhurave, frika nga infektimi dhe rritja e pasigurisë, do të ndikojnë që njerëzit të shpenzojnë më pak. Punëtorët mund të pushohen nga puna, pasi kompanitë nuk janë në gjendje të paguajnë pagat e tyre. Këto efekte mund të jenë veçanërisht të rënda për disa sektorë si turizmi dhe hoteleria – siç është vënë re në Itali.

Që nga fillimi i shitjes së fundit në tregun e aksioneve amerikane më 20 shkurt 2020, çmimet e aksioneve të linjave ajrore janë goditur në mënyrë të konsiderueshme, në përputhje me sulmet terroriste pas 11 shtatorit, por më të ulëta se pas krizës financiare globale. Përveç këtyre efekteve sektoriale, përkeqësimi i gjendjes së konsumatorit dhe biznesit mund të bëjë që kompanitë të presin kërkesë më të ulët dhe të zvogëlojnë shpenzimet dhe investimet e tyre. Nga ana tjetër, kjo do të nxiste mbylljen e bizneseve dhe humbjen e vendeve të punës.

 

 

Efektet financiare dhe ato anësore

Siç është vënë re ditët e fundit, kostot e huamarrjes mund të rriten dhe kushtet financiare të forcohen, pasi bankat dyshojnë se konsumatorët dhe kompanitë mund të mos jenë në gjendje të paguajnë kreditë e tyre në kohë. Kostot më të larta të huamarrjes do të ekspozojnë dobësi financiare, që janë grumbulluar gjatë viteve të normave të ulëta të interesit, duke çuar në rritjen e rrezikut të mosshlyerjes së borxhit. Një ulje e kredisë mund të forcojë rënien që vjen nga tronditjet e ofertës dhe kërkesës.

Dhe kur këto goditje janë sinkronizuar në shumë vende, efektet mund të forcohen më tepër përmes tregtisë ndërkombëtare dhe lidhjeve financiare, duke ngadalësuar aktivitetin global dhe duke ulur çmimet e mallrave. Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm javët e fundit duke u ulur deri në 30% krahasuar me fillimin e vitit. Vendet që janë të varura nga financimi i jashtëm mund të gjenden në rrezik të ndaljeve të papritura dhe kushteve të çrregullta të tregut, ndoshta duke kërkuar ndërhyrje të këmbimit valutor ose masa të përkohshme të qarkullimit të kapitalit.

 

 

Janë të nevojshme politika specifike ekonomike

Duke marrë parasysh faktin se pasojat ekonomike reflektojnë tronditje të rënda në disa sektorë të veçantë, politikanët duhet të ndërmarrin masa të konsiderueshme dhe konkrete fiskale, monetare dhe financiare për të ndihmuar familjet dhe bizneset e prekura.

Familjet dhe bizneset e goditura nga ndërprerjet e furnizimit dhe rënia e kërkesës, mund të ndihmohen me transferime parash, subvencione pagash dhe lehtësime tatimore, duke ndihmuar njerëzit të plotësojnë nevojat e tyre dhe bizneset për të vazhduar veprimtarinë.

Për shembull, midis masave të tjera, Italia ka zgjatur afatet e taksave për kompanitë në zonat e prekura dhe ka zgjeruar fondin e plotësimit të pagave për të siguruar mbështetje të ardhurash për punëtorët e pushuar nga puna. Koreja ka prezantuar subvencione pagash për tregtarët e vegjël dhe shtimin e ndihmave financiare për kujdestarët dhe punëkërkuesit ndërsa Kina ka hequr dorë përkohësisht nga kontributet e sigurimeve shoqërore për bizneset.

Për personat që janë larguar nga puna, sigurimi i papunësisë mund të përmirësohet përkohësisht, duke zgjatur afatin, duke rritur përfitimet ose duke zgjeruar shkallën e pranueshmërisë. Kur lejet në punë, për shkak sëmundjesh ose arsyesh familjare, nuk përfshihen në përfitimet standarde, qeveritë duhet të marrin në konsideratë financimin e tyre, për të lejuar punonjësit e sëmurë ose kujdestarët e tyre të qëndrojnë në shtëpi, pa frikë se mos humbasin punën gjatë epidemisë.

Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të sigurojnë likuiditet të mjaftueshëm për bankat e tjera dhe kompanitë financiare jobankare, veçanërisht për ato që japin hua për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat mund të jenë më pak të përgatitura për t’i bërë ballë një përçarjeje të mprehtë. Qeveritë mund të ofrojnë garanci të përkohshme dhe specifike të kredive për të siguruar nevojat për likuiditet të kompanive gjatë kësaj periudhe. Për shembull, Koreja ka zgjeruar huadhënien për operacionet e biznesit dhe garancitë e huasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të prekura nga kriza. Rregullatorët dhe mbikëqyrësit e tregut financiar, gjithashtu mund të inkurajojnë zgjatjet e maturimeve të kredisë, për një kohë të caktuar.

Masat më të thella monetare, si ulja e normës së interesit ose blerja e aseteve mund të rrisin besimin dhe të mbështesin tregjet financiare nëse ekziston një rrezik i theksuar i shtrëngimit të konsiderueshëm të kushteve financiare (me pjesëmarrjen e bankave të mëdha qendrore për të përhapur klimën e favorshme financiare edhe në shtetet e dobëta). Stimulimi fiskal me bazë të gjerë në përputhje me hapësirën fiskale në dispozicion, mund të ndihmojë në rritjen e kërkesës së përgjithshme, por ka shumë të ngjarë të jetë më efektiv kur operacionet e biznesit të fillojnë të normalizohen.

Duke marrë parasysh shtrirjen e gjerë të epidemisë në shumë vende, lidhjet e gjera ekonomike ndërkufitare, si dhe efektet e mëdha të besimit që ndikojnë në aktivitetin ekonomik dhe tregjet financiare dhe të mallrave, është pa dyshim i nevojshëm një reagim i koordinuar ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë vendet me kapacitete të kufizuara në sektorin shëndetësor për të shmangur një katastrofë humanitare. FMN-ja është e gatshme të ndihmojë shtetet më të dobëta me lehtësi të ndryshme në huazim, përfshirë financimin e shpejtë të disbursimit, i cili mund të arrijë deri në 50 miliardë dollarë për vendet me të ardhura të ulëta dhe vendet në zhvillim. MONITOR

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here