COVID-19, Kosova po përballet me mungesë stafi mjekësor

0
131

Kosova ka konfirmuar të paktën 91 persona të prekur me simptomat e Covid-19. Federata e mjekëve në vend druhet se nëse situata zgjidhet përkohësisht dhe rikthehet në vjeshtë, stafi ekzistues mjekësor nuk do i bënte dot ballë vërshimit e rasteve të reja.

Kosova vlerësohet se nuk ka kapacitete të plota për mbrojtjen e mjekëve që janë në front të luftës me pandeminë e Covid-19 në vend.

Të paktën dy infermierë, një mjek dhe mbi 90 qytetarë janë infektuar nga koronavirusi.

Nga Federata Sindikale e Shëndetësisë e Kosovës, kryetari Blerim Syla është i shqetësuar për trendin në rritje, edhe pse jokërcënues deri tani.

“Problemi është si ta ndalojmë këtë që të mos depërton te punëtorët shëndetësorë. Jo që na po duam t’i veçojmë punëtorët shëndetësorë nga popullata tjetër, mirëpo nga ajo që ata kanë për t’i shërbyer të sëmurëve të tjerë.”

Rreziku i pandemisë, sipas Sylës, është se edhe nëse kalon për pak javë, koronavirusi mund të rikthehet në vjeshtë, por përballja atëherë do të ishte e rëndë me stafin mjekësor të mangët që ka vendi.

“5 mijë punëtorë shëndetësorë janë mangut në Kosovë… Gjermania ka menduar shumë më herët dhe iu e dini që atje shërbejnë sot 800 deri 1000 mjekë nga trojet shqiptare… dhe ne jemi mangu. Prandaj, është dashur të mendohet më herët. Sot jemi vonë, mirëpo më mirë që ka ndodhur ndoshta kjo që të vetëdijesohemi, sepse kjo nuk do të përfundon tani.”

Vendimet e qeverisë në detyrë të Kosovës për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit do të mbesin në fuqi deri më 6 prill, me ndalimqarkullim të qytetarëve dhe automjeteve private gjatë harkut kohor 17 me 6, me ndërprerje të mësimit dhe mbyllje të veprimtarive tregtare.

Nga vendet fqinje, Kosova ka konfirmuar më pak raste me koronavirus pas Malit të Zi, ndërsa Serbia numëron mbi 650 dhe 11 viktima, Maqedonia e Veriut 6 viktima dhe mbi 250 të infektuar, dhe Greqia një maksimum prej mbi 1 mijë personash bartës të virusit dhe të paktën 32 veta të ndarë nga jeta./Oranews.tv

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here