Shqiptarët pakësojnë kërkesat për azil në BE

0
130

Pas një rritjeje të lehtë në 2019-n, muaji i parë i 2020-s ka shënuar një rënie të numrit të aplikimeve për azil për në Bashkimin Europian, nga shtetasit shqiptarë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Europiane e Azilantëve (EASO), në janar, aplikimet për azil ishin rreth 1100, nga të cilat 913 ishin për herë të parë. Ky është dhe muaji i parë me kaq pak kërkesa përgjatë viteve të fundit. Në janar 2019 ishin gjithsej rreth 2,100 kërkesa për azil dhe në janar 2018 u shënuan rreth 1,800 të tilla. Në dhjetor, numri i kërkesave ishte rreth 1,500.

Vijojnë ndërkohë përgjigjet negative ku gati 1300 vendime ishin negative në janar dhe vetëm 17 kanë marrë statusin e refugjatit.

Tendenca në rënie e aplikimeve nga Shqipëria ishte e ndryshme nga totali i kërkesave për azilantë që erdhën në rritje për herë të parë që nga 2017-a. Sipas EASO, në muajin e parë të vitit 2020, në total kishte rreth 65 170 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në BE +, me rritje 9% nga dhjetori. Që nga fundi i vitit 2016, kjo është vetëm hera e tretë që kërkesat për azil tejkaluan 65 000 – dy të tjerat kanë ndodhur në tremujorin e fundit të vitit 2019.

Kjo dëshmon gjithashtu për një prirje rritëse. Pjesa dërrmuese e aplikacioneve vazhdoi të përqendrohej në një numër të kufizuar vendesh – tre të katërtat e të gjitha aplikacioneve ishin nga katër vende. Në përgjithësi, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare u rritën me 19% në janar 2020 në krahasim me të njëjtin muaj në 2019.

Sirianët vazhduan të paraqesin më shumë aplikime (7 941), duke përbërë 12% të totalit të aplikimeve të EU +. Më pas renditen afganët (6 878), duke parashtruar edhe më shumë aplikime sesa në dhjetor. Për herë të parë që nga rritja e migracionit të lidhur me azilin nga Amerika Latine, Kolumbianët (5 269) paraqitën shumë më shumë se 5 000 aplikime në BE + në një muaj të vetëm, duke tejkaluar kështu paksa Venezuelën (5 005). Irakianët, turqit, pakistanezët, nigerianët, gjeorgjianët dhe somalët plotësuan listën e shtetësive me kërkesa më të larta për azil.

Në vitin 2019, Shqipëria u renditet e dhjeta ndër vendet me më shumë kërkesa për azil, me rreth 22 mijë të tilla, ndërsa në raport me popullsinë ishte e para në botë, me 59 aplikime për çdo 10 mijë banorë./MONITOR

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here