Gjeneral CoEdvin – 20

0
120

Nga Armir Shkurti

 

Mao Ce Duni, Stalini, Hitleri…s’besoj se mund të kenë menduar se do vinte një ditë kur një njeri i vetëm, pa polici, pa ushtri, pa gjykata, pa ligje, pa administratë, pa media thjesht me një celular si një telekomandë në dorë, nga minderi i shtëpisë të drejtojë një popull.

Gjithashtu, askush prej këtyre diktatorëve, por as ndonjë tjetër nuk ka besuar kurrë se me një telekomandë një popull i tërë zgjohet, fle, del në rrugë, futet në shtëpi, ul qepenin, nuk del përkrahu me gruan, blen miell e makarona për 6 muaj…

PO, MBAS ZOTIT, Ç’ QENKA AJO FUQI QË NËNSHTROKA NJË POPULL ME NJË TË SHTYPUR BUTONI? Pa dhunë, pa polici, pa luftë?

Është ajo fuqi për të cilën janë shpikur policia, dhuna, ligji, ushtria, torturat:

ËSHTË TERRORI!

Covid -19 ka shkaktuar terror në gjithë botën.

KUSH ËSHTË TERRORISTI?

Ti! Po or po, Ti! Një kamikaz që mund të vrasë bashkë me veten edhe babain, nënën, babain dhe nënën e fëmijëve të tij. Mendo se çfarë ndjenjë faji, përgjegjësie dhe ankthi vuan secili nga ne! Atë të Edipit, të Kainit, Medeas. Para frikës së madhe gjallesat kanë tre reagime:

NDESHEN, IA MBATHIN dhe SHTANGEN

Me një virus nuk ndeshesh dot fizikisht dhe as nuk ia mbath dot sepse e gjithë bota është e molepsur. Mbetet

SHTANGIA.

E ke provuar patjetër kur në mes të rrugës ke dëgjuar frena makine dhe në vend t’ia mbathësh ke ngrirë si hu në mes të xhadesë. Ky është refleks i të gjenduri dikur gjah për grabitqarët. Nëse ngrin në vend ariu, qeni, luani ka shumë të ngjarë të mos të të sulmojnë. Shtaget dhia kur s’ikën dot, shtangemi edhe ne. Por gjahtari këtë rradhë është shumë më i hollë se ariu, qeni a luani.
Me tmerrin e vdekjes dhe përgjegjësinë e vrasjes së njerëzve më të dashur iu bindëm Gjeneralit me telekomandë në dorë. Vetëm një Perëndi mund të hahej në pushtet me Edi Ramën në këtë situatë. E para ishte fjala për Zotin? Po edhe për zotin Rama ajo qe:

Ditën e parë Ai tha “NGUJOHUNI”! dhe në çast të gjithë u ngujuan.
Ditën e dytë Ai tha “Izoloni qytetet” dhe askush nuk lëvizi më nga qyteti i tij
Ditën e tretë Ai tha: “Jo më makina” dhe njerëzit ecën në këmbë
Ditën e katërt Ai tha: “Kur bie akshami e deri në sabah ti s’do dalësh nga shtëpia” dhe ata nuk dolën
Ditën e pestë Ai tha: “Mos ec në parqe dhe mos u ul gjëkundi kur lodhesh nga ecja” dhe ata, si marathonomaku u vërdallosën dhe e mbajtën frymën në shtëpi.
Ditën e gjashtë Ai tha: ” 6 orë që të dilni, do ecni në rresht për 1! Jo përkrahu”! Dhe ata nesër do ecin në rresht për një!
Duket biblike, por kaq surre(l)ale është situata!
Pyetja është: Mirë mbylljen në shtëpi na e bëri PA POLICË E PA USHTARË TERRORI i covid -19, po këtë vënien në rresht për një në 6 orët e liridaljes nesër? Përgjigjja është:

TERRORI I BUKËS

dhe ankthi nga ajo që vjen nesër. Gjobë, gjobë, gjobë, heqje nga puna, mosdhënia e ndihmës këto ditë dhe pas krizës. Shqiptarët po presin varfëri dhe ndryshime në jetesë. Këtij ankthi plus ankthit të pandemisë nëpër këmbë nuk po duan ti shtojnë edhe telashe të tjera me qeverinë, prandaj

VETËM ME NJË TELEKOMANDË,

pa polici, pa burgje, pa ushtri, pa gjykatës, pa prokurorë, pa ligje, pa media, pa opinion publik, pa opozitë sot Edi Rama po luan me jetët e një populli dhe fatet e një vendi si një fëmijë hiperaktiv i llastuar, thjesht me telekomandën e tij celular.
Jetën, vdekjen, luftën, armikun mjeshtërisht Gjeneral CoEdvini vazhdon mjeshtërisht ti përdorë për ta mbajtur në maksimum nivelin e terrorit me të cilin po xhiron, e përsëris, si Perëndi, jetët e një populli të tërë.

Përpara kësaj situate demokracia në vend ishte me kohë e asfiksuar. 1 vit opozita jashtë Kuvendit, pushteti vendor i zgjedhur me një parti të vetme, vite pa gjykatë të lartë, pa gjykatë kushtetuese, me ekonomi në dishezë dhe me MUNGESË TË THEKSUAR TRANSPARENCE për shkak të kapjes dhe trembjes së mediave. Mendo pak sot që Gjenerali është bërë Perëndi dhe bën ligjin përmes tmerrit nga virusi dhe frikës nga buka.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here